Mario Mitaj ka përfunduar në qendër të merkatos në Itali në ditët e fundit, pasi Juventusi duket se e ka seriozisht interesim për të. Shqipëria luajti me Kilin në Parma, ku Mitaj ishte i vëzhguari special nga drejtuesit e Juves.
“Zonja e Vjetër” ka nisur të punojë për sezonin e ri, ku kërkon të bëjë disa ndryshime. Anësori kuqezi, duke iu referuar edhe fjalëve të Sylvinho-s ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë.
Tanimë Tuttosport në Itali bën me dije se rusët kërkojnë 8-10 milionë euro për të. Verën e 2022 ata e morën djaloshin për 3 milionë euro nga AEK-u i Athinës dhe në dritaren e transferimit të dimrit 2024 refuzuan 4 milionë euro nga Dinamo e Zagrebit për të.
Në Evropian, Mitaj do të jetë në vitrinën e rëndësishme pasi Shqipëria do të luajë kundër ekipeve të mëdha si Italia, Spanja dhe Kroacia, për këtë është i qartë edhe Giuntoli i cili nuk dëshiron të humbas kohë dhe ka nisur kontaktet e para me drejtuesit e Lokomotivë Moskës.