Aktualitet

Kujtoni luftën... Kongresi i Lushnjes dhe kancelarja Merkel...

Shkruar nga Liberale
Kujtoni luftën... Kongresi i Lushnjes dhe kancelarja Merkel...

Kristaq Xharo*

A është titulli një paradox? Në të vërtetë, asgjë nuk e lidh kancelaren me Kongresin e Shpëtimit Kombëtar (1920)  e aq më pak me Lushnjen. Kancelarja është gruaja më e fuqishme e planetit,  ndërsa Lushnjë për kohën, që u zhvillua kongresi, një zonë e namazgjasë së Beratit. Kongresi i Lushnjes, vërtetë,  rreshtohet në tre ngjarjet më madhore të historisë së shtetit shqiptar, por jo aq sa duhet me domosdo ta dijë edhe kancelarja. Megjithatë, asnjë paradox nuk ngrihet pa një lidhje.

Kongresi i Lushnjes u zhvillua në janar 1920, fill pas Luftës së Parë Botërore (1914-1918). Dhe…para pak kohësh (shtator 2018)  kancelarja Merkel  ju kërkoi  ministrave të saj të lexojnë  librin “Somnambulët: Si shkoi Evropa në luftë më 1914”, një libër,  që analizon shkaqet e Luftës së Parë Botërore dhe dështimet politike që kontribuuan në atë katastrofë.  Më tej,  Merkel ju sugjeron ministrave se situata e sotme ka më shumë ngjashmëri me Evropën e vitit 1914- 1918 se me ndonjë kohë tjetër.  Autori i librit Christopher Munro Clark,  ndërsa bën një analizë të nivelit makro për zhvillimet ndërkombëtare, nuk harron asnjëherë të theksoj se zhvillimet e brendshme dhe dështimet politike çuan në katastrofën e luftës së parë.  Pra, kancelarja Merkel thotë që Europa, më shumë  po ngjason me periudhën e Luftës së parë Botërore ku rritja e nacionalizmit populist dhe një krizë migruese sfidante mund të shënojë fundin e mundshëm të një epoke.  Nuk e di sa vend ka krahasimi i kancelares për Shqipërinë,  por di se në periudhën për të cilën po flet Merkel, Shqipëria ishte përballë sfidës së mbijetesës. Ndaj do të kish qenë  mjaft e sygjerueshme që kancelarja Merkel të dhurojë edhe 140 kopje për parlamentarët  tanë.

Në 21 janar është 100 vjetori i Kongresit të Shpëtimit Kombëtar, ngjarje e vendosur në një rresht me  Shpalljen e Pavarësisë dhe Lidhjen shqiptare të Prizrenit. Ndryshe nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, si shteti më i ri në Ballkan, që kërkoi aq shumë kohë dhe sakrifica, shpërbërja e tij erdhi brenda një kohë tmerrësisht të shkurtër, në fatin më të keq të dy luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Në fundi të luftërave, vendi kishte humbur  formatin e shtetit, sovranitetin territorial, njohjen ndërkombëtare dhe siç thotë Edith Durham, në 1919  "Shteti i sapokrijuar i Shqipërisë ju hodh përpara ujqve për të kënaqur  shtetet më të hershme të Ballkanit”.

Është folur dhe shkruar mjaft për Kongresin dhe do të vazhdojë,  sepse mbetet një nga ngjarjet më të mëdha në historinë tonë. Përndryshe, për atë çka e nisëm shkrimin, Kongresi do të mbesë model dhe aktual për atë që ndërtoi dhe realizoi strategjinë e shkëlqyer kombëtare. Kongresi pa bujë dhe zhurmë, me taktika që i shërbenin strategjisë shkëlqen ende si nga më të suksesshmit.  Nëse vërtetë do të  dëshirojmë të kuptojmë dallimin midis taktikave dhe strategjisë midis zhurmës dhe objektivit –vlerës së  strategjisë kombëtare  kujtoni kongresin. Nuk gjendet një moment i dytë, ku për një strategji për të cilën, në çdo rast tjetër do të duheshin dekada,  të  realizohej brenda vitit.  Kongresi në Lushnjë do të sfidonte kohën  më së paku në tre momente të pakrahasueshme për mbijetesën e Shqipërisë. Së pari, rithemelimin e shtetit, së dyti rivendosjen e sovranitetit territorial, dhe së treti, njohjen ndërkombëtare si e vetmja mënyrë për vazhdimin e ekzistencës. Do të mjaftonte edhe realizimi i vetëm njërës  prej këtyre objektivave  për ta quajtur ngjarjen historike ndërsa përbëjnë një ‘trini të shenjtë’ për mbijetesë dhe vazhdimësi të kombit.

Mbetet sfiduese realizmi i kësaj strategjie që prodhoi kongresi veçanërisht kur për referencë marrim studiuesit më të mëdhenj bashkëkohor. Sipas strategut amerikan Bernard Brodie,  në punimin e tij,  “Guidë për të lexuar veprën e  Klausevitz  “..strategjia nuk është asgjë tjetër vetëm është ura që lidh burimet e fuqisë me interesat kombëtare. Ndërsa britaniku Lidëll Hart, teoricieni dhe historiani më i madh bashkëkohor i strategjisë  “ Strategjia kombëtare, ...është arti menaxhimit të burimeve të një kombi për mbrojtje dhe  sigurinë ..ku  një vend/komb  kërkon   të gjej  hisen  e vet nën diell.. Për autorët e mësipërm, por edhe për  Kolin Grei, Morgenthau, Robert Art, Kristofer Lein, Hju Stracan e të tjerë,   ideja e vetme është se strategjia lidh burimet e fuqisë me interesat.

Por, kujtoni vitin 1920...kishte interesa kombëtare, kishte një vizion strategjik por mungonin burimet e fuqisë...Një nga figurat më të rëndësishme shqiptare të kësaj periudhe do ta përshkruante periudhën si  ... periudha  ishte një angazhim titanik kur krahasohet me mjetet që dispononte kombi, qeveria dhe shteti i ri: pa organizim, pa ushtri, pa polici as xhandarmëri, pa një ovull (qindarkë) në arkë, i ndarë nga bota e qytetëruar, se udhët ishin prerë prej qeverive pak simpatike, rrethuar prej tre fqinjëve aspak të favorshëm dhe më tepër akoma, të zvjerdhur prej çdo mbështetjeje morale, pa ndonjë ndihmë reale ose të paktën, simpati efektive diplomatike. ..

Kongresi i Lushnjes ishte tërësisht vepër e shqiptarëve, ndoshta nga shumë të rrallët në historinë tonë. Ai do të duhet të mbetet përherë një objekt studimi kongresi për atë që arriti.  Së pari, kongresi ringriti (krijoi) shtetin  veproi  si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane: hartoi statutin e shtetit shqiptar me një Këshillë të Naltë në krye, zgjodhi Tiranën për kryeqytet dhe i dha vendit një qeveri të ligjshme, e cila iu vu me energji organizimit të administratës, të xhandarmerisë, të shkollave dhe u mundua t’i jepte fund anarkisë.

Së dyti rivendosi sovranitetin shtetëror. Deri në vitin 1919, në territorin e shtetit të brishtë shqiptar kishin parakaluar shtatë lloj uniformash pushtuesish dhe  ishin vetëshpallur gjashtë të ashtuquajtura republika me  një të shtatë që do të shfaqej pak më vonë. Pra ribashkimi i copërave të ndara dhe largimi i pushtuesve përbënte sfidën e dytë më të guximshme. Dhe kjo do të duhej të realizohej në mungesë të forcave të armatosura. Marrja në dorëzim e Shkodrës (25 mars 1920) qe i pari sukses politik, bashkë me të dhe një shenjë sim­patie e dhënë prej Fuqive të Mëdha. Ishte dhe shkal­la e parë për grupimin e copëve të ndryshme të mëmëdheut rreth një autoriteti të vetëm. Rimarrja  e Gjirokastrës (27 prill), të lëshuarit e Korçës prej francezëve (I5 maj) dhe të bashkuarit e saj në një mënyrë paqësore, plotësoi edhe njëherë suksesin e qeverisë së re, shtoi besimin e saj dhe ngjalli ako­ma një herë vullnetin e kombit, i cili kurorëzoi veprën e nisur në Lushnjë duke mbajtur tre muaj me radhë një përpjekje të ashpër në Tepelenë dhe Vlorë dhe duke parë që (më 17 gusht 1920) ky qytet dhe gjithë pikat e Shqipërisë të zbrazeshin prej çdo ushtrie, prej çdo administrate të huaj.

Së treti, jo më pak e rëndësishme strategjia e kongresit  synonte si objektiv madhor njohjen ndërkombëtare. Do të ishte e pamundur të konceptohej strategjia kombëtare, produkt i kongresit pa njohjen ndërkombëtare. Vendi ideal për këtë objektiv do të ishte Lidhja e Kombeve, ku pranimi në këtë organizatë do të shënonte edhe ligjërimin ndërkombëtar të shtetit, sigurinë formale të sovranitetit dhe dështimin e fqinjëve për ta copëtuar shtetin.   Kjo nuk do të ishte aspak një sfidë e lehtë: pasi të luash në arenën ndërkombëtare është e nevojshme të kesh disa kapacitete të domosdoshme. Së pari fuqia kombëtare si monedhë e vetme e shkëmbyeshme në marrëdhëniet ndërkombëtare (Morgenthau), së dyti sjellje dhe  kulturë strategjike dhe aleatë të fuqishëm strategjikë,  ku të tillë mund  të konsideroheshin vetëm fuqitë e mëdha, fituese të luftës.  Sensibilizimi i SHBA ishte dhe do të mbeste jetikë për mbijetesën e kombit shqiptar. Dhe në 17 dhjetor të vitit 1920 Kongresi i Lushnjes kishte plotësuar misionin historik: kishte siguruar mbijetesën duke ringritur shtetin,  rivendosur sovranitetin dhe  arritur njohjen ndërkombëtare. Ja përse strategjia e kongresit të Lushnjes do të mbetet e shkëlqyer, e jashtëzakonshme dhe e suksesshme brenda një periudhe të pakrahasueshme.

Dhe së fundi, ka një debat të zhvilluar edhe në rrjetet sociale,  që për mungesë vëmendje nga nivelet qendrore, duket se tenton ta lokalizojë kongresin në vendin ku u zhvillua. Në të vërtetë,  për  vendin që meriton ngjarja në histori interesohen shumë më tepër se ata që e mirëpritën dhe  përjetuan ditët e kongresit. Kongresi është shumë më i madh se Lushnja, por edhe se Shqipëria e asaj kohe. Ai ishte Kongresi i Shpëtimit kombëtar dhe pa vendimet e strategjinë e tij, kombi ynë sot do të ish i shpërndarë nëpër shtet fqinjë që jo njëherë kanë synuar e sot  mund të kishim  pasur të njëjtin fat si të  kurdëve... Ndaj rivlerësimi i kongresit lidhet edhe me periudhën që jetojmë, edhe me librin  “Somnambulët: Si shkoi Evropa në luftë” për të cilën kancelaria Merkel  na sugjeron ta lexojmë.

*Profesor në UET. Shkrimi është ekstrakt nga kumtesa: “Mbijetesa e kombit si strategji dhe vepër e Kongresit të Lushnjes”, mbajtur në Konferencën Shkencore kushtuar 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjes

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH