Sport

Ministria e Jashtme Holandeze-tifozëve: Ju pret burgu, nëse shkaktoni trazira

Shkruar nga Liberale
Ministria e Jashtme Holandeze-tifozëve: Ju pret burgu, nëse shkaktoni

Finalja e “Conference League” është shoqëruar edhe me masa të forta sigurie nga autoritetet e sigurisë, të cilët kanë thirrur për ndihmë edhe kolegët holandezë.

Pas publikimit të masave nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme, Ministria e Jashtme e Holandës publikoi një njoftim, ku paralajmëronte tifozët e Feyenoord se çdo shkelje e ligjeve do të ndëshkohet në mënyrë të ashpër.

Duke qenë se tifozët ultras nga Roterdami njihen për “kulturën” e tyre problematike, informimi është bërë për të evituar çdo trazirë të mundshme dhe për t’i paralajmëruar mbështetësit e Feyenoord, që të shmangin çdo incident apo situatë problematike gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Në ndeshjet ndërkombëtare tifozët holandezë organizohen dhe shkaktojnë trazira, siç ndodhi pak vite më parë në Romë, ku pati incidente të shumta.

Sipas institucionit holandez, “policia lokale vepron në mënyrë strikte kundër krimeve, si përdorimi apo shpërndarja e lëndëve narkotike, por edhe ndezjes së fishekzjarrëve apo flakadanëve”. Për veprat e fundit, dënimi maksimal shkon deri në tre vjet heqje lirie.

Mes krimeve të dënueshme, që sipas Ministrisë së Jashtme holandeze tifozët duhet të tregojnë kujdes janë edhe agresioni fizik ndaj personit, prishja e rendit publik apo konsumi i alkoolit në hapësira publike.

Mënyrat e vetme e transportit në Tiranë janë me tren apo taksi, sepse nuk ka metro dhe tram, ka qenë një tjetër paralajmërim i Ministrisë së Jashtme holandeze.

Por më e çuditshmja, Ministria e Jashtme e Holandës paralajmëroi tifozët e këtij vendi që të bëjnë kujdes nga hajdutët e xhepave, të cilët mund të synojnë portofolat e mbushur me euro për qëndrimin në Tiranë.

Priten të mbërrijnë mbi 10 mijë tifozë holandezë, në Tiranë. Disa kanë ardhur  dy ditë para finales.

/Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH