Globi

Konferencën e Mynihut mbi Sigurinë/ Biden: Amerika është kthyer

Shkruar nga Liberale
Konferencën e Mynihut mbi Sigurinë/ Biden: Amerika është

Bashkëpunimi transatlantik ndryshon kurs me rikthimin e Amerikës, edhe pse sfidat, me të cilat po përballemi kanë ndryshuar. Ky ishte mesazhi i liderëve botërorë në Konferencën e Mynihut mbi Sigurinë, e cila u zhvillua virtualisht për shkak të pandemisë. Presidenti amerikan, Joe Biden në fjalën e tij siguroi se SHBA nuk do të bëjnë më hapa pas dhe se partneriteti me Europën është një gur themeli i qëndrueshëm për qëllimet e së ardhmes.

“Amerika është kthyer dhe ky është mesazhi im i qartë për botën: Amerika është kthyer, bashkë me të edhe aleanca transatlantike. Bashkë do të shkojmë përpara. Partneritetet tona kanë qëndruar të forta dhe janë rritur ndër vite, sepse ato janë të rrënjosura në pasurinë e vlerave tona të përbashkëta demokratike. Ato nuk janë diçka që trajtohen si biznes, nuk janë për të nxjerrë përfitime por janë të ndërtuara mbi një vizion të së ardhmes, ku çdo zë ka rëndësi", tha Biden.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi gjithashtu se progresi demokratik është nën sulm, si në SHBA ashtu edhe në Europë. Ai u bëri thirrje aleatëve të qëndrojnë të vendosur me Uashingtonin, për t'u përballur edhe me konkurrentët e mëdhenj si Rusia dhe Kina, që mbeten kërcënime reale. Ndërkohë kancelarja gjermane. Angela Merkel theksoi rëndësinë e multilateralizmit përballë sfidave të reja.

“Multilateralizmi është në fakt baza e raporteve tona politike dhe lufta ndaj pandemisë e ka bërë edhe më të qartë këtë. Nëse nuk sigurohemi që të gjithë janë vaksinuar askush nuk do të ketë mundësinë të jetë i sigurt, duhet të sigurohemi që të gjithë në botë të kenë akses ndaj vaksinës. Duhet të bashkojmë forcat në të gjitha fushat", tha Merkel.

Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi rëndësinë e luftës ndaj terrorizmit si dhe shpërndarjen e barabartë të vaksinave edhe në vendet e varfra.

“Sot ne kemi një rol historik dhe gjëja e parë që amerikanët dhe europianët duhet të bëjnë është një multilateralizëm në drejtim të klimës, demokracisë dhe lirisë së shprehjes, prandaj duhet të rregullojmë platformat në internet. Na duhet gjithashtu të forcojmë bashkëpunimin me fqinjët. Kjo është sfida jonë e përbashkët, ia kemi dalë të gjejmë vaksina dhe ti shpërndajmë ato në vendet tona, sfida jonë tani është që ti bëjmë të mundura për të gjitha vendet e botës", us hpreh Macron.

Ndërsa presidentja e komisionit europian, Ursula Von Der Leyen u shpreh se një frymë e tillë bashkëpunimi botëror nuk mund të vinte në kohë më të përshtatëshme.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH