Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga LVV-ja, parti e cila është e para në bazë të votave të rregullta të numëruara nga KQZ-ja, ka thënë se tarifën ndaj mallrave serbe do ta kthejë në reciprocitet.
Ai tha se në takimin e sotëm me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, nuk ka biseduar për këtë çështje sepse, siç tha ai, këtë çështje ia ka sqaruar atij edhe më herët.
“Nuk më ka pyetur fare Kosnetti për tarifën. Kam thënë edhe më herët se tarifa nuk është politikë e VV-së, por është reciprociteti i plotë. Nëse Serbia dëshiron të bëjë diçka direkt për serbët e Kosovës, duhet edhe ne të kemi të drejtë të bëjmë të njëjtën gjë për shqiptarët e Luginës. Si bëhet që ti i vë tarifë Serbisë, e ty të rritet deficiti tregtar. Kjo ka ndodhur sepse Qeveria e kaluar nuk ka biseduar me biznesin privat. Kur e vuri tarifën, filluan Vuçiqat e Daçiqat të kërkojnë heqjen, por s’e hoqën. Po të kishin propozuar qeveria jonë reciprocitet në vend të tarifës, do të na kishin pasur mbrapa. Pas vendosjes së masave të reciprocitetit, hiqet tarifa. Parimi i reciprocitetit është i duhuri. Këta dëshirojnë të imitojnë disa presidentë të mëdhenj të kohës sonë. Tarifa është kriter i të fuqishmit. Me reciprocitet bëhemi të fuqishëm pa u krekosur. Kryeministri ngjante më shumë kokëfortë sesa parimor, e në qeveri duhet të jesh parimor”, theksoi Kurti në intervistën ekskluzive me Agron Bajramin në KTV.
Tutje, ai foli për fushatën anti pavarësisë së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Tha se shtetet e Quintit duhet të kërkojë nga Beogradi një zotim që s’do të bëjnë sulme ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Unë nuk do të lejoj që Serbia të na futet si pykë në politikën kosovare e të na përçajë. Ne duhet të jemi, pozitë e opozitë, bashkë karshi Serbisë. Ish-kryeministri ka qenë i dobët për dy arsye: ka bërë ujdi paraprake për ta votuar demarkacionin e për t’ia lënë Thaçit dialogun. Kjo ishte arsyeja e parë. E dyta, ka pasur 12 deputetë e i ka pasur mbi 20 parti në qeveri. Këto e kanë bërë kryeministër të dobët”, deklaroi Kurti.
“Jam i bindur që neve, LVV-në, qeveria do të na bëjë edhe më të mirë, e PDK-në e AAK-në opozita do t’i bëjë më të mirë”.
Kurti flet për ndarjen e posteve me LDK-në, përjashton AAK-në
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se në negociatat për bashkëqeverisje me LDK-në, pret për të parë se cilat pozita do t’i kërkojë LDK-ja, atë të ministrisë së Jashtme apo të kryeparlamentarit.
Se a do t’ia ofrojë të dyja pozitat LDK-së, Kurti ka thënë se “është një rend i gjërave sepse tashmë ka një rezultat të zgjedhjeve”.
“I takon negociatave. Ka një pozitë që në praktikën e deritashme ishte më e rëndësishme, ajo e kryeparlamentarit. Duhet të shohim për çka janë më shumë, a për kryeparlamentarin apo të MPJ-së, është një rend i gjërave sepse ka një rezultat të zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Megjithatë, sipas Kurtit, harmonizimi i programit është më i rëndësishëm se ndarja e posteve. Ai ka thënë se asnjëherë më parë, qytetarët nuk kanë votuar kaq shumë për ndryshim.
Për mundësinë e përfshirjes së AAK-së në një qeveri potenciale të VV-së me LDK-në, Kurti ka thënë se “AAK-ja më mirë është në opozitë”.
“AAK-në s’e barazoj me PDK-në, sepse s’ke si, por me qeverisjen e fundit, fort iu ka afruar. S’i kam barazuar asnjëherë me PDK-në. PDK rri në pushtet tjerët i merr me qira. Ta kontrollon shtetin, gjyqësinë, policinë, ATK-në etj. PAN-i është PAN, mirë që të shkojë në opozitë”, ka thënë ai duke përjashtuar edhe mundësinë e bashkëpunimit me Listën Serbe.
Ka thënë se do të bashkëpunojë me serbët që e njohin Kosovën si shtet dhe që e respektojnë atë.
Kurti: Do të rishikojmë të gjitha marrëveshjet me Serbinë
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se kur ai të marrë qeverisjen e vendit, do të rishikojë të gjitha marrëveshjet e arritur deri tash në dialogun me Serbinë.
Sipas tij, për të ditur se si të vazhdohet procesi i dialogut, duhet të dihet se çfarë kishte ndodhur në të kaluarën dhe në çfarë pozicionesh janë tash këto marrëveshje.
“Së pari, kam vënë në kontrast me dialogun e Brukselit, të mbyllur e diplomatik mes krerëve të shtetit, dialogun me serbët e Kosovës, jo vetëm se është i domosdoshëm dhe vetëm si i tillë, por edhe pse Lista Serbe është krijuar në Bruksel”, ka thënë ai duke vazhduar t’i cilësojë të dëmshme “marrëveshjen Thaçi-Daçiç”.
Duke paralajmëruar mundësinë e dërgimit të marrëveshjeve në Komisionin e Venedikut, Kurti ka thënë se pret që edhe LDK-ja të mos jetë kundër duke u bazuar se kundër atyre marrëveshje ishin deputetët më të njohur, përfshirë Vjosa Osmanin që ishte kandidate e LDK-së për kryeministre, në zgjedhjet e 6 tetorit.
Kurti: Po s’u morëm vesh me LDK-në, shkojmë sërish në zgjedhje
Albin Kurti ka thënë se nuk ka mundësi të një koalicioni paszgjedhor pa LDK-në.
Sipas tij, po të mos arrihet marrëveshja me LDK-në, duhet të shkohet në zgjedhje, ndonëse thotë se PAN-i di të bëjë manovra të ndryshme duke provuar të bëjë diçka me LDK-në, por se, sipas tij, kjo do të ishte “dhuna më e madhe e vullnetit të popullit”.
“Jo, nuk ekziston opsion tjetër. Nuk mund të zëvendësojmë LDK-në tash me PAN-in. Unë do të filloj bisedimet me LDK-në, të bazohemi në rezultatin zgjedhor e të merremi vesh përfundimisht. Sepse po të mos merremi vesh, do të shkojmë në zgjedhje prapë. Marrja e mandatit nga ne do të ishte dhuna më e madhe e vullnetit të popullit. Në kampin e PAN-it kanë fantazi të dhunshme duke tentuar të bëjnë diçka me LDK-në”, u shpreh Kurti në intervistën me Agron Bajramin.
Duke folur për mundësinë e mos-futjes së Listës Serbe në qeverinë e tij, Kurti tha se nuk mundet t’i afrojë deputetët e kësaj liste, që s’e njohin Kosovën, para serbëve tjetër të Kosovës, si Nenad Rashiqi, që e njohin Republikën e Kosovës.
“Unë prej se jam në politikë, jam munduar që të kem ideale në politikë. Dmth, jo vetëm të mbaj interesin e përgjithshëm mbi interesin e veçantë, por të kem etikë. Unë nuk kam provuar asnjëherë që të filloj nga e mundshmja e të gjej më të mirën, por të diskutoj çka është më e mira. Më e mira do të ishte PDK-ja dhe Lista Serbe të jenë në opozitë. Këto dyja nuk janë parti, por janë shtete. Për të pasur shtetndërtim demokratik, na duhet Lista Serbe dhe PDK-ja në opozitë. Do të ishte e pamoralshme të kontaktoj e loboj me Listën Serbe kur i kam mesazhet e Rashiqit e Nikoliqit që më urojnë fitoren në zgjedhje. Kemi serbë në Kosovë që thonë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Unë do t’i filloj besimet me ta. Është mirë ta sfidojmë Listën Serbe që ata do ta votojnë një serb jashtë Listës Serbe. S’kam biseduar ende me serbët. Do të filloj me LDK-në, pastaj me të tjerët. Të gjitha partitë jo-serbe më kanë uruar, por jo edhe liderët e partive shqiptare. Pse t’i marrim Rikallon e këta, duke e pasur Nenad Rashiqin. Unë nuk jam i interesuar t’i shtyp ata [Listën Serbe], por t’i çliroj nga Beogradi. Në seancën e parë konstituive nuk mund të mos kem preferencë për serbët të cilët nuk thonë as ‘Kosova e Metohia’, e as ‘institucionet e përkohshme të Kosovës’, e që nuk e quajnë UÇK-në terroriste. Duhet t’i kemi sekuencat të qarta. Duhet të mësyjmë atë që është e mirë, fillimisht”, u shpreh kandidati për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti.
Kurti: Nëse arrihet paga mesatare në sektorin privat 600 euro, s’ka ikje nga Kosova
Sipas Albin Kurtit, kryetarit të VV-së, nëse paga mesatare në sektorin privat tejkalon atë të sektorit publik, dhe arrin në 600 euro, s’do të ketë më ikje nga Kosova.
Ai ka thënë se drejtësia dhe punësimi janë dy prioritetet kyçe të Vetëvendosjes, pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Paga e sektorit privat duhet ta tejkalojë mesataren e sektorit publik. Nëse e çojmë mesataren e sektorit privat në 600 euro, nga 350 sa është, jo shpejtë, por brenda mandatit, atëherë ndalet emigrimi. Emigrimi zero s’bëhet asnjëherë, por ky nga dëshpërimi, ikja nga frustrimi ku dihet veç nga kush po ikin”, ka thënë ai.
Sipas tij, pa u lidhur tregu i punës me arsimimin cilësor s’mund të mbahen njerëzit në Kosovë.
Ka thënë se para fundit të mandatit të ri qeverisës tema e emigracionit nuk duhet të ekzistojë në Kosovë.
Kurti: Me LDK-në, kur kemi biseduar për bashkëqeverisje, s’ka pasur kundërshti
Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, në intervistën me Agron Bajramin, ka thënë se me LDK-në janë pajtuar paraprakisht që të ketë reforma në disa sektorë.
Njëri nga ta është ai i drejtësisë, për të cilin tha se nuk do të kenë probleme me LDK-në.
“Kemi shumë punë në shtetin e së drejtës. Aktgjykimet për rastet e evazionit fiskal, gjykatësit e dënojnë për rastin e njëjtë me dënime të ndryshme. Republika si shtet është viktimë e këtyre gjykatësve. Me LDK-në besojmë se nuk do të kemi problem t’i bëjmë këto ndryshime”, tha kandidati për kryeministër nga VV-ja, Albin Kurti.
Ai tha se kur kanë diskutuar me LDK-në, nuk ka pasur kundërshtime nga ana e tyre.
“I kemi diskutuar në përgjithësi dhe asnjëherë nuk ka pasur kundërshtim. Edhe kur kemi folur për forcimin e sektorit privat. Në sektorin publik duhet të shkojë njeriu të punojë për shkak të sigurisë, e jo për shkak të pagës së lartë. Ata pajtohen që në ndërmarrje publike ka korrupsion dhe menaxhim të gabueshëm. Absurditeti i Agjencionit të Privatizimit të Kosovës… duhet të pushojë mandati i AKP-së. AKP-ja është një organ centrifugal, i merr asetet dhe i hedh jashtë. Ne kemi nevojë për një institucion centripedal. Se si do ta quajmë këtë, do të diskutojmë”, deklaroi më tej kreu i VV-së.
Kurti: Qytetarët na dhanë përparësi para LDK-së për t’u siguruar që PDK-ja shkon në opozitë
Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, ka thënë se qytetarët i kanë dhënë përparësi në fund partisë së tij para LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, për t’u siguruar që PDK-ja do të shkojë në opozitë.
Ai ka thënë se i sheh dy faktorë për “hezitimin” e LDK-së për bashkëpunim të menjëhershëm me VV-në, pak pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ku kjo e fundit po del të jetë e para pas numërimit të plotë të votave të rregullta.
“S’është që mund të di të gjitha shkaqet e hezitimit, por kam përshtypjen se janë dy faktorë, i pari që të mos duken shumë eksplicitë si humbës të dorëzuar, edhe pse s’e përjetoj fare ashtu sepse qytetarët ia dhanë mbështetjen më të madhe VV-së, por në përgjithësi për opozitën. Kanë pritur rezultat më të mirë, por qytetarët s’kanë dashur të rrezikojnë me diçka të vjetër. Shteti i dobët i Kosovës s’e duron edhe një qeveri që e kemi pasur në të kaluarën dhe për të qenë të sigurt që PDK-ja shkon në opozitë i kanë dhënë përparësi VV-së. Faktori i dytë që s’u takuan sot ndoshta sepse kanë nevojë për konsultime shtesë. Kanë nevojë të shohin rezultatin për brenda, në kuptimin e deputetëve kush sa ka fituar”, ka thënë ai.
Kurti: Të enjten pritet të takohemi me Mustafën e Osmanin
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Kohavisionin, ka folur për herë të parë pas përfundimit të numërimit të rezultateve nga KQZ-ja.
I pyetur nëse mund të ketë ndryshim të rezultatit mes LVV-së dhe LDK-së pas numërimit të votave me postë, Kurti tha se vetëm do të thellohet diferenca.
“Jam i bindur se pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës, do të thellohet diferenca. Mërgata jonë ka rreth 12.800 zarfe. Mund të ketë së paku 2-3 fletëvotime në një zarf, kështu që presim thellim të diferencës dhe rezultati i zgjedhjeve nuk ka kurrfarë ndryshimi”, u shpreh Kurti në këtë intervistë me kryeredaktorin e “Kohës Ditore”, Agron Bajrami.
Kurti foli edhe kontaktet me LDK-në, duke thënë se ka kontaktuar dje kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe me kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin, por ka saktësuar se takimi i pritet të zhvillohet të enjten.
“Është për ta përshëndetur faktin e daljes masive në zgjedhjet për ndryshim duke e votuar opozitën, por duke i prirë këtij ndryshimi Vetëvendosje. Dje kam kontaktuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe me kandidaten për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmanin. Kam kërkuar nga ta të takohemi ose sot ose ditëve në vijim, dhe tash, sipas të gjitha gjasave, do të takohemi të enjten që të mos humbim kohë që të fillojmë bisedimet për koalicion”, deklaroi Kurti.
“Çfarëdo vakuum i konvenon vetëm regjimit të vjetër”.