
Pneumonia ishte shkaku i vdekjes së aktorit të njohur hollivudian Val Kilmer, ka raportuar TMZ.
Ylli i njohur, i cili u bë i famshëm me rolet e tij në filmat “Top Gun”, “The Doors” dhe “Batman Forever”, ndërroi jetë më 1 prill në Los Angeles, në moshën 65 vjeçare.
Sipas dokumenteve zyrtare, shkaku i menjëhershëm i vdekjes ishte pneumonia, por janë përmendur edhe disa faktorë të tjerë që kontribuan, si:
Dështimi akut i frymëmarrjes
Dështimi kronik i frymëmarrjes
Karcinoma me qeliza skuamoze në bazën e gjuhës (një lloj kanceri që Kilmer e kishte pasur më parë)
Kequshqyerja
Trakeostomia (një procedurë kirurgjikale për të lehtësuar frymëmarrjen)
TMZ ka raportuar gjithashtu se aktori është kremuar më 7 prill.
Lajmin për shkakun e vdekjes e bëri të ditur vajza e tij, Mercedes Kilmer, për gazetën The New York Times, duke konfirmuar se babai i saj ishte diagnostikuar me kancer të fytit në vitin 2014, por kishte arritur të shërohej.
Val Kilmer e nisi karrierën e tij në kinema në vitin 1984 me komedinë “Top Secret!”, por fama ndërkombëtare i erdhi me rolet e tij si Jim Morrison në filmin biografik “The Doors” (1991), Batman në “Batman Forever” (1995), Iceman në “Top Gun” (1986), dhe më vonë në filmin “Top Gun: Maverick” (2022), ku pati një moment shumë emocional me aktorin Tom Cruise.
Në një intervistë për “Jimmy Kimmel Live!” në vitin 2023, Cruise e përshkroi ribashkimin me Kilmerin si "jashtëzakonisht emocional".
“Ai është një aktor aq i fuqishëm, sa menjëherë u shndërrua në karakterin që i kërkohej ta interpretonte,” tha Cruise.
/Liberale.al