Artistja e mirënjohur, Aurela Gaçe, ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me show-n më të ri që do të vijë në ekranin e Top Channel, “AG Show”, dhe gjithashtu ka zbuluar 2 projekte të reja surprizë.
"Shumë shpejt, ndoshta në fund të shkurtit do të fillojë. “AG Show” është një lloj formati me të cilin unë kam disa vite që paraqitem para publikut në ‘live’-t, koncertet dhe shfaqjet e mia. Në këtë rast do të ketë diçka më shumë se sa thjesht muzikë. Është një format që nuk shpjegohet me fjalë por duhet parë. Duhet shijuar", thotë Aurela.
Artistja tregoi se ajo do të jetë prezantuesja e show-t dhe shtoi më tej se:
"Tanimë njerëzit e kanë parasysh që Aurela jo vetëm këndon. Unë jam shfaqur në publik qysh në rininë time të hershme. Jam shfaqur jo vetëm si këngëtare, e kam ngacmuar edhe pak aktoren dhe moderatoren. Kush më ka parë live në programet që unë bëj e dinë shumë mirë që unë jo vetëm këndoj, por edhe ngacmoj edhe aktroj, bëj humor edhe më pëlqen të mos e mbyll veten time në një kuadrat. E kam shfaqur këtë gjë nga pak."