Letërsi

FESTIVALI SHQIPTAR I LETËRSISË, Preç Zogaj: Gjuha shqipe ka potencial për të krijuar vepra të mëdha letrare

Shkruar nga Liberale

FESTIVALI SHQIPTAR I LETËRSISË, Preç Zogaj: Gjuha shqipe ka

Nga Preç Zogaj*

A duhet letërsia? A duhet të kemi letërsi?

Pyetja është provokuese. Patjetër që duhet të kemi. S’mund të kemi gjë tjetër më të mirë. (Kjo fjali e fundit duket e tepruar ndoshta). Jemi një vend i vogël. Diellin, ajrin, klimën, biodiveristetin, e tjerë i ndajmë me tërë botën. Bota ndan me ne shpikjet dhe arritjet e mahnitshme. Gjuhën e kemi tonën. Paraardhësit tanë e futen atë në qytetërim përmes letërsisë. Letërsia më e mirë ka vazhduar e vazhdon të çojë vendin në civilizim përmes gjuhës. Gjuha është marka jonë.
Pyetja “a duhet të kemi letërsi” është pra retorike. (Të thuash jo është tmerr).

Por ka sens të shtrohet në kontekstin e keqkuptimit gjithnjë e më evident për poezinë dhe prozën si një sport popullor pa standarde. Lidhur me këtë epidemi ka sens të shtrohet për politikën shtetërore për librin dhe letërsinë në vendin tonë. Më saktë për mospolitikën. Që sikur na thotë punë e madhe që nuk kemi letërsi.
Politika kulturore në shoqërinë e hapur nuk mund të eliminohet me justifikimin se gjithçka e zgjidh liria, tregu, konkurrenca. Po të ishte kështu s’do të kishim nevojë as për politikë për bujqësinë, e tjerë e tjerë.

Një nga problemet e mëdha, që thërrasin në kauzë me urgjencë një politikë kulturore perëndimore në vend, është gjendja rifugio e produksionit letrar, mungesa e instrumenteve të promovimit dhe rekomandimit të letërsisë së mirë.

Leon Tolstoi ka një tregim alegorik në të cilin, një dërgatë djajsh të rinj shkojnë dhe zgjojnë nga letargjia treqind vjeçare kryedjallin e mundur dikur përballë së mirës për t’i raportuar se djallëzia është duke i rifituar zotërimet e humbura. Secili prej djajve i raporton si të ishin një kabinet qeveritar se si po ia dalin të kthejë të keqen në fushat respektive. Djalli i librit, (domethënë Ministri i Kulturës), raporton se sekreti që ai ka gjetur është masivizimi. Domethënë të shkruajnë të gjithë, të botojnë të gjithë. Sepse kështu shkatërrohet shija dhe humbet letërsia.

Jam përpjekur t’u argumentoj zyrtarëve të kulturës në qeveritë e këtyre viteve se politika kulturore duhet të përkthehet në një fjalë: cilësi. Se tre libra të mirë i bëjnë mirë shoqërisë, ndërsa treqind grafomanë që promovohen njëlloj si librat e mirë në një sistem pa kritikë letrare i bëjnë shumë keq. Unë nuk paragjykoj amatorët. Liria për të shkruar e botuar është e garantuar. Por këtu hyn në lojë politika kulturore në mbështetje të cilësisë, talenteve, vlerave.

Qeveria jep shumë-shumë pak për librin. Nuk ka një projekt për të mbështetur formimin e kritikëve dhe studiuesve të letërsisë. Kritikët, eseistët, njohësit e letërsisë janë shumë pak të interesuar të qëmtojnë nga rifugjioja librat e mirë dhe të shkruajnë për to. Sepse nuk paguhen. Shkrimtarët nuk mbështeten në asnjë lloj forme. Le të mos shkojnë më larg se në Prishtinë për të marrë një përvojë ndryshe në mbështetje të autorëve dhe librit. E pamjaftueshme edhe atje, sipas kolegëve që njoh unë, por ku e ku më mirë se në Shqipëri. Por ç’ta zgjas me krahasime. Në Shqipëri Ministria e Kulturës është futur si sanduiç midis ekonomisë dhe Inovacionit. Të duket sikur ka dalë tepër e po shkon drejt mbylljes.

Thënë këto, letërsia nuk është dorëzuar. Të shkruarit është vokacion i autorëve, shtëpitë botuese janë sipërmarrje të lira, që mbijetojnë gjithsesi në kushte të vështira, duke i paguar haraç mungesës së politikave për librin dhe të shkruarit. Ka shumë pak diskutime si ky që po nis në këtë festival ku të diskutohet për gjendjen dhe tendencat e letërsisë në dinamikë. Sidomos të letërsisë që shkruhet nga të rinjtë.

Ky festival nisi me një pyetje drejtuar maturantëve që kanë ardhur këtu me aplikim nga rrethet letrare të gjimnazeve. Çfarë dinë ata për Pjetër Bogdanin? (Kam frikë se po të pyesim për emra të gjallësh do të përballemi me të njëjtën heshtje varri). Njoh poetë të rinj, kam komunikim me disa prej tyre, gjej në krijimet e tyre vargje të mrekullueshme, si për shembull “ndoshta hijeshia e njeriut s’na shkon më” (Liza Brozi) apo “Me ra dashnia jote si rrezja e diellit në fytyrë…/ tash e kam kuptu se shpirti ka moshë/ Me ty po rritet (Arlinda Arli) e plot të tjerë.

Por dalloj herë-herë një njohje të kufizuar të trashëgimisë letrare kombëtare e ndërkombëtare. Në rininë time, në kushte ekstremisht të vështira, kërkonim me etje të njihnin e lexonim çfarë ishte shkruar e shkruhej në botë. Në Shqipëri po se po. Poezia lind nga poezia. Ekzigjencat ushqehen me lexime. Kuptimi i lartë për poezinë dhe prozën formohet nga leximet e veprave të mëdha.
Me ciklin e tij për Sibilat në fund të librit të parë të strukturuar në gjuhën tonë, “Çeta e profetëve” (1685), autori Pjetër Bogdani e vendos shqipen poetike në afreskun e poezisë së madhe të njerëzimit. Katër shekuj më vonë Ismail Kadare bëri të njëjtën gjë me prozën.

Një grup studiuesish e poetësh në Universitetin e Dallas-it në SHBA, ku shquhej poeti Frederik Turnes dhe ku bënte pjesë poeti shqiptar Gjekë Marinaj, e ka klasifikuar shqipen si një gjuhë me potenciale për një shpërthim të ri, sidomos në poezi. Kohët e reja janë plot me sfida për komunikimin në kuptimin e gjerë të fjalës, por unë besoj në profecinë e mësipërme: Gjuha jonë ka potenciale për të krijuar vepra të mëdha letrare.

*Nga diskutimet në Festivalin Shqiptar të Letërsisë, i cili u zhvillua në Shëngjin, Lezhë, në datat 18-20 prill, 2025

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH