Avokati i Popullit ka reaguar ditën e sotme për konfliktin mbi Gjykatën Kushtetuese që ka nisur prej ditësh midis Presidencës dhe Kuvendit.
Avokati i Popullit thekson se KED dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e Presidentit, Kuvendit apo Gjykatës së Lartë për të përzgjedhur gjyqtarët për në Gjykatën Kushtetuese.
"Për fat të keq konstatojmë se puna shumë e madhe dhe me dedikim e të tërë anëtarëve, e pjesëmarrësve të tjerë në mbledhje, por edhe e këshilltarëve ligjor e sekretarisë së KED-së, nuk arriti të realizonte një proçes të patëmetë, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Që gjatë muajit gusht 2019 u identifikuan disa problematika në lidhje me numrin e kandidaturave që Këshillit i kishin mbetur për të vlerësuar, pas kryerjes së proçesit të verifikimit të kandidaturave.
Për të tërë pjesëmarrësit në këtë proçes, nuk ka asnjë shpjegim të asnjë lloji (as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve), se çfarë shkaktoi dërgimin e listave përfundimtare për te organet e emërtesës gjegjësisht ditë pas datës 21.9.2019, (pra pas 15 ditësh Presidentit të Republikës dhe 21 ditësh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë).
Për më tepër të dyja vakancat e Kuvendit, kishin më pak kandidatë në listë se ato të Presidentit të Republikës dhe secila prej kandidatëve në listat e Kuvendit ishte edhe në ato të Presidentit. Pra nuk rezulton të ketë asnjë mundësi, që të mos jenë të njëjtat materiale të listuara dhe vendime të arsyetuara, që tregon se nuk ka asnjë arsye objektive që listat Kuvendit t’i dërgoheshin me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara Presidentit të Republikës.
Ka rëndësi të kujtojmë edhe se vlera e afateve të caktuara në Kushtetutë apo ligjet e reformës, janë trajtuar deri më tash, si një element më pak i vlefshëm krahasimisht me plotësimin e thelbit, apo aspektin material të çështjes. Kështu nuk ka qënë e mundur të zbatohen mjaft afate të parashikuara në Kushtetutë, për ngritjen e organeve të reja të parashikuara në legjislacionin e Reformës në Drejtësi (Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emerimeve ne Drejtësi, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë), apo ristrukturimin e organeve të tjera (si psh rasti i Gjykatës Kushtetuese).
Pa dashur të ndalemi në rëndësinë jetike të institucionit të Gjykatës Kushtetuese për vendin tonë, dëshirojmë të kujtojmë se një nga arsyet për të cilat u ideua dhe u bë Reforma në Drejtësi, ishte humbja e besimit të publikut tek institucionet e Drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye jemi të mendimit se puna mjaft e madhe e bërë nga shumë institucione shtetërore, si për proçesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu edhe atë të ngritjes së institucioneve të reja të parashikuara nga legjislacioni i Reformës në Drejtësi, po dobësohet pikërisht nga përplasjet institucionale të ndodhura gjatë proçesit për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese", thuhet ndër të tjera në deklaratën e Avokatit të Popullit./Gazeta Liberale