Aktualitet

Liridon Mulaj, shkrimtari i ri që çoi panairin te lexuesi

Shkruar nga Liberale

Një panair libri i organizuar për herë të parë në Kamzë, me synimin për ta çuar librin te lexuesi e për të ndërtuar ura në komunitet. Organizatori i tij, shkrimtari dhe studenti i UET Liridon Mulaj zbulon impaktin që solli te qytetarët, një ngjarje që bëri bashkë më shumë se 30 autorë dhe 22 shtëpi botuese

Nëse autorë si Fatos Kongoli, Diana Çuli, Namik Dokle, Besnik Mustafaj, Vera Bekteshi, Primo Shllaku apo Enkel Demi ndodh të shihen bashkë, kryesisht në Panairin e përvitshëm të Librit në mjediset e Pallatit të Kongreseve, Liridon Mulaj pati idenë t’i mblidhte ata në Kamëz.

Një festë tri ditore e letërsisë, ku nuk ishte libri që iu afrua lexuesit, ndryshe nga tradicionalja ku është ky i fundit në kërkim të autorit.

Si këshilltar për Artin dhe Kulturën, shkrimtari i ri vendosi ta sillte këtë panair të librit edhe si një testim të impaktit që do të kishte tek qytetarët. “E gjithë kjo nismë erdhi për arsye se në Kamëz prej kohësh punohet me një strategji të mirëfilltë që orientohet nga të rinjtë , ku dua të përmend aktivitetet e shumta në shërbim të tyre si; fushata “ Karrierat frymëzojnë”, “ Lexojmë për ju vogëlushë” etj. Shtoji kësaj dhe bonusin e ekselencës që Bashkia Kamëz jep për nxënësit ekselentë të të gjitha niveleve…”, rrëfen Mulaj, i cili gjithashtu është student i Universitetit Europian të Tiranës.

E gjithë kjo rrëfen ai pas përfundimit të kësaj ngjarjeje kulturore të mbajtur nga data 13 deri më 15 maj, ka sjellë një vetëdijesim të shoqërisë për rëndësinë e arsimimit dhe dijes, që vijnë kryesisht nëpërmjet të lexuarit dhe të studiuarit. “Kështu besoj se u poqën kushtet dhe për një panair libri që do i shërbente këtij komuniteti dhe kryesisht të rinjve”, thotë më tej ai.

Mbi tridhjetë autorë e përkthyes dhe njëzetedy shtëpi botuese u mblodhën në Sheshin Nënë Tereza, të Kamzës, ku u mbajtën edhe njëzetegjashtë takime me autorë.

Shtëpia botuese UET PRESS me kryeredaktore Suela Minon, u paraqit me dy autorë fitues të Çmimit letrar “Kadare”. Loer Kume, fitues i vitit 2019, si përfaqësues i brezit të shkrimtarëve të rinj dhe Vera Bekteshi, fituesja e 2022-shit dhe e para autore grua e laureuar me këtë çmim, me një traditë prej tetë vitesh . Kume prezantoi romanin e tij “Lux”, ndërsa Bekteshi romanin e saj më të ri, “Pusulla të Verdha”, me të cilin fitoi edhe Çmimin Kadare, pas tri herëve në konkurrim.

Panairi, rrëfen Mulaj, i kaloi pritshmëritë e tij.

“Hapja zyrtare e nisi me seminarin me temë “Impakti i letërsisë në zhvillimin e shoqërive të reja” me pjesëmarrjen e faktorëve kryesorë në tregun letrar si shkrimtar , botues, studiues, pedagogë ku vlen të përmenden , Besnik Mustafaj, Alda Bardhyli, Anila Mullahi, Suela Mino, Behar Gjoka, Arta Marku, Andreas Dushi, Enxhi Hudhri, Rigel Rizaj, Entela Kasi, etj. Më pas panairi vijoi me takimet letrare mes shkrimtarëve të ftuar dhe publikut vital të Kamzës. Në qendër të sheshit ne ngritëm një sallë të mirëfilltë promovimesh e konceptuar si një “fan zonë” por në këtë rast tërësisht me objektiv letrar”, rrëfen më tej organizatori. Mulaj  është autor i disa librave me poezi e prozë,si përmbledhja poetike "I pakuptuari" dhe romanet  "Kërkohet një vrasës" dhe "Mos Harro të më kujtosh". Ai njihet gjithashtu edhe si kritik letrar.

Në fund të evenimentit u ndanë edhe çmime për autorë e përkthyes nga juria ku bënin pjesë

Ernestina Gjergji Halili , Ylljet Aliçka dhe Alda Bardhyli. Fitues të panairit u shpallën Arba Baxhaku dhe Arben Çejku për Veprën Studimore më të mirë, Stefan Çapaliku për Prozën më të mirë dhe Rudina Çupi për Librin më të mirë për Fëmijë. Mulaj pohon problematikat që has libri, kohëve të fundit. “Probleme hasen kudo. Por nga sondazhet e mija të shpeshta nëpër stenda konstatova se vijueshmëria ishte mbresëlënëse dhe interesimi i qytetarëve ishte i lartë”, shton ai.

Synimi i kësaj ngjarjeje kulturore, e cila për nga pjesëmarrja dhe numri i aktiviteteve nuk ishte periferike, është të ndërtoja ura leximi dhe kontakt mes librit dhe lexuesit, për një komunitet të madh siç është Kamza, pohon Mulaj. “Ky panair erdhi si nevojë pas disa nismave dhe aktiviteteve të tjera të mbajtura në pararojë”, thotë ai.

Aktualisht biblioteka e qytetit të Kamzës, brenda Pallatit të Kulturës dhe u ofron lexuesve rreth tre mijë tituj dhe po ashtu ka edhe Klubin e Librit me nxënës nga të gjitha shkollat e Kamzës.

“Në tërësi jeta kulturore në Kamëz udhëhiqet nga aktivitete e pallatit të kulturës i cili ka një plan vjetor të detajuar dhe të pasur me festival për të rinj, teatro, cirk, etj.”, thotë Mulaj.

Ky panair i pagëzuar si “Kamza Lexon” synon të mos mbetet vetëm një ngjarje, por të vijojë si traditë. /Liberale.al

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH