Aktualitet

Miliona euro në infrastrukturë për me "ia nzi jetën" banorëve

Shkruar nga Liberale
Miliona euro në infrastrukturë për me "ia nzi

Filip Guraziu

Nxitja  për me realizue kët shkrim më erdhi gjatë muejit Gusht të këtij vjeti, ndërsa pritsha i bllokuem në makinë, midis nji vargu pambarim veturash, me përshkue rrugën prej qendres së Parrucës ( Shkodër) deri te rreth-rrotullimi  pranë Urës së Re mbi lumin Buna me gjatësi ma pak se 3 Km., për të cilën u desh gadi nji orë!

Shkaqet e kësaj vonese " pak të kandëshme"  janë disa...Përveç nevojës për nji  urë të dytë mbi lumin Drin, shkak kryesor  mbetet projektimi krejtësisht gabim i rreth-rrotullimit pranë Urës së Re të Bunës, diametri i të cilit asht rreth 10 m.! Ky "mini" rreth-rrotullim që asht projektue me sistemue trafikun rrugor, realisht nuk e sistemon , por e " dreqnon", mbasi e frenon tepër lëvizjen e mjeteve ( kujtojmë se nëpër kët rreth rrotullim  me diameter 10 m. janë të detyruem të kalojnë të tana mjetet rrugore që hyjnë në Shqipni prej veriut; Europës e Ballkanit prendimor).

Me vullnet, e profesionalizëm difekti i " mini"rreth-rrotullimit, ma siper tregue, mundet m'u sistemue  pa zhpenzime të mëdhaja, por duket se e " keqja e madhe"  i vjen qarkullimit të mjeteve motorrike në kêt aks rrugor prej nji tjeter rreth- rotullim. Asht fjala për rreth-rrotullimin që bashkon fluksin e mjeteve që dalin prej Shkodrës  në drejtim të Tiranës me fluksin e  mjeteve,  kryesisht kamiona transporti ndërkombtar që çdoganohen në pikën e Hanit të Hotit", por edhe të mjeteve të tjëra  që lëvizin nëpër " tangjencialen e " famëshme"  prendimore buzë liqenit të Shkodrës,  që simbas nji projekti tepër të debatuem ( edhe prej Kryeministri Rama) ndërhyn " randë" te rreth-rrotullimi  në pozicionin ku fillon territori i ish Pazarit të Vjeter të Shkodrës.

Në lidhje me projektin "tymnaj" të tangjenciales prendimore të Shkodrës për të cilin u shpenzuen  miliona euro, (projekt krejtësisht në kundërshtim me kërkesat bashkëkohore mjedisore, të ruejtjes së traditës lundruese, të përespektivës zhvillimore turistike të qytetit, por edhe në mungesën e " transparencës qytetare"( detyruese me kushtetutë), sepse askush në Shkodër nuk e ka dijtë e as nuk e din ecuninë e projektit, kujtoj se me iniciativen e Këshillit të Bashkisë Shkodër dhe  përkrahjen e  institucionit të Bashkisë  në vjetin 2016 u arrit nji ballafaqim në Shkodër për projektin e tangjenciales  me specialistat e Drejtorisë Qendrore të Infrastrukturës Rrugore-Tiranë. Me qenë se projekti në tanësinë e tij kishte marrë rrugë, kundërshtimi unanim dhe i pakompromis i Këshillit lidhej me mënyrën se si ishte projektue ndërhymja e këtij aksi ( tangjenciales prendimore) në aksin drejt Tiranës nëpër zonën historike të Pazarit të Vjeter ( i shkatërruem  në periudhën e diktaturës komuniste, sot lulishte dhe shetitore shumë e frekuentueme prej qytetarëve)

Patëm mbetë shtang , kur kuptuem, prej  specialistit projektues, se aksi rrugor i tangjencales, simbas projektit, bllokonte si nji mur gjigand me naltësi prej 2m. mbi shetitoren e sotme, krejtësisht pamjen mahnitëse të  lumit të Bunës tue shkatërrue njikohësisht Shetitoren si dhe Molon historike lumore të Shkodrës. Kujtojmë se ajo rrugë që do ti qëndrojë  "mbi krye" frekuentusave të panumurt të mjedisit të rrallë e të bukur të shetitores në lulishtes e Pazarit  tue i " spërkatë" me tymin e mjeteve dhe pluhnin e rrugës, ngushtonte edhe daljen e lumit të Bunës prej liqenit drejt detit, çka ishte dhe asht aboslutisht e papranueshme , sepse bahet shkaku primar i shtimit të përmbytjeve. Me nji fjalë, u paraqit nji projekt "rrumpallë"( prej miliona eurosh) i damshëm për përespektiven e qytetit te Shkodrës.

Me sa patëm kuptue, Kryeministri Rama, që u vue në dijeni mbi sa ma sipër, e pati ndalue vazhdimin e projektit me porosi që të studjoheshin zgjidhje alternative për ndërhymjen e fluklsit të mjeteve prej tangjenciales në aksin egzistues rrugor. E besuem kët porosi, sepse kaluen disa vjetë dhe nuk pati punime për vazhdimin e projektit në segmentin e diskutuem ma sipër. Mendojshim se po kërkohen zgjidhjet alternative ( simbas porsisë prej nalt), por kët vjetë (2021) kuptuem se paskemi qenë të gabuem. Projekti po vazhdon ashtu si pati qenë projektue; male zhavori janë vendosë në territorin e lumit dhe trasea e rrugës   shkatërrimtare po vazhdon ecjen e sajë drejt urës së Bunës !

Konkluzioni ? Nuk mbetë tjetër spjegim përveçse  indiferentizmit e nënvleftësimit së Qendres për Shkodrën.

Nuk asht nevoja me qenë specialist i fushë së ndërtimin rrugor për me dallue   variante alternative të projektit fillestar që plotësojnë  kushte të pranueshme.

P.sh., me interes  paraqitet devijimi i aksit simbas variantit të kalimit mbi urë në drejtim të rrugës së Shirokës tue e zgjanue rrugën  egzistuese së Shirokës deri te Ura e re  e Bunës , rreth 1km. e gjatë. Vetem kështu evitohet ndërhymja problematike në zonën e Pazarit të vjeter.

Dikush prej projektuesave mundet me thanë se kjo alternativë dihet, por nuk ka fonde për realizimin e sajë sepse kërkohen  financime shtesë...etj.

Pa tjeter që dihet, deri sa edhe unë e dij, asht përgjigja ime, por... si more z. qeveritarë   vetem për Shkodrën mungon  financimi? E kam shprehë edhe në nji shkrim tjeter, e po e përsëris:

   " Ne veriorëve na bahet ” zemra mal” kur kuptojmë investimet strategjike pro zhvillimit e rritjes se mirëqenies së shqiptarëve, se Shqipnia asht e të tanëve. Gëzohemi se Vlona u lidh me kryeqytetin me autostradë, se Vlona u ba me ” lungo mare” madhështore e me tangjenziale drejt jugut, se në Vlonë pritet të ndërtohet aeroporti ndërkombëtar si dhe porti i ri etj.  Po kështu gëzohemi që Saranda po ndërlidhet me nji rrugë të re bashkëkohore më Gjinokastren , që në Sarandë po ndërtohet nji ” lungo mare” e re cilësore , porti i ri turistik etj.  Ndihemi mirë kur kuptojmë se qindra milionë euro janë vue në dispozicion të rrugës së Arbërit e se po çahen male mbas malesh me tunele etj., por...,por për hir të së vertetës, krahas kënaqësisë, përjetojmë edhe ndjejën e diskriminimit,  sepse edhe veriu asht Shqipni, sepse edhe Shkodra ka nevojë për invesitime për me mbrojtë  hupjen e vlerave identitare dhe mjedisin natyror të rrallë që e rrethon.

Nuk  mbetet tjeter përveç thirrjes publike: "Qeveritarë mos e diskriminoni, mos e shkatërroni e mos e harroni Shkodrën"

"  Sa ma siper bahet " urdhnuese", sepse shkatërrimi i identitetit historik dhe i mjedisit rreth Shkodrës nuk asht pasojë e forcës së natyrës, por e pushtetarëve...

 (Shkrimi nuk ka lidhje me politikat partiake, kujtojme se projekti në fjalë si dhe fillimi i punimeve patën qenë aprovue në kohën e qeversië demokratike, kurse vazhdimi dhe përfundimi i përket qeverisë socialiste)

 

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH