Editorial

Pandemia e vërtetë është ekonomia e konsumit!

Shkruar nga Liberale
Pandemia e vërtetë është ekonomia e konsumit!

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Statistikat aktuale në lidhje me koranavirusin po vërtetojnë atë që kemi thënë dhe e kemi përsëritur, mbyllja e popullsisë në një karantinë kaq fanatike e të dhunshme nuk do të shërbente për asgjë. Për tre muaj me radhë ne ndenjëm para televizorit dhe ndoqëm humbjet e jashtëzakonshme në jetë njerëzore në vendet e tjera, ndërsa vet pësuam humbje minimale. Pa dyshim ky bilanc pozitiv i përballjes së një shoqërie të prapambetur me një sulm global kishte si kontributor kryesor karantinimin, por nuk ishte e vetmja pasojë e tij. Sepse në thelb, ne bëm të vetmen gjë që dijmë të bëjmë mirë, u shtirëm ‘sikur luftuam’ kur në fakt bëmë vetëm sehir.

Bëm ‘sikur’ luftuam, bëm ‘sikur’ morrëm “pagën e luftës”, bëm edhe ‘sikur’ i bëmë opozitë qeverisë, por në fakt ne vetëm shtymë kohën kur do të përballeshim me “armikun”. Si rezultat i kësaj, të sëmurët dhe jetët e humbura të marsit, prillit dhe majit do ti kemi në qershor dhe në vijim. Nëse do të ndiqnim një linjë më liberale ndaj karantinimit, do të kishim më shumë të sëmurë në spitalet bosh dhe më shumë jetë të humbura në kohën e “pushtimit”, por sot do të kishim statistika më të ulta dhe mbi të gjitha do të ishim më pranë lirisë. Sepse lufta, qoftë ajo edhe metaforike, duhet luftuar që të fitohet, ajo nuk mund të fitohet duke ju shmangur e fshehur.

Skenderbeu, ai prej vërteti, vërtet e mbyllte popullsinë në kështjellë kur rrethohej nga osmanët, por sëbashku me kalorësit e tij rrinte jashtë dhe e godiste papushim armikun dhe furnizimet e tij, derisa e dobësonte në pikën kur aihiqte rrethimin largohej në shtëpi të vet. Ndërsa Skëndërbeu i sotëm, ky prej gjasme, mbylli popullin nëpër kasolle, ndërsa vet dhe kalorësit e tij na dhanë shfaqje me fitore ‘prej gjasme’, duke pritur që armiku të ikte vet! Mirëpo, ky armiku i sotëm nuk ka shtëpi që të iki në verë dhe të kthehet në vjeshtë, kështu që duket se do të rrij edhe për ca kohë. Por ai që nuk do iki asnjëherë, një armik edhe më i madh dhe më vrastar se pandemia, është varfëria dhe fukaralliku. Të gjitha institucionet ndërkombëtare, dikush më shumë e dikush akoma më shumë, e shohin Shqipërinë e pas “luftës mbyllur në kasolle por me sytë te frëngjia”, në rënien më të madhe ekonomike se çdo vend tjetër në rajon. Kjo është lufta e dekadave, në mos shekujve për ne shqiptarët, dhe për këtë nuk po gjejmë dot Skëndërbej, qoftë edhe prej gjasme.

Sigurisht që shkaktari i parë i varfërisë së ardhshme është mënyra që zgjodhëm për të luftuar ndaj koronavirusit, por ka edhe një arsye tjetër, më të qenësishme e më strukturore. Ne kemi qenë të varfër, jemi të varfër dhe do të mbetemi të varfër, edhe sikur koronavirusi të kishte prekur gjithë botën por jo Shqipërinë, sepse kemi një model të zhvillimit ekonomik të gabuar. Ne kemi zhvilluar një model ekonomik që mbështetet te konsumi dhe jo të prodhimi, sikurse vendet e tjera të rajonit me të cilat bëjmë ‘sikur’ konkurojmë. Për të kuptuar këtë mjafton të shohim bilancin e tregtisë së jashtëme të vendit, që mbetet negative ndoshta edhe më parë se prej kohës së Mbretërisë. Rreth 60% e rritjes ekonomike të vendit mbështetet te konsumi, i produkteve që vijnë nga importi dhe financohet përgjithësisht nga remitancat, që gjithshtu vijnë nga “importi”.

Shqipëria e dy dekadave të fundit është, gjithshtu, vendi i vetëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor që industrinë e ndërtimit e ka të renditur si një nga tre prurësit më të mëdhenj në ekonominë e vendit, dhe specifikisht të dytin pas bujqësisë. Ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor e mbështesin produktivitetin dhe konkurueshmërinë ekonomike te prodhimi industrial. Është kështu veçanërisht për Serbinë, e cila e ka prurësin e parë dhe më shumë se 20% të ekonomisë e ka të mbështetur në prodhimin e manifakturës, por edhe për Bosnjë Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut. Në aspektin e prodhimit industrial na e kalon edhe Kosova, e cila merr 13.1% të të ardhurave nga prodhimi industrial, ndërkohë që në Shqipërinë ky tregues është vetëm 6%.

Ky është halli më i madh i Shqipërisë së sotme, që ndërton edhe atë të nesërme. Koronavirusi është një ‘fotografi’, ai edhe po nuk iku do të asimilohet në modelin tonë të jetesës dhe do të harrohet. Kurse modeli ekonomik është një ‘film’ që ka filluar dekada më parë dhe duket se do të vijoj edhe për shumë të tjera, ndërsa na pengon të kemi një produktivitet ekonomik të pranueshëm si shoqëri apo një nivel konkurueshmërie me fqinjët. Për më tepër, është ky model ekonomik i mbështetur te konsumi dhe jo te prodhimi, që do të na sjelli edhe rënien më të madhe në rajon, sepse një krizë konsumi është padyshim më e rënda në një model ekonomik konsumi.

gentiankaprata.blogspot.com /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH