Florian Çullhaj PhD
Shprehja “Ne, Populli i Shqipërisë” dhe njëqind e dhjetë fjalët e mbetura të preambulës janë pjesa më e panjohur e Kushtetutës shqiptare. Në një mungesë të theksuar të kulturës kushtetuese, rëndomë preambula është kuptuar thjeshtë si retorikë pa asnjë efekt domethënës, për aq kohë sa nuk kufizon kompetencat e qeverisë ose të drejtat e qytetarëve. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se preambulës së Kushtetutës i mungon forca juridiko-politike. Përkundrazi, preambula parashtron fuqizimin politik të dokumentit i cili më pas aktualizohet në dispozitat juridike që pasndjekin. Këtu, është e rëndësishme të theksohet se preambula shpreh se kush e shpall këtë Kushtetutë: “Ne, Populli i Shqipërisë”. Dokumenti është shpallja kolektive e të gjithë qytetarëve shqiptarë, ata që janë e që do të jenë. Kushtetuta është ‘pronë’ e popullit, jo e qeverisë apo e ndonjë dege të saj. Ne, njerëzit, jemi administratorët e Kushtetutës së Shqipërisë, jemi dhe do mbetemi përgjegjës për mbrojtjen me ndershmëri të saj.
Sipas Liav Orgad në esenë e tij The preamble in constitutional interpretation, botuar nga Oxford University Press, Premabulat për Platonin, janë shpirti i ligjeve, një mjet përmes të cilit ligjvënësi i bind njerëzit t’i binden ligjin. Për Carl Schmittin, preambulat shprehin vendimet themelore politike të shoqërisë. Për William Blackstonin, preambulat janë çelësi për të hapur mendjen e ligjvënësve. Ndërsa për individët, preambulat janë vetëdije kombëtare; ato përcaktojnë identitetin kushtetues dhe, si të tilla, përcaktojnë kush ‘ne’ jemi.
Me koston e rënies në pedantizëm, është mirë që Preambulën e Kushtetutës ta kujtojmë këtu: “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit”. Me pak fjalë, kuptimi autentik i të qenurit shqiptarë është të njohim fuqinë supreme të parimeve normative liberale të etabluara në programin politik të preambulës. Populli është sovrani dhe është ushtruesi i këtij sovraniteti bazuar mbi këto parime, për aktualizimin e plotë të Kushtetutës.
Për më tepër, bazuar në nenit 3: ... dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, ...., janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t'i mbrojë. Pra, sipas Kushtetutës në tërësi, thelbi i demokracisë është se, vullneti aktiv (sovraniteti) se si duhet qeverisur i takon popullit, ndërsa aktualizimi i këtij vullneti i takon shtetit. Nëse përgjigja është po, pyetja tjetër është, si? Sipas modelit tonë kushtetues, mënyra e vetme e mundshme për të arritur këtë qëllim është përmes epërsisë së parimeve të demokracisë liberale të etabluara në preambulë. Përkatësisht, përmes zgjerimit të lirive politike, ekonomike dhe vetëshprehëse.
Nëse marrim në analizë mënyrën sesi këto parime janë zbatuar, që prej aprovimit të Kushtetutës në vitin 98-të dhe amendimet e mëpasshme të saj, bilanci lë shumë për të dëshiruar. Liritë politike janë reduktuar në përkthimin e popullit thjeshtë në një ‘noter’ të pushtetit të radhës pa asnjë mundësi përzgjedhës. Liritë ekonomike janë goditur fort për të gjitha shtresat shoqërore, përveç të lartës e cila së fundmi ka parë një ‘hop cilësor’ të pa krahasueshëm me vitet e mëparshme. Identiteti dhe bashkimi kombëtarë. Jetim! Ndërsa liria e shprehjes është në zgrip të humnerës, prej presionit të pushtetit politik aktual, për ta heshtuar me çdo mjet e mënyrë atë pak vetëbesim që individi kish fituar përgjatë viteve të tranzicionit.
Si përfundim, preambula ka një forcë unike, përgjithësisht në një moment kushtetues. Këto janë ato momentet të rralla kur preambula gëzon mbështetje popullore. Kur këto momente kalojnë, është më e vështirë të sigurohet konsensus popullor. Shqipëria disa herë ka qenë në një moment të tillë, ku qytetarët kanë tentuar të ngrihen në nivelin e një përfshirje më aktive, por pushteti i radhës e ka lexuar ‘mirë’ kontekstin; thyerja e status-quo-së rrezikonte ta përmbyste atë dhe nuk i ka lejuar. Pavarësisht kësaj, preambula përmban tre fjalë të rëndësishme për kombin tonë, përkatësisht, “Ne, Populli i Shqipërisë”. Këto tre fjalë janë baza e sistemit tonë politik, dhe janë një thirrje për çdo pushtet të radhës, se shteti dhe pushteti qendror kanë fuqi ekskluzive, por vetëm me miratimin e “Ne, Popullit”./Gazeta Liberale