Showbiz

“Jeta Shpirtërore” e Moravias, një roman që denoncon palavitë e një klase pushteti

Shkruar nga Liberale
“Jeta Shpirtërore” e Moravias, një roman që denoncon

I botuar më 1978, “Jeta shpirtërore” ngjalli reagime të shumta negative te kritika italiane e asaj kohe. Shoqërimi me prostituta, tutorë dhe zhigolo të klasës së mesme, që maskohen si revolucionarë, zhytur në afera seksiste e kthejnë në një lloj udhëtimi ekzistencialist e madje nihilist gjithë jetën e saj. Botimet Pegi sjellin “Jeta Shpirtërore”  nga Alberto Moravia, me përkthimin e Aida Baros. Një roman, që denoncon të gjitha veset dhe palavitë e një klase pushteti në dukje elitare, por krejtësisht e zvetënuar.

Gazeta britanike “The Guardian” e cilëson autorin italian si një kombinim i rrallë i qëllimit moral dhe integritetit artistik,  gjë që e ka vendosur atë ndër shkrimtarët më të mirë të Europës.

Romani zhvillohet si një intervistë e gjatë, ku një personazh i quajtur “Unë”, që mund të interpretohet si gazetar, psikolog, shkrimtar, interviston Deziderian, duke e ngacmuar me pyetje në dukje të thjeshta mbi jetën e saj, por nga ana tjetër duke nxjerrë në pah rrënimin e vërtetë të vlerave shoqërore. Dezideria, e bukur, e re dhe pamëshirshme është vajza e birësuar e Violës, një borgjezeje të pasur romane, por tërësisht të shthurur moralisht dhe seksualisht.

Për  kritikët e "Corriere della Sera", romani i Moravias, është një roman zbavitës, që flet për seksin në mënyrë zbavitëse.

Ta akuzosh Moravian për vuajerizëm do të thotë ta keqkuptosh profesionin e tij, shkruan kritika e gjermanes “Die Zeit”.  Paralelizmi mes anormalitetit të shtratit dhe perversioneve të ndërgjegjes shoqërore e politike është më se i qartë.

Vajza rrëfen historinë e jetës së saj që nga fëmijëria e hershme me një qartësi dhe sinqeritet të skajshëm, rebelimin e saj ndaj familjes, klasës dhe shoqërisë, së cilës i përket jo për shkak të lindjes. E shtyrë nga një Zë i brendshëm, nga shpirti i revoltës, i cili do t’i imponohet përmes një “plani për shkelje dhe përdhosje” të të gjitha të ashtuquajturave vlera borgjeze, ajo nuk ngurron të ndërmarrë hapa të guximshëm që do ta shpien drejt prostitucionit, orgjisë, komplotit të rrëmbimit, grabitjes dhe incestit. Dezideria magjepset nga ideja e revolucionit, por jo thjesht nga ajo e një revolucioni të ngushtë politik, por diçka që do të fshijë hipokrizinë e rendit shoqëror ekzistues.

“Në veprën e Moravia-s, konturet e mprehta dhe ngjyrat kryesore fshehin dhunën e brendshme që të sjell ndër mend dramat e Pirandello-s”, shkruan The New York Review, duke vijuar se, si në shumë romane të tjera të Moravia-s, personazhi i saj kryesor është një grua dhe veprimi i saj ka të bëjë me ndotjen e seksit nga paraja, politika, faji dhe hakmarrja, ose anasjelltas.

“Moralisti është ai që urren vetveten te të tjerët, që dënon vetveten te të tjerët, që vret vetveten te të tjerët. Veten e fal, por pikërisht për këtë, nuk i fal të tjerët”, shprehet Moravia, përmes personazheve të tij, në këtë libër.

Fryma  e kohës, për Moravian, është një frymë psikopatologjike – shkruan Kirkus Reviews-,

kufijtë e jashtëm të së cilës ai i gjurmon në këtë libër ngjethës, cingërisës e të makthshëm.

Alberto Moravia konsiderohet një prej shkrimtarëve më të mëdhenj italianë të shekullit XX. Ndër të tjera ishte dramaturg, gazetar, skenarist dhe kritik i kinematografisë. Ai njihet si nismëtari i romanit borgjez, përmes të cilit, si mjeshtër i mprehtësisë, thjeshtësisë dhe elegancës stilistike, ka eksploruar pa fund temat e tëhuajzimit shoqëror, duke nxjerrë në pah hipokrizinë,

materializmin dhe varfërinë morale të epokës së tij. Në këtë kuptim, puna e tij të shpie në forma realizmi të pasura me kthjelltësi racionale, krizën ekzistenciale të borgjezisë që ka përshkuar vitet e fashizmit dhe të pasluftës, duke gërshetuar vazhdimisht subjektivitetin me objektivitetin.

Romanet e tij shpesh janë ekranizuar nga regjisorë të njohur si Bernardo Bertoluci, Jean-Luc Godard, Vittorio De Sicca, Luigi Zampa, Cedric Kahn, etj.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH