Festivali Shqiptar i Letërsisë mblodhi në Lezhë autoritete të njohur të letërsisë shqipe, autorë fitues të çmimeve kombëtare e lokale, studiues, kritikë dhe maturantë nga gjithë Shqipëria.
Rudolf Marku, Preç Zogaj, Natasha Lako, Besnik Mustafaj, Mimoza Ahmeti, Gani Mehmetaj, Vera Bekteshi, Virgjil Muçi, Luljeta Dano e Dionis Prifti u bënë pjesë e diskutimeve e bashkëbisedimeve me të rinjtë, duke sjellë në vëmendje problematikat reale, të qenësishme të letërsisë e fushës së botimeve, si dhe duke rekomanduar propozime konkrete për të shtruar një rrugë të re zhvillimi dhe ruajtje të traditës.
Ndërtimi i politikave dhe mekanizmave nxitës për shkrimtarët dhe krijuesit, licencimi i profesionit të redaktorëve dhe korrektorëve letrarë, ndërtimi i institucionit të kritikës, mbështetja financiare institucionale, përkthimi i autorëve shqiptarë në gjuhë të huaja, digjitalizimi, hapja dhe pasurimi i bibliotekave e librarive në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, ishin disa prej çështjeve të diskutuara, të cilësuara si pikat nevralgjike ku duhet ndërhyrë për të çuar në një stad të ri letërsinë dhe gjuhën shqipe.
Gjatë ditës së parë, në seancën hapëse të festivalit, autorët folën për letërsinë aktuale dhe mungesat e saj sot në Shqipëri. Duke e quajtur një aktivitet të rëndësishëm për të ardhmen, poetesha dhe skenaristja, Natasha Lako, tha se festivali është një festë për zhbirime të thellësive e pasurive të reja të letërsisë shqipe. “Pa të rinjtë, pa atë që do të vijë nuk do të ketë thellësi, nuk do të ketë mendim kritik, të cilat janë problematike sot në Shqipëri.”
Lako preku ndikimin e ardhur nga Inteligjenca Artificiale, e cila ka dalë nga kontrolli njerëzor sepse di më shumë se njeriu. Por nga ana tjetër ajo nënvizoi faktin se ofrohen mundësi të shumta për informim, duke ngritur kështu edhe ngërçin tjetër, atë të mosrespektimit të të drejtës së autorit.
“A duhet të kemi letërsi?”, ishte pyetja që ngriti poeti e publicisti Preç Zogaj, duke u përgjigjur se politikat kulturore për librin, për të drejtën e autorit, mjedisin ku zhvillohet jeta letrare në vendin tonë tregojnë krejt të kundërtën.
“Duhet të kemi letërsi dhe s’mund të kemi gjë tjetër...gjuha na identifikon dhe me gjuhën që nuk e flasin të tjerët mund të bëjmë diçka jo vetëm për veten, por edhe për historinë e letërsisë botërore”, theksoi Zogaj.
Duke qenë se poezia dhe gjuha shqipe fillon hershëm me Pjetër Bogdanin, “Çetën e profetëve” dhe Sibilat e tij, sipas Zogajt, letërsia shqipe nuk duhet të mungojë sot, madje ajo duhet të punojë më fortë për të bërë emrin e vet në arenën letrare ndërkombëtare.
Përkthyesi Virgjil Muçi tha se shkrimtarët duhet të mbështesin njëri-tjetrin duke lexuar veprat e tyre, për të kuptuar se ku gjendet gjithsecili në krijimtarinë e tij. Duke qëndruar skeptik ndaj sondazheve që tregojnë se në Shqipëri lexohet pak, Muçi tha se lexuesi nuk ka detyrime ndaj autorëve.
“Jemi ne borxhlinj ndaj jush në kuptimin që duhet të shkruajmë letërsi më të mirë. Unë personalisht këtë përpiqem të bëj në ato që shkruaj dhe botoj. Letërsia ka një specifikë që nuk e gjen në asnjë veprimtari tjetër: dimensionin e lirisë”, theksoi Muçi.
Poetja Natasha Lako tha se arti i thellë, i bukur nuk bëhet i rënë shkurt, dukë përfituar e duke u bërë kopje e një ideje, e një interesi.
“Rrini të zona e vogël nëse doni të bëheni të mëdhenj. Sepse të jesh i madh, nuk do të thotë të jesh i madh për të tjerët. Ai uniteti organik midis shenjës, konceptit, eksperiencës duhet të jetë i tillë që mos hyjë asgjë brenda.”
Ajo këshilloi të rinjtë të lëvizin brenda zonës së tyre e të shpëtojnë nga implikimet bëhen duke marrë përsipër të punojnë me algoritmin e të tjerëve e duke menduar se është algoritmi i tyre.
I ardhur në letërsi pas eksplorimit të kinematografisë, autori nga Kosova Gani Mehmetaj, fituesi i Çmimit Letrar Kadare 2021, tha se krijimtaria e tij është lidhur me emrin e Pjetër Bogdanit. Kjo për faktin se vepra e parë që ka shkruar dhe çmimi i parë me të cilin është vlerësuar mbanin emrin e tij. Së fundi, ai rrëfeu se i është rikthyer kinematografisë për të sjellë një dokumentar për presidentin e parë të Kosovës së lirë, Ibrahim Rugovën, njëkohësisht autori i parë që ka shkruar për Bogdanin.
“Ka shumë dokumente në Vatikan dhe kam biseduar me drejtuesit për të ndriçuar jo vetëm Pjetër Bogdanin, por edhe Rugovën, si dy nga personalitetet më të rëndësishëm që për mua janë lënë në harresë dhe duhet të ringjallen.”
Vera Bekteshi, e para grua që fitoi Çmimin Letrare Kadare në 2022-in, autore e disa romaneve me elementë biografikë, foli për përpjekjen që kalon çdo autor në rrugën e mundimshme të krijimit. Ajo iu bëri thirrje të rinjve që të lexojnë sa më shumë, pasi përmes tij do të kenë mundësi të jetojnë qindra jetë.
Si përfaqësuesi i brezit të ri të letërsisë shqipe, Dionis Prifti tha se procesi i të shkruarit, sa i mundimshëm është aq edhe sjell kënaqësi për autorin. Por kushdo që hap dritaren e librit, e ka të pamundur të rrijë pa shkruar dhe pa lexuar. Duke u ndalur te filmi, si njohës i kinematografisë dhe regjisor i ri, ai tha se në Shqipëri ka nevojë edhe për skenarë filmi, ndërsa për të rinjve që duan të vazhdojnë këtë rrugë, u rekomandoi të shohin sa më shumë filma cilësorë nga emra të njohur të kinematografisë jo vetëm asaj botërore, por edhe asaj që gjendet rreth e rrotull vendit tonë.
Autori Besnik Mustafaj tha se preferon të lexojë letërsinë shqipe për të kuptuar se çfarë qarkullon në botën e shkrimeve dhe të botimeve. Ai kërkoi nga kolegët e vet më shumë angazhim, më shumë diskutime, kritika letrare e dhënie mendimesh për të veçuar, diferencuar apo për t’i dhënë vendin që duhet çdo vepre. Mustafaj tha se është skeptik ndaj ndërhyrjes së shtetit, përveçse për dhënien e ndihmës financiare, duke theksuar se duhet të forcohen institucione të caktuara për të çuar para nisma të nevojshme e për të zgjidhur probleme aktuale. Duke u ndalur më gjatë te përkthimi, ai tha se në Shqipëri përkthehet më shumë se në vendet e tjera, por mungojnë filtrat, sistemet e sugjerimeve për lexuesit.
Dita e dytë e Festivalit Shqiptar të Letërsisë ishte më impenjative, përmes diskutimeve për letërsinë, bisedës me autorët dhe trajnimeve. Poeti, romancieri, eseisti dhe përkthyesi Rudolf Marku, përmes pyetjeve dhe kureshtjes së të rinjve, zbuloi dimensione të karrierës, letërsisë dhe veprës së tij. Ai rrëfeu se të shkruarin e filloi pas nxitjes së fortë që mori nga librat e fëmijërisë, Mark Twain e Daniel Defoe.
Marku tha se fakti që sot, në kohë e elektronikës dhe Inteligjencës Artificiale, ka ende të rinj që preferojnë librin dhe leximin, është shpresëdhënës. Mes librave të tij, ai veçoi si veprën më të mirë “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, i cili ka fituar gjithashtu edicionin e parë të Çmimit Kadare.
Të rinjtë pjesëmarrës të këtij festivali u bënë gjithashtu pjesë e workshop-it “Think outside the box”, ku pedagogu dr. Ermir Nika foli për edukimin dhe industrinë kreative, duke u ndalur specifikisht te skenari, filmi, letërsia, reklamat, public speaking, rëndësinë e këtyre fushave në ditët që jetojmë dhe elementët e domosdoshëm që duhet të ketë një profesionist i ardhshëm. Pedagogia dr. Elsida Sinaj foli më tej për programet që ofrohen në UET, në shkencat humane, komunikimit, marketingut dhe ato të arteve, të tilla si Artet Pamore, Artet Skenografike dhe ato Muzikore.
Po ashtu, pas bisedave, diskutimeve, inspirimeve të marra indirekt gjatë festivalit, të rinjtë u bënë pjesë e kompeticionit të shkrimit të një eseje me temë “Letërsia në epokën digjitale”. Mbështetur në idetë, qasjet dhe këndvështrimet e hedhura në letër, tre prej tyre u vlerësuan me bursa studimi nga Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës.
Ky festival u organizua nga shtëpia botuese UET PRESS, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, Hotel Princ, Universitetin Europian të Tiranës, Institutin Liberal të Tiranës Pashko, Akademinë e Studimeve Shqiptare dhe Gazeta Liberale. Duke vijuar traditën e Ditëve Letrare të Razmës, themeluar në 2014-ën, tashmë në një format më të zgjeruar e gjithëpërfshirës për krijimtarinë dhe botën letrare, Festivali Shqiptar i Letërsisë synon të kthehet në një pikë referimi për të gjithë autorët, përmes përfshirjes, promovimit, nxitjes së ndryshimeve për të zhvilluar më tej gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Eventi do të jetë i përvitshëm dhe do të mbahet fundjavën e fundit të muajit prill.