Aktualitet

Mustafa: Duam marrëveshje të balancuar për formimin e qeverisë

Shkruar nga Liberale
Mustafa: Duam marrëveshje të balancuar për formimin e

Dy partitë më të votuara në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë ende nuk kanë mundur që të arrijnë një marrëveshje për të formuar koalicionin qeverisës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur menjëherë pas mbylljes së mbledhjes me Kryesinë e partisë së tij, ku ka deklaruar se ata janë të përkushtuar të punojnë për t’u arritur marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mustafa ka theksuar para gazetarëve se marrëveshja me VV do të bëjë të mundur krijimin e një qeverie me përgjegjësi të balancuara për qytetarët e Kosovës.

Kreu i LDK-së shprehet se është në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por nuk ka dhënë detaje nëse janë pranë arritjes së krijimit të koalicionit.

“Mendojmë se marrëveshja do të nxjerrin në pah një qeveri të balancuar dhe përgjegjësi të balancuara ndërmjet dy palëve në harmoni me atë që qytetarët e Kosovës na kanë dhënë besimin me votën e tyre ne si LDK me 28 deputetë dhe LVV-së me 29 deputetë. Ne kemi dhënë një propozim që është shumë i balancuar që LVV duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë dhe mbetemi që të bisedojmë, por që ajo të ketë një përfundim sa më shpejt mundësisht deri në fund të kësaj jave, që të bëjmë marrëveshje ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, tha Mustafa.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH