Editorial

Nuk u prish një godinë, por u shua një identitet kulturor kombëtar

Shkruar nga Liberale
Nuk u prish një godinë, por u shua një identitet kulturor

Post Scriptum: Një ngushëllim publik për ata që e deshën me shpirt të ndjerin Teatër Kombëtar.

Nga Albana Nexhipi Lekaj*

 Sot, në të tretat e të ndjerit Teatër Kombëtar, fjalë dhe imazhe të aty-këtushme më hyjnë në vesh. I kam mbyllur të gjitha ngase s’dua të dëgjoj më justifikime si kofini pas të vjelit prej pushtetit, por edhe ngase po respekoj shpirtin e të ndjerit Teatër, i cili, aq sa i dha kësaj shoqërie  me praninë e vet, po aq e në mos më shumë duket se po  i merr me ikjen e tij nga kjo botë.

Kanë nisur protestat. Njerëzit vuajnë nga dhimbja për të. Kahet politike  po shfrytëzojnë situatën, bashkia justifikohet,  qeveria mbrohet, shoqëria gëlon në pro dhe kundër, e në mes këtij pështjellimi shpirtëror e politik, ku shqiptarët po ndeshen për  një qoshe kulture (ia mbërritëm dhe kësaj dite), një lajm (në lajm qoftë), ia beh nga të gjitha anët: “Ja si do jetë godina e re! Godina e re e teatrit do jetë shumë funksionale. Godina e re do jetë shumë e bukur! Godina do ketë vend për të gjithë (!)”.  Një ngutje e pa parë për ta stërthënë si ‘lajm’, a thua  se pamjet tri dimensionale të godinës së re, do zëvendësojnë kaq menjëherë ikjen e trishtë të të gjorit Teatër Kombëtar, e do ngushëllojnë shpirtërat e trazuar të atyre që e deshën aq shumë.

Pak po e sigurt, askush se vë në dyshim që  godina e re do të jetë e bukur dhe moderne (s’ka pse të mos jetë), por prania e saj (pra bukuria tri dimesionale që shohim), nuk e zëvendëson dot atë që iku, atë që një pjesë e shoqërisë (përfshi dhe mua), e kanë brendësuar si streha e Teatrit Kombëtar,  e që për vite e vite me radhë u ushqeu shpirtin dhe mendjen, përmes artit që vinte prej tij (përtej paragjykimeve me të cilat është parë gjithnjë arti vendas),  përmes lojës së artistëve të papërsëritshëm që ajo skenë i dha kësaj shoqërie.  Nuk ka se si ta zëvendësojë godina e re të  vjetrën, sepse është praktikisht e pamundur që e reja të përftojë identitetin e rahmetlies, identitet që buron jo vetëm nga arkitektura e nga koha e ndërtimit të godinës, por edhe nga roli që ajo luajti në kulturën shqiptare. E duhet thënë me të madhe dhe pa ngurrim, që në atë godinë që u shemb pa gdhirë më 17 maj 2020, u hodhën e u mbrujtën themelet e artit teatror shqiptar.

Godina e re do jetë shumë e bukur, përnjimend, por s’do t’i përafrohet asesi të ndjerës godinë të Teatrit Kombëtar, sepse s’luan dot të njëjtin rol historik si ajo. Godina e re do jetë një ndërtesë ku trupa kombëtare e teatrit (e mbase edhe shumë të tjera) do japin shfaqje, një qendër multifunksionale që do ketë si identitet multifunksionalitetin, por kurrësesi identitetin historiko-kulturor të godinës së ndjerë, ku u mbrujt një plejadë e tërë artistësh,  që janë e do të mbeten figura kyçe të artit shqiptar. Me hir a me pahir, për hir të shansit historik, ajo ndërtesë që i dhamë lamtumirën dy ditë më parë,  u bë logu që i mëkoi të gjithë me nga pak art, i cili,  nisur nga revolta në masë e njerëzve, s’paska qenë dhe aq  i pa vlerë.

E pra njerëzit nuk po qajnë thjesht godinën (siç po përpiqen t’ia gjejnë vegjën duke thënë se ajo s’bënte, ndaj u prish),  fort e shëmtuar mund të ketë qenë, edhe pse një fjalë e urtë e popullit shqiptar thotë “merr sytë e mi e shikoje”,  por vajtojnë atë që ajo ndërtesë përfaqësonte: bashkë me trarët, fadroma hodhi përtokë dhe fshiu nga faqja e dheut edhe kujtimet historike që qenë ndryrë aty, zërin e Kadri Roshit tek luante Arturo Ui-në (jam magjepsur kur dëgjova monologun e Trustit të Lulelakrës interpretuar prej tij, zë që mezi e montova me të vetmen foto që gjendej prej shfaqjes, asokohe në Teatrin Kombëtar), timbrin e Roland Trebickës, buzëqeshjen e Violeta Manushit, vështrimin e Agim Qiriaqit, mimikën e Ndrek Lucës, Sulejman Pitarkës e shumë e shumë të tjerëve me radhë. Hodhi përtokë 75 vite histori teatri që dëshmohej mureve të ngrëna të saj, kostumeve të rrjepura nga koha, mimikave fantastike të personazheve,  histori që duam-s’duam e dashur-padashur na ka formësuar identitetin tonë kulturor. Ndaj po shkakton kaq zemërim prishja e asaj ndërtese, që gjasme u paska vrarë sytë shumë njerëzve për nga forma ‘e lodhur’, e që me gjasa paskan harruar se është përmbajtja ajo që i jep shpirt gjësë.

Njerëzit nuk po qajnë muret që vanë,  por copëzat e shpirtit që u thërrmuan me to, kujtimet që kanë rrojtur në atë teatër, lulet që u kanë dhuruar artistëve, emocionet që kanë përjetuar. Se ajo godinë nuk qe e vetëm e aktorëve dhe e regjisorëve. Ajo godinë qe mbi të gjitha  e publikut, e atij pak publiku që e donte artin e që, edhe kur mbërdhinte nga të ftohtët nuk ikte nga salla,  edhe kur nuk i pëlqente pjesa, vazhdonte e rrinte deri në fund për hir të respektit të mundit të artistëve, e atij publiku që gjente forcën të falënderonte edhe kur mbase për të falënderuar mund të kishte pak. E atij publiku që tashmë ndihet i zhgënjyer prej artistëve, që e lanë të shtrenjtin e tyre në mëshirën e fadromës për një godinë më të re, duke u mohuar atyre si palë e interesuar të merrnin edhe ata vendim për të.

Por tani godina e Teatrit Kombëtar s’është më. Sheshnaja e lënë bosh, do nisë e mbushet pak nga pak me ngrehinën e godinës së re multifunksionale. Vdiq godina, rroftë godina? Dyshoj. Ndërkaq  të qoftë udha e lehtë Teatër! Ndjesë që të përcollëm siç nuk e meritoje. Do na mungosh.

*Përkthyese, pedagoge, ish-gazetare /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH