Franz Kafka, autor i romaneve aq shumë të lexuar e të pëlqyer në mbarë botën, i cili ndoqi gjurmët e Kierkegaard, e përshkroi ekzistencën njerëzore si kërkimin për një realitet të qëndrueshëm, të sigurt dhe rrezatues të cilit njeriu vazhdimisht i shmanget. Ai e vendos njeriun si të kërcënuar nga një aktgjykim fajtor, brenda një mjedisi për të cilin nuk di as arsyen dhe as rrethanat, por kundër të cilit nuk mund të bëjë asgjë - vendim që përfundon me vdekje (Der Prozess [1925; Gjyqi]).
Tezat e ekzistencializmit bashkëkohor më tej u përhapën dhe u popullarizuan nga romanet dhe dramat e Sartre (Sartrit), shkrimet e romancierëve dhe dramaturgëve francezë Simone de Beauvoir - filozof i rëndësishëm i ekzistencializmit - si dhe nobelisti i famshëm, Albert Camus (Kamy). Në L'Homme révolté (1951; Rebeli), Camus e përshkroi “rebelimin metafizik” si “lëvizjen me të cilën një njeri proteston kundër gjendjes së tij dhe kundër gjithçkaje të pakuptimtë rreth tij”.
Adhuruesit dhe lexuesit e librit mund të jenë njohur gjerësisht dhe mund t’i kenë lexuar veprat e autorëve më të shquar të ekzistencializmit, por mund të mos e kenë vënë re që Camus dhe Sartre do të njiheshin e do të spikasnin në letërsinë botërore, si autorë të kësaj rryme edhe më vonë se Sterjo Spasse. Për temën ekzistenciale të shkrimtarit Sterjo Spasse është shkruar shumë, por ka gjithmonë po aq shumë për të shkruar, për të thënë, nga vepra e tij, sa e larmishme aq edhe e pazakontë për kohën dhe mjedisin në të cilën është shkruar. Romani është shkruar në një kohë dhe në një mjedis ku rreth 90 për qind e popullsisë nuk dinte shkrim dhe as këndim.
A nuk përballemi ne vazhdimisht me një botë absurde. Kur jo më larg se në javët e fundit lajmet informojnë publikun se një polic u arrestua në Gramsh ngaqë shkoi deri aty sa kishte grabitur të arrestuarin. Ka pasur plot raste në spitalet e çdo vendi ku mjeku është denoncuar se i ka kërkuar para pacientit, edhe pse e ka ditur që i sëmuri është i pamundur financiarisht dhe në ditët e fundit të jetës. Ka po aq raste kur një ligjvënës i korruptuar harton ligje dhe vendos rregulla, me qëllim për të frenuar korrupsionin. Dhe kur në vend të punës në jo pak raste paguhet dhe vlerësohet e kundërta e saj. Dhe është kjo arsyeja, sa herë që shqiptarët ndodhen para ‘’pse-ve’’ enigmatike, dorëzohen dhe thonë: ’’Pse-në nuk e gjeti as Sterjo Spasse.’’
Sterjo Spasse e vlerësonte shumë figurën misionare të mësuesit. Për të, arsimi ka në dorë fatin e një shteti, të një kombi, të zhvillimit të vërtetë, dhe është timoni i burrave të ardhshëm të një vendi në kërkim të progresit. Pasi mbaroi Normalen e Elbasanit, në shtator të vitit 1932, ai emërohet si mësues në fshatrat e Gjirokastrës. Autori pas shkollimit i duhej të sakrifikonte për të mbajtur familjen, që sipas disa dëshmive ishte zhytur në një borxh, i shkaktuar dhe i akumuluar edhe për shkak të padrejtësisë ose pangopësisë së disa prej zyrtarëve të kohës që nuk kishin qëllim tjetër veç pasurimin në kurriz të të tjerëve. Në vend që të luftonin prapambetjen dhe skllavërimin e pjesës më të madhe të shoqërisë. Autori, përmes vështirësive për të përballuar jetën, ka një histori tjetër po aq befasuese. Ishte vetëm 22 vjeç kur nisi të shkruante romanin e parë shqip me tematikën e ekzistencializmit.
Pikërisht në rininë e tij të hershme dhe në mjegullnajën e shumë dilemave, në darkën e 7 majit të vitit 1933, në Derviçan të Gjirokastrës Sterjo do të nisë të shkruajë romanin e tij të famshëm, fillimisht me titullin ‘’Nga jeta në jetë, Pse?!’’. Romani që më vonë u quajt shkurt “Pse?!”, i përfunduar dhe i botuar në vitin 1935, konsiderohet romani i parë filozofik i rrymës ekzistenciale, i shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Nga fundi i vitit 1934, Sterjo Spasse u transferua në vendlindje dhe nisi punën si mësues në Voskopojë, ku përfundoi romanin e famshëm "Pse".
Nga vetë titulli i romanit “Pse” autori shtron pyetjen që kërkon përgjigje, ose thënë më saktë është pyetje dyshuese që kërkon arsye. Arsyen që e kërkon protagonisti kryesor i romanit, Gjon Zaveri, përmes pyetjes “Pse” është jo për vetën e tij, por për të gjithë e për çdo gjë në jetë. Kështu romani ka tematikë sa filozofike, po aq edhe sociale. Është filozofike sepse trajton çështje ekzistenciale. Është sociale sepse trajton traditën, doket e zakonet në shoqërinë shqiptare. Gjon Zaveri është imazhi i figurës njerëzore, që përballet me një botë shpesh absurde ku vlerat dhe virtytet bëhen të parëndësishme. Pra, çdo gjë që e rrethon Gjon Zaverin është një “pse” për të cilën ai nuk gjen dot të një përgjigje. Gjoni kërkon në vend të revolucionit dhe kryengritjes evolucionin normal, është për një rend të ri dhe për një botë më të drejtë, më të arsyeshme dhe me kuptim. Por si do të mund t’ia arrijë? Ai përfaqëson idetë e reja që për komunitetin ku jeton janë sa të çuditshme, po aq edhe të panjohura.
Gjoni i nënshtrohet zakonit sepse forca e kolektivit del triumfuese thuajse gjithnjë mbi individin. Ai duket sikur me guxim i ka dalë para dhe kërkon të ndryshojë rrjedhën e një lumi të rrëmbyeshëm. Duke qenë i vetëm, kërkon ndihmën e të tjerëve, në këtë rast të shoqërisë. Por përballet me një shoqëri të prapambetur, zakonore, e papërgatitur për të përqafuar të renë, modernen, të duhurën, bashkëkohoren. Për të përballuar sfidat e kohës.
Gjon Zaveri i Sterjo Spasse për shumë kritikë letrarë ngjason me personazhin Dija të Haki Stërmillit, i cili kërkon ndryshimin - por në vend që të sjellë ndryshmin e premtuar mbytet nga mospajtimi dhe paragjykimet, në një shoqëri që nuk pajtohet lehtë me ndarjen nga e kaluara e saj, e prapambetur. Refuzimi është shpesh përbuzës, ndonjëherë vrastar. Idetë e tyre, në betejë përballë absurdit, nuk fitojnë. Në përpjekje për një botë më të mirë dhe një shoqëri më të drejtë, ata zhyten në një botë pa kuptim, dhe i vuajnë pasojat deri në shkatërrim.
Personazhi i Spasse simbolizon vet-sakrifikimin për t'i dhënë fund vuajtjeve pa mbarim dhe shërben si një kujtesë për të luftuar me absurdin dhe padrejtësitë përmes dijes dhe rrugës së drejtë, qoftë ajo edhe e pashkelur më parë. Me mjeshtëri autori ka shprehur refuzimin e njeriut të virtytshëm për t’u pajtuar me një botë të udhëhequr nga interesa të ngushtë të një grushti njerëzish që për privilegje të pamerituara, mbajnë peng shoqërinë dhe e vendosin atë shpesh kundër atyre të cilët ngrenë “krye” ose ngrenë qoftë edhe kundërshti.
Nëse romani “Pse” i Sterjo Spasse merret në krahasim me veprat të letërsisë botërore, sipas kritikëve të tjerë, ai shfaq absurditetin e tij ndaj jetës njësoj si Merso i Albert Camus dhe ai vuan po aq sa Djaloshi Verter, i Gëtes. Pakuptimësia e qenies njeri dhe jeta e pakuptimtë e shpien Gjon Zaverin drejt asaj që nuk ka më kthim: vdekjes. Fundi i Gjon Zaverit është si fundi i Verter. Në romanin e Spasse, Gjoni, nuk pajtohet me fatin e tij, nuk pajtohet me humbjen dhe prandaj zgjedh vetëvrasjen.
Sterjo Spasse (lindur në Gllomboç 14 gusht 1914 - dhe ndërroi jetë në Tiranë më 12 shtator 1989), konsiderohet një ndër romancierët e parë modern shqiptarë. I biri, Ilinden Spasse, solli pak kohë më parë për lexuesin librin “Im atë, Sterjo!”, një botim i “UET Press”.
Përmes librit biografik, Spasse i “Pse”-së së famshme vjen përgjatë gjithë rrugëtimit të jetës së tij, të shkruar prej të birit, në momentet e tij më të rëndësishme, qofshin ato personale, si martesa, lindja e fëmijëve, shkollimi, rrugëtimet jashtë shtetit, problemet e vogla familjare, deri tek ato profesionale si kritik, dhe e gjithë karriera si mësues e shkrimtar.