Politikë

Këshilli Kombëtar i 30 prillit, rithemelim apo rikthim ish-ësh në PD!

Shkruar nga Liberale
Këshilli Kombëtar i 30 prillit, rithemelim apo rikthim ish-ësh

Rikthimi i ish-kryeministrit Sali Berisha përmes asaj që ai e ka quajtur rithemelim të Partisë Demokratike duket më tepër si një projekt ish-ësh.

Në mungesë të mbi gjysmës së deputetëve të zgjedhur nga PD më 30 prill, pjesë e Këshillit Kombëtar të PD-së u bënë ish-ministra dhe ish-deputetë.

Mes emrave të 150 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD janë shumë prej deputetëve që morën mandatin në vitin 2013, kohë në të cilin PD doli në opozitë pas 8 vitesh në pushtet.

Në Kuvendin e 30 prillit u votuan anëtarë të Këshillit Kombëtar edhe ish-sekretari Arben Ristani si dhe dy ish-deputetët e përjashtuar, pas djegies së mandatave, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari.

Në Këshillin Kombëtar të PD do të jenë pjesë edhe 6 ish-ministra të PD. Genc Pollo, Aldo Bumçi,  Myqerem Tafaj, Arben Beqiri, apo dhe Florjon Mima (zv.ministër) do të jenë po ashtu pjesë e Këshillit Kombëtar të PD-së.

Pjesë e Këshillit Kombëtar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të përhershme do të jenë për shkak të detyrave të larta që kanë mbajtur në parti si Bujar Nishani, Jozefina Topalli, Tritan Shehu, Eduard Selami. Nishani mungoi për shkak të gjendjes shëndetësore në Këshillin Kombëtar të 30 prillit, ndërsa Eduart Selami nuk ishte i pranishëm dhe nuk dihet nëse e ka pranuar ftesën e rikthimit.

Mes emrave të ish-deputetëve bien në sy Ardian Turku, Bedri Hoxha, Elena Qirici, Gent Strazimiri, Keltis Kruja, Mimoza Hajdarmataj apo edhe Voltana Ademi.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të rithemelimit të PD pritet të mblidhen për të zgjedhur strukturat e reja drejtuese të Rithemelimit, ndërsa më 22 maj përmes parimit një anëtar një votë do të zgjedhin kryetarin e ri të PD. Megjithatë, se cila do të jetë opozita e vërtetë, kjo mbetet për t’u parë bazuar mbi zhvillimet e brendshme politike në vazhdim.

Ish-ministrat e rikthyer nga Berisha: Aldo Bumçi, Arben Beqiri, Arben Imami, Florjon Mima, Genc Pollo, Myqerem Tafaj

Ish-deputetët e rikthyer nga Berisha: Andon Frrokaj, Albina Dedaj, Arben Ristani, Arbjola Halimi, Ardian Turku, Aurel Bylykbashi, Bedri Hoxha, Elena Qirici, Fatbardha Kadiu, Gent Stazimiri, Kletis Kruja, Klevis Balliu, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Myslym Murrizi, Nadire Meçorapaj, Roland Keta, Rudina Hajdari, Sherefedin Shehu, Voltana Ademi.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH