Krye

Konferenca në UET- Tranzioni përfundoi, të fillojnë studimet për të! 

               Publikuar në : 10:03 - 05/12/20 liberale

Ditët e Studimeve Shqiptare, 10 referime për 30 vitet e transformimit shqiptar

Në prag 30 vjetori tranzicion dhe në kuadër të Ditëve të Studimeve Shqiptare,  Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi konferencën ndërkombëtare shkencore me tematikë tranzicionin shqiptar nga “Partizanët tek Profesorët”.

Tashmë është bërë një traditë në UET dhe për të shtatin vit radhazi u mbajt Konferenca e Ditëve të Studimeve Shqiptare, e cila fokus kryesor ka dijen dhe rolin që shoqëria ka në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm.

Ndërsa ky vit përkoi me 30-vjetorin e tranzicionit shqiptar, në një aktivitet modest, sipas protokollit shëndetësor për shkak të pandemisë në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës u mblodhën studiues nga fusha të ndryshme, si ekonomia, drejtësia, arsimi, inxhinieria, marrëdhëniet ndërkombëtare, shkencat sociale apo edhe mjekësia, për të diskutuar rolin e demokracisë në këto 30 vite.

Zëvendësrektorja për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor në UET, njëkohësisht edhe drejtuese e konferencës, Prof. Dr. Drita Kruja u kthye pas në kohë teksa tregoi se ishte studente në kohën kur u përmbys sistemi komunist dhe kur të gjithë thërrisnin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

“Isha studente dhe ne thërrisnim “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Atëherë për mua dhe gjithë studentët ishte një ëndërr”, u shpreh Kruja.

Presidenti i UET, Selami Xhepa: Ekonomia në rënie, duhen reforma

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr Selami Xhepa ishte i pari që e mori fjalën ndërsa bëri një prezantim shterues me temën: “Reformat e munguara të Tranzicionit”.

Ajo që rezultoi sipas profesor Xhepës është se në dekadën e tretë të tranzicionit duhen ndërmarrë një sërë reformash pasi kemi një rënie të ekonomisë gjatë kësaj dekade.

“Pas tre dekadash, sot ne shohim se me gjithë progresin që ka arritur shoqëria, veçanërisht në nisjen e dekadës së dytë, duket se dekada e tretë e ka futur vendin përsëri në një gjendje stacionariteti”, u shpreh Xhepa.

Në tjetër shqetësim serioz që ai përmendi ishin përhapja e varfërisë, por edhe e pabarazisë në vend.

Shqetësim mbetet përhapja e gjerë  e varfërisë dhe nivelet e larta të pabarazisë në vend, të cilat mund të cenojnë kohezionin shoqëror dhe në afat të gjatë, edhe vetë qëndrueshmërinë e sistemit politik e shoqëror”, vijoi ai më tej.

Ndërsa, sipas studimit, ai theksoi se dekada e dytë ishte ajo e cila pësoi rritjen më të madhe ekonomike që kulmonte me vitet 2000-2010.

“Pas vitit 1999 ne kemi një rritje relativisht të fortë. Nga viti 2000-2010 kemi rritje relativisht të fortë dhe reformat e dekadës se parë filluan të japin rezultate”, u shpreh presidenti i UET.

Përgjegjësia së Departamentit të Marketingut dhe Menaxhimit në UET, Arlinda Ymeraj: Shqiptarët i ndaj në tre identitete

Në tjetër temë mjaft interesante studimi ishte “Politikat Publike të Mirëqenies Sociale, Shqipëri 1990-2020” e Përgjegjëses së Departamentit të Marketingut dhe Menaxhimit në UET, Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymerajt.

Sot pas 30 vitesh tanzicion profesoreshë Ymeraj e ndan Shqipërinë në tre identitete; ëndërrimtarë, të pashpresë dhe thyerës të ligjit.

“1. Ëndërrimtarët janë fytyra e mirë e këtij vendi, pasi paguajnë taksa dhe këtë e bëjnë me besimin se do marrin diçka mbrapsht. Por në përgjithësi ose s’marrin asgjë mbrapsht ose marrin shumë pak

2. Të pashpresët janë ata që ikin dhe pavarësisht valëve të mëdha të emigracionit që kemi pasur, sërish vazhdojnë të ikin.

3. Thyerësit e ligjit të cilët janë një klasë e re të pasurish arrogantë”, u shpreh profesoreshë Arlinda Ymeraj e cila u tregua mjaft kritike ndaj këtyre tre dekadave demokraci.

“Ky është këndvështrimi im pas 30 vitesh, por nëse do të më thoshte dikush që do të mendosh këtë, do i thoja: “nuk e ke fjalën për mua”. E vërteta është që këto 30 vite nuk kanë prodhuar atë që dëshironim. Me vlerat është abuzuar. Nuk kemi arritur mirëqenien sociale dhe zhvillimin që duam, dukë bërë që të dështojë. Këtë gjë nuk e bën vetëm qeveria, por i gjithë rrethi shoqëror, bashkë me qytetarët. Detyra e qeverisë është që t’i përdorë politikat sociale për të ndërgjegjësuar qytetarët”, u shpreh ajo.

Profesori i Diplomacisë në UET, Fatos Tarifa: Disa nga zhgënjimet e tranzicionit postkomunist

Prof. Dr. Fatos Tarifa paraqiti një panoramë të shpresave dhe zhgënjimeve të tranzicionit postkomunist.

Shumë njerëz besuan dhe shpresuan se sistemi komunist do të zëvendësohej nga një sistem i konsoliduar demokratik.

Ëndrrat e mëdha që shumë njerëz patën për një progres të lirë, linear dhe të pandalshëm. Këtu zhgënjimi ishte në shkallë të drejtë me besimin që kishin për këtë.

Natyra moniste e shpresës dhe pluraliteti i zhgënjimeve. Jo çdo gjë që dëshirojmë do të jetë në harmoni me ato që kemi.

Një tjetër zhgënjim që unë e krahasoj me martesën, është ai që mendojmë se do të plotësohen të gjitha nevojat dhe dëshirat, por ndodh që edhe zhgënjehesh.

Shumë iniciativa dhe reforma janë pritur me zhgënjim nga shoqëria pasi janë ndërmarrë për të dhënë zgjidhje të pamenduara mirë.

Diçka e natyrshme ishte që prej gjërave të këqija të komunizmit të shpresonin për një shoqëri të lirë. Por frika nga shteti u zëvendësua me frikën dhe pasigurinë e jetesës.” , ishin disa nga zhgënjimet e shqiptarëve që profesori i Diplomacisë në UET renditi.

Por pavarësisht kësaj ai u shpreh se edhe pse njerëzit kanë mbetur të zhgënjyer duhet pranuar se kushtet e jetesës janë përmirësuar në këto 30 vite tranzicion.

Dekani i Juridikut në UET, Shefqet Muçi: Reforma në Drejtësi do të bëhet, por me vonesë

Pasi paraqiti një historik të ndryshimit të sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET, Prof. As. Dr. Shefqet Muçi theksin e vuri tek Reforma në Drejtësi të cilën e konsideroi si një reformë eksperiment e cila do të përmbushet, por jo brenda afatit të vendosur. Sipas tij do të jetë një reformë e zvarritur.

Edhe pse me shumë vonesë Reforma në Drejtësi filloi të ecë. SPAK-u është ndërtuar, edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, por nuk është vënë në punë.

Afati i Vettingut është 5 vjeçar, por ne jemi në 4 vjet e disa muaj dhe duhet përfunduar sa më shpejt. Jemi me vonesë, jo sepse puna nuk ec, por sepse ecën shumë me avash. Nga ana tjetër ka edhe përplasje politike që nuk e bëjnë të mundur. Institucionet e Drejtësisë nuk e kanë përmbushur besimin e publikut. Me këto vonesa, me këto zvarritje, njerëzit janë pesimistë”, u shpreh profesor Muçi gjatë referimit të temës së tij “Procesi i reformave në Drejtësi gjatë tranzicionit dhe arritjet e tij”.

Dekani i Mjekësisë në UET, Pirro Prifti: Ja problemet që hasim sot në Shëndetësi

E ku më mirë se në këtë kohë pandemie mund të bëhej një panoramë e plotë e sistemit të Shëndetësisë në vend. Me temën “Sfidat e reformës shëndetësore në Shqipëri”, Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Prof. Dr. Pirro Prifti u shpreh se gjatë sistemit komunist pati një lloj investimi në Shëndetësi.

Po ashtu ai nuk la pa përmendur të gjitha reformat pozitive në këtë fushë mjaft të rëndësishme, por sigurisht që janë pasuar edhe me probleme ashtu si në çdo fushë në këto 30 vite tranzicion.

Disa nga problemet që hasim në ditët e sotme sipas tij janë:

-Keq menaxhimi dhe keq administrimi i sistemit Shëndetësor Parësor dhe Spitalor DSHP

-Mos drejtimi i Spitaleve Terciare me bord, por me 1 drejtues jo profesionist

-Vazhdimi i vendosjes së drejtuesëve jo profesionistë dhe pa konkurrime në sistemin shëndetësor

-Korrupsion me CHECH-UP-et dhe PPP

-Rritje galopante e mitmarrjes dhe rryshfetit nga mjekët dhe infermierët në Spitalet Publike Rajonale dhe Terciare

-Largimi i mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit, duke lënë vendet e punës

Dekani i Inxhinierisë në UET, Arben Dushi: Disa mangësi në Industri ia vlen të vihen në dukje

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET, Prof. Asoc. Dr. Arben Dushi paraqiti një sërë problematikash, por edhe risish në “Industrinë e Shqipërisë 2020, pas 30 viteve tranzicion”.

Ai analizoi disa fusha si ajo e transportit rrugor, hekurudhor, detar, ndërtimit, energjetikës etj., ku kishte janë vënë re jo vetëm problematika, por edhe zhvillim.

Dy prej tyre që u paraqitën mjaft problematike ishin sistemi hekurudhor i cili sipas profesor Dushit do të kursente mjaft të ardhura në xhepat e qytetarëve.

Sipas Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET ka ende mjaft mangësi dhe ia vlen të vihen në dukje:

-Mungesa e krijimit të strukturave të nevojshme si “Urdhri i Inxhinierëve”

-Mungesa e krijimit të institucioneve Shkencore e Kërkimore Studimore në këtë fushë

-Mungesa e krijimit të Grupeve të Punës me ekspertë të specializuar në këto çështje

-Mungesa e përditësimit të Normave apo dhe Kushteve Teknike të Projektimit, Zbatimit, mirëmbajtjes së veprave të ndryshme apo adoptimit të Normave Teknike Europiane të shoqëruara më hartimin e Anekseve Kombëtare të studimeve përkatëse siç janë Eurokodet etj.

Profesori i Edukimit në UET, Tomi Treska: Disa pyetje për arsimin që u duhet dhënë përgjigje

Prof. Asoc. Dr. Tomi Treska prezantoi punimin e tij në fushën e sistemit arsimor me temë “Reformimi i kurrikulës së sistemit arsimor parauniversitar shqiptar-sfidë politikë, më shumë se sfidë profesionale”, ku kurrikula ishte fjala kyçe e referimit.

Profesor Treska solli në kujtesë tre fazat nëpër të cilat ka kaluar arsimi në post komunizëm, duke nisur nga faza e korrektësisë së brendisë së arsimit deri ne vitin 1995, më pas faza e përgatitjeve për ndryshim “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar  e vitit 1995 e deri në 2010 dhe së fundmi faza e reformimit të mëtejshëm të SAPU  “Për sistemimin arsimor parauniversitar në RSH”.

Ndërsa shtroi disa pyetje të cilat tha se e shqetësonin si pedagog dhe të cilave u duhet dhënë përgjigje: “Çdo të thotë mësimdhënie mbi bazë objektivash/ kompetencash? Cili është dallimi mes tyre? Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e secilës qasje? Sa e “përgatitur” është Shqipëria për të zbatuar mësimdhënien mbi bazë kompetencash? Çfarë sugjerojnë modelet e përparuara europiane në këtë drejtim?”

“Kompetencat kyçe përfshijnë integrimin e shkathtësive, aftësive, njohurive, qëndrimeve dhe vlerave me qëllimin për të arritur një qytetari aktive, një gjithëpërfshirje shoqërore dhe një zhvillim të qëndrueshëm vetjak. Kurrikula dhe mësimdhënia me bazë kompetence përqendrohet tek situatat e të nxënit dhe tek rezultatet e të nxënit. Situata e të nxënit përfshin diçka praktike si: një dialog, një pikturë, një video, një prezantim, një poster etj. Rezultatet e të nxënit përfaqësojnë një produkt përfundimtar të të nxënit, e cila përfaqëson atë qëndrim, njohuri, shkathtësi e aftësi që nxënësi e zotëron teorikisht dhe praktikisht”, u shpreh më tej profesor Treska, duke iu përgjigjur pyetjeve që e shqetësojnë në lidhje me arsimin./Gazeta Liberale

 

 

 

 

 

Tags: , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back