Ervis Iljazaj
Sot përfundoi zyrtarisht mandati kushtetutes i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Institucioni i Komisionerëve Publikë (IKP), ose e thënë ndryshe procesi i vetingut.
Tashmë zyrtarisht ky funksion i kalon drejtuesit të SPAK Altin Dumanit. Me përfundimin e këtij procesi mund të thuhet që Reforma në Drejtësi ka përfunduar dhe mund të nxirret një konkluzion se çfarë ka sjellë ajo. Drejtuesi i SPAK dhe delegacionet e huaja në Shqipëri u shprehën se kjo Reformë ishte thelbësore në afrimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe forcimit të demokracisë.
Por kjo ëshë vetëm një anë e medaljes se çfarë ka sjellë kjo Reformë. Reformën ka nga ata që e konsiderojnë të sukseshhme, por dhe ata që e quajnë një reformë që ka sjellë kapjen e drejtësisë nga pushteti. Por si gjithmonë e vërteta qëndron diku në mes dhe pyetja e vërtetë që duhet ngritur është nëse kjo reformë e afroi apo e largoi Shqipërinë drejt Bashkimit Europian?
Reforma në Drejtësi u aprovua në vitin 2016 me unanimitet në Parlametin e Shqipërisë si asnjë ligj tjetër dhe asnjë reformë tjetër më parë. Mirëpo, ky vullnet i përgjithshëm i klasës politike për të patur një drejtësi të re ishte qartësisht një vullnet i imponuar nga aletatët ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe sidomos i Shteteve të Bashkuara. Të gjithë e mbajmë mend xhirot që bënte në atë kohë Ambasadori Donald Lu sa në një seli në seli tjetër për të detyruar partitë politike ta votonin atë.
Megjithëse Edi Rama shprehet shpesh se kjo është një reformë e bërë nga Partia Socialiste, e vërteta është krejt ndryshe. Drejtësia ka qenë në dekadat e fundit një strategji gjeopolitike e amerikanëve në rajon për të luftuar korrupsionin dhe forcuar demokracinë. Nëse Rama ka bërë reformën në drejtësi në Shqipëri, atëherë ai e ka bërë atë edhe në Rumani, Kroaci, edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo vende të tjera në rajon. Është e qartë se reformimi i drejtësisë ka qenë një element diplomatik amerikan në Rajonin e Ballkanit.
Ajo që ndodhi në Shqipëri është fakti se Partia Demokratike e braktisi aplikimin e Reformës në Drejtësi dhe në tavolinat e krijimit të organeve të reja të drejtësisë u ul vetëm Partia Socialiste. Kjo solli që pjesë të Reformës në Drejtësi të mbusheshin me ndikim politik. Dhe nuk mund të mohohet se Partia Socialiste e cila ishte dhe është partia në pushtet ka patur ndikimin e saj në organet e reja të drejtësisë, madje dhe në procesin e Vetingut duke qenë se të gjitha këto procese, edhe pse me monitorimin e fortë ndërkomëbtar, kanë patur edhe ndikimin e pushtetit. Por nga ana tjetër, është po ashtu e qartë se pjesë të rëndësishme të organeve të reja të drejtësisë mbeten jashtë ndikimit të pushtetit, sidomos në SPAK apo GJKKO me insistimin amerikan. Kjo është e qartë dhe nga puna e tyre, duke qenë se hetimet ndaj korrupsionit kanë arritur të prekin njerëz me pushtet, që më përpara saj ishte e pamendueshme që mund të ndodhte.
E vërteta është se në të gjitha raportet ndërkombëtare, në vitet e fundit theksohet lufta ndaj korrupsionit dhe lëvdohet puna e SPAK në këtë drejtim. Prandaj padyshim që Reforma në Drejtësi në këtë drejtim ka patur një rol kryesor. Edhe në raport progresin e fundit të Bashkimit Europian i cili bëri të mundur çeljen e negociatave, theksohet po ashtu puna e SPAK si një përpjekje për të luftuar korrupsionin, i cili ka qenë dhe mbetet një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë.
Nga ana tjetër Reforma në Drejtësi për shumë vite me radhë e la Shqipërinë pa organe të drejtësisë si Gjykata Kushtetutese apo dhe Gjykata e Lartë si pasojë e procesit të Vetingut por edhe të reformimit të tyre. Numri i lartë i dosjeve që u akumuluan nga ky proces është një fakt që po e vuajnë të gjithë qytetarët shqiptarë. Kjo gjë padyshim që ka bërë që për vite me radhë, Shqipëria të gjendej pa pushtetin e saj gjyqësor dhe sigurisht që procesi i integrimit në Bashkimit Europian është vonuar edhe për këtë shkak.
Dhe nëse sot shtrojmë pyetjen nëse Reforma në Drejtësi ka sjellë apo jo një drejtësi të pavarur dhe autonome, nuk mund të japim një përgjigje bardh e zi. Padyshim që një pjesë të rëndësishme të saj ka sjellë një rezultat pozitiv dhe për një pjesë të saj dyshimet janë të arsyetuara. Por si të gjitha reformat, sidomos kur ndërton një drejtësi të gjithën nga e para, nuk mund të ketë rezultat pozitiv të plotë. Prandaj sfida është pikërisht te këto pjesë të drejtësisë ku ka dyshime të forta pavarësie.
Megjithatë, në të gjithë këtë histori nuk duhet haruar fakti se drejtësia është gjithmonë nën sulmin politik dhe nuk është aspak e lehtë të shpëtojë nga një i tillë. Të dyja palët, edhe opozita dhe pozita, edhe pse kanë sjellje të ndryshime me SPAK publikisht, të dyja janë kundër saj. Opozita e quan publikisht organizatë kriminale dhe kërkon ta çmontojë nëse vjen në pushtet. Ndërsa mazhoranca edhe pse publikisht e mbron, nën rrogoz bën çdo gjë për ta penguar punën e tij. Dhe kur një pjesë e drejtësisë është nën sulm nga politika, kjo është shenjë e mirë e pavarësisë së saj.