Aktualitet

Mbi tiparet esenciale të një sistemi zgjedhor funksional

Shkruar nga Liberale
Mbi tiparet esenciale të një sistemi zgjedhor funksional

Florian Çullhaj, PhD

Nëse do të donim të arsyetonim në një nivel teorik, do të arrinim në konkluzionin se ekzistojnë një seri e pafund hipotezash e modelesh të ndryshme për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Por, pyetja që natyrshëm shtrohet këtu është se cili është funksioni i një ligji të ri? Cilat janë pritshmëritë e tij? Përgjithësisht, qëllimi kryesor i një ligji të ri zgjedhor është rilegjitimimi i sistemit demokratik kur ai shfaq deformime strukturore për arsye ekzogjene dhe endogjene.

Para se të analizojmë domosdoshmërinë e ndryshimit, nevojitet një sqarim teorik sintetik. Mund të argumentonim gjerësisht këtu, nëse ligjet elektorale të një republike demokratike duhet të ndryshohen me këtë frekuencë kaq të shpeshtë. Po ashtu, mund të argumentonim se si partitë gjejnë vullnet politik për të respektuar rregullat e lojës, sa ato janë në letër, por në momentin që duhet t’u binden forcës normative të tyre, gjithçka ndryshon në funksion të maksimizimit ad absurdum të pushtetit. Kjo do të ishte një analizë e mbushur me ide interesante për konfigurimin e formës së qeverisjes dhe gjithashtu të formës së shtetit. Edhe pse, që nga sot, vullneti politik për respektimin e rregullave të lojës pavarësisht rezultatit, është i vetmi fakt që nuk duhet të injorohet dhe nuk është aspak e tepërt që të kritikosh në një nivel teorik, ato pozicione politike që nuk e marrin në konsideratë këtë faktor. Sidoqoftë, nuk është ky momenti për tu thelluar në analiza teorike.

Për t’u rikthyer tek ndryshimi i sistemit zgjedhor, duke dashur të jemi realist, disa modele duken apriori të pa aplikueshme në realitetin shqiptar. Përkatësisht, sistem mazhoritar është i pamundur që të funksionojë në Shqipëri sepse kërkohet prania e dy faktorëve vendimtarë. Së pari, një kulturë politike liberale dhe demokratike e bashkëndarë në nivel popullor dhe së dyti, një sistem politik, i cili konfigurohet nga ato parti që kultura e tyre e brendshme është e udhëhequr nga besnikëria ndaj parimeve kushtetuese. Dy kushte që për një larushi rrethanash, në rastin më të mirë janë thuajse embrionale në Shqipëri. Për këtë arsye, faza politike që hapet në mënyrë të pashmangshme çon në adoptimin e një sistemi zgjedhor proporcional rajonal me lista të hapura, i cili plotëson parime të qenësishme demokratike dhe kushtetuese.

Kalimi në këtë lloj sistemi është më objektiv sepse plotëson tre kushte esenciale. Së pari, plotëson parimin kushtetues të pluralizmit politik dhe jep liri përfaqësimi edhe për subjekte të reja; së dyti, krijon një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë të votuesit me përfaqësuesin e tij politik dhe jo më me partinë; dhe së treti, listat e hapura, e vendosin votuesin në kushte përgjegjshmërie për cilësinë e zgjedhjes së deputetëve që do të bëjnë. Pra, objektivi kryesor këtu është rilegjitimimi i sistemit demokratik, për t'i dhënë fund kulturës parapolitike dhe antikushtetuese të viteve të fundit. Për pasojë është i nevojshëm një sistem zgjedhor që rikthen besimin në marrëdhëniet midis votueseve dhe të zgjedhurve duke filluar nga rrënjët territoriale të përfaqësimit.

Që Shqipëria të mos jemi më pjesë e atyre vendeve, ku në çdo dekadë nevojitet ndryshimi i sistemit zgjedhor. Ku ligji zgjedhor, nuk shihet si një mjet për të kontribuar në funksionimin e institucioneve dhe rrjedhimisht, të vendit, por si një mjet për të eliminuar kundërshtarët politikë. Në parim, procesi zgjedhor duhet të çojë në formimin e një mazhorance që është në një farë mënyre shprehje e vullnetit popullor, dhe siç parashikohet nga Kushtetuta sistemi duhet të ketë pluralitet, asnjë mazhorancë, cilado qoftë ajo, nuk duhet të vendoset në pozita dominuese. Ligji zgjedhor duhet të jetë në përputhje me këto parime dhe modeli i sipërcituar është më afër përmbushjes së tyre. Pas vendosjes së qartë të rregullave të lojës, duhet vetëm vullnet politik për ti respektuar ato. Nuk ka rëndësi kush fiton apo humbet, rregullat e lojës nuk duhet të ndryshojnë në varësi të humbësit të radhës.

Si përfundim, nevojitet një konsensus i gjerë i arritshme vetëm siç thoshte Rawlsi përmes “tisit të padijes”. Pra, pavarësisht nga rezultati i pritshëm, gjithsekush nga aktorë politik duhet të ruajë pozicion neutral në përpilimin e ligjit zgjedhor. Përkatësisht, shumica në pushtet – edhe pse kushtetuese e legjitime, politikisht ka nevojë për verifikim – duhet ta shmangë me sa të mundet qëndrimin refraktar dhe ndërhyrës. Për të zgjeruar bazën e legjitimitetit politik, qeveria duhet të sigurojë një përfshirje sa më të gjerë të opozitës dhe të të gjithë aktorëve të tjerë në përpilimin e draftit të ligjit. Ndoshta, nuk do të ishte e gabuar ideja e një referendumi, në mos konfirmues, të paktën konsultues, i cili, do të shuante çdo polemikë mbi kastën politike e cila qëndron e mbyllur ndaj gjykimit të popullit./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH