Aktualitet

Gramoz Ruçi: Këtë sesion, Kushtetuesja do bëhet funksionale

Shkruar nga Liberale
Gramoz Ruçi: Këtë sesion, Kushtetuesja do bëhet

Ka nisur punimet sesioni i ri parlamentar, ndërsa fjalën i pari e ka mbajtur kryetari i parlamentit të Shqipërisë Gramoz Ruçi.

Ruçi deklaroi se ndryshimet kushtetuese që janë arritur nuk ishin hile e shumicës. Ai shtoi se Kushtetuesja do të bëhet funksionale këtë sesion.

“Kuvendi i Shqipërisë i hapi rrugë edhe opozitës jashtë=–parlamentare të marrë pjesë në disa çështje me rëndësi, gjithmonë duke pasur parasysh interesat e shqiptarëve. Edhe marrëveshja e 5 qershorit garantoi gjithë-përfshirje.

Ndryshimet Kushtetuese për sistemin zgjedhor, ishin jetësim i forcës së parlamentarizmit dhe i vullnetit të shumicës të shqiptarëve. Kuvendi iu hapi rrugës këtyre ndryshimeve, të bindur se gara është më demokratike. Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet funksionale, duke nisur nga janari i 2021. Këtë sesion Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet funksionale”, tha Ruçi.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në hapjen e sesionit të ri parlamentar

7 shtator 2020

Të nderuara kolege dhe kolegë deputetë,

Me rastin e fillimit të sesionit të ri, ju uroj punë të mbarë e një sesion të suksesshëm.

Sesioni i kaluar ishte një sesion produktiv, në disa aspekte:

Së pari, Shqipëria fitoi vendimin e merituar për çeljen e negociatave.

Së dyti, veprimtaria ligjvënëse dhe kontrolli parlamentar ishin rezultativ e të efektshëm;

Së treti, produktiviteti u sigurua në kushtet që imponoi programi i rindërtimit pas tërmetit dhe kufizimet, vështirësitë e sakrificat që imponoi pandemia;

Së katërti, Kuvendi, e shtriu kohezionin e veprimtarisë parlamentare edhe në bashkëpunimin me partitë jashtë Kuvendit, në një forum joparlamentar, siç është Këshilli Politik.

Në hapje të këtij sesioni, dëshiroj të përshëndes marrëveshjen ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, të firmosur në prezencën e Presidentit të ShBA Donald Trump.

Kjo marrëveshje i hap rrugën marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes së ndërsjelltë.

Natyrisht, marrëveshja e Washingtonit e 4 shtatorit nuk është gjithshka do të dëshironim ne, shqiptarët. Por, të paktën, për momentin, procesi është po aq i rëndësishëm sa edhe produktet e kësaj marrvëveshjeje.

Hyrja e flamurit të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe hapja e dosjes së Kosovës në tryezën e punës së Presidentit të Shteteve të Bashkuarsa është garanci e një procesi pa kthim prapa.

Le të kontribojmë të gjithë që ajo dosje të mos hiqet nga tryeza e Presidentit amerikan, pa u zgjidhur përfundimisht njohja e Kosovës.

I.

Më 25 mars, Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendim i cili u miratua nga Këshilli Europian më 26 mars 2020.

Ky ishte një sukses i merituar për Shqipërinë dhe rajonin.

Me progresin e rajonit drejt Bashkimit Europian, do të vijë momenti kur termat Europa Juglindore e Ballkani Perëndimor do të çlirohen nga përmbajtja politike dhe kufijtë politikë të Europës do të afrohen me kufijtë gjeografikë të saj.

Kuvendi i Shqipërisë ka kontribut kyç të pazëvëndësueshëm në rrugëtimin europian, duke garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit.

Kuvendi ka rritur përputhshmërinë e ligjeve me standartet e BE-së, duke garantuar një cilësi më të mirë të legjislacionit kombëtar.

Komisioni për Integrimin Europian, gjatë sesionit të kaluar shqyrtoi dhe miratoi 11 ligje me përafrim ose 2 më shumë se periudha janar-korrik 2019, duke propozuar 97 amendamente ose 63 me shumë se e njëjta periudhë.

Mbledhja e zgjeruar e Këshillit Kombëtar të Integrimit, më 9 qershor, kontriboi në projektin e Planit të Masave të Integrimit Europian, të hartuar nga Qeveria.

Kuvendi vijon zbatimin e masave të Planin të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të KE-së për vitin 2019. Nga 44 masat e parashikuara, janë realizuar plotësisht 35 masa ose (80%) dhe 9 masat e tjera (ose 20%) janë në proces realizimi.

Procesit të integrimit europian i ka shërbyer edhe diplomacia parlamentare.

Në janar u zhvillua në Bruksel Samiti i Kryetarëve të Parlamentave të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor; ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt Konferenca e 16 e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian të Evropës Juglindore.

Në shkurt erdhi në Kuvendin e Shqipërisë Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, ndërsa në mars Presidenti i Parlamentit të Austrisë, Sobotka. Të dyja këto vizita kishin në fokus ndikimin në vendimin e Këshillit Europian për celjen e negociatave.

Gjatë sesionit të kaluar Kuvendi i Shqipërisë pati një veprimtari ligjvënëse produktive dhe ushtroi kontroll parlamentar me efektivitet dhe efikasitet.

Me efektivitet sepse kryem detyrat ndaj çështjeve prioritare të zhvillimit të vendit.

Me efikasitet, sepse racionalizuam kontributet, prodhuam ligje cilësore dhe nxitëm Qeverinë e institucionet të bëjnë detyrat.

Pandemia rrezikoi edhe veprimtarinë parlamentare. Por Kuvendi i Shqipërisë reagoi menjëherë, në disa drejtime:

Së pari, deputetët nuk i shkëputën për asnjë çast vëmendjen dhe lidhjet me qytetarët.

Së dyti, përshtatëm Rregulloren e Kuvendit dhe komisionet parlamentare, Konferenca e Kryetarëve e Byroja funksionuan onlain.

Së treti, sipas praktikave të ngjashme të parlamenteve të BE-së, seancat plenare u zhvilluan normalisht dhe i dhamë Shqipërisë ligjet e reformat që i duheshin.

Së katërti, Kuvendi siguroi transparencë maksimale për median dhe qytetarët, duke ofruar transmetimin direkt të të gjitha veprimtarive parlamentare.

Në raportin e OSBE/ODIHR “Dimensioni Human i OSBE dhe përgjigjet shtetërore ndaj pandemisë Covid-19”, Kuvendi u vlerësua ndër parlamentet që iu përgjigjën më mirë pandemisë, nëpërmjet inovacionit, produktivitetit e transparencës.

Gjatë sesionit të kaluar miratuam 115 ligje ose 18 më shumë se gjatë dy sesioneve bashkë të vitit 2019, ndër të cilat 107 propozime të Këshillit të Ministrave dhe 8 nisma deputetësh. 23 ishin nisma të reja, 38 ndryshime e shtesa në legjislacion, 22 marrëveshje dhe 32 akte normative, 29 prej të cilave ishin në përgjigje të pandemisë.

Miratuam 75 ligje, 26 akte normative dhe zhvilluam 8 interpelenca më shumë sesa në sesionin e pestë.

Trefishimi i akteve ligjore është një tregues thelbësor i produktivitetit ligjvënës.

Gjatë këtij sesioni zhvilluam 11 interpelanca me anëtarë të Qeverisë, kërkuar nga deputetët e opozitës e shumicës.

U trefishuan kërkesat për interpelancë, çka provon rritjen e llogaridhënies e transparencës për çështje me ndjeshmëri të lartë publike si rendi, arsimi, shëndetësia, mjedisi e drejtësia.

Kontrolli parlamentar është ushtruar edhe me anë të raportimeve të Këshillit të Ministrave mbi zbatimin e detyrimeve të Planit Kombëtar për Integrimin Europian, ecurinë e bisedimeve për anëtarësim etj.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian ka raportuar mbi bashkëpunimin midis forcave politike, institucioneve shtetërore e të pavarura dhe shoqërisë civile si dhe çështje të tjera jetike të integrimit.

Kuvendi, pas raportimeve të mësipërme, miratoi Rezolutën “Mbi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian përgjatë vitit 2019”.

III.

Reforma zgjedhore po shkon drejt finishit.

Kuvendi i Shqipërisë, grupet parlamentare, përfshirë ato të opozitës, në emër të ardhmes e integrimit të Shqipërisë, u ngritën mbi sedrën politike parlamentare dhe kontribuan në një forum jashtë-parlamentar, siç ishte Këshilli Politik, i cili funksionon jashtë Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Ky nuk ishte oportunizëm politik, por një veprim me vetëdije të qartë kombëtare.

Me këtë veprim, gratë dhe burrat e këtij Kuvendi u krijuam një mundësi forcave politike që kishin braktisur Kuvendin, të kontribonin në legjislacionin për zgjedhjet.

Kuvendi i Shqipërisë i rikrijoi një mundësi përfaqësimi asaj pjese të popullsisë që beson te opozita jashtëparlamentare dhe kontributi i saj për vendin.

Produkt i bashkëpunimit me opozitën jashtëparlamentare ishte “përkthimi” i marrëveshjes së 5 qershorit në dispozita ligjore, nëpërmjet miratimit të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”, në seancën plenare të datës 23 korrik 2020.

Parashikimi në Kodin Zgjedhor i pikave të Marrëveshjes së 5 qershorit garantoi gjithëpërfshirjen dhe moralitetin e reformës zgjedhore.

Ndërsa parashikimi në Kod i ndryshimeve kushtetuese të kërkuara nga opozita parlamentare dhe të votuara nga Kuvendi, pra miratimi i ligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””, në seancën plenare të datës 30 korrik 2020, garantoi legjitimitetin dhe kushtetueshmërinë e reformës zgjedhore.

As gjithëpërfshirja e moraliteti dhe as kushtetueshmëria e legjitimiteti nuk mund të qëndrojnë pa njeri-tjetrin.

Prandaj dëshiroj edhe njëherë të bëj të qartë se ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor nuk ishin as një tirani apo hile e shumicës, dhe as prishje e rregullave të lojës, por jetërsim i forcës së parlamentarizmit, i vullnetit të pakicës parlamentare e, ç’është më e rëndësishmja, i vullnetit të shumicës së shqiptarëve.

Këto ndryshime nuk ishin një vetëtimë në qiell të pastër, por ishin sinjalizuar nga opozita parlamentare në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Këtë vullnet politik konsistent ajo e solli në Kuvend, duke depozituar më 15 qershor nismën ligjore për ndryshime kushtetuese.

Kuvendi u hapi rrugën këtyre ndryshimeve, i bindur se ato e bëjnë garën elektorale më konkurruese dhe qytetarët më përcaktues në zgjedhjen e grave dhe burrave që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë.

Kuvendi ndan të njëtin mendim me qytetarët shqiptarë se këto ndryshime janë në të mirë të vendit.

Kriteri për refuzimin e një ndryshimi ligjor nuk është fakti se ky ndryshim nuk është i përsosur, por nëse ndryshimi përmban më shumë të mira sesa mangësi.

Në këtë botë, të nderuar kolegë, sidomos në jetën politike, ka shumë pak gjëra që janë tërësisht të mira apo tërësisht të këqija.

Prandaj unë ndaj të njëjtën bindje me shumicën e deputetëve të Kuvendit dhe të qytetarëve se këto ndryshime avancojnë demokracinë brenda partive dhe rrisin si përgjegjësinë e tyre dhe të qytetarëve në zgjedhjen e degës legjislative të qeverisjes.

Këto ndryshime krijojnë një kuadër ligjor zgjedhor, në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare, ku zgjedhësi voton jo vetëm për subjektin zgjedhor, por edhe për kandidatin e parapëlqyer prej tij.

Me këto ndryshime, plotësuam kuadrin ligjor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe mundësiuam një garë të barabartë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Në ecurinë e reformës në drejtësi, vazhdoi asimetria midis investimit politik e ligjor të Kuvendit për ndërtimin dhe bërjen funksionale të organeve të reja të sistemit dhe inercisë së institucioneve, sidomos KLGj dhe KED, të cilat po vonojnë ngritjen e tyre.

Konsensusi i forcave politike e qytetarëve për reformën në drejtësi mbështetej në premisën se institucionet e drejtësisë nuk mund të reformonin vetveten.

Vonesat dhe inercia e sistemit, me të cilat vazhdojmë të ndeshemi, tregojnë sesa e domosdoshme ishte kjo reformë dhe sa jetike po bëhet ajo për fatin e Shqipërisë.

Në takimin vjetor të Mekanizmit Institucional Kuvend-Institucione të Pavarura-Qeveri, në maj, unë u bëra apel institucioneve të drejtësisë, pa cënuar pavarësinë e tyre, t’u japin fund zvarritjeve në bërjen funksionale të organeve të sistemit.

Pas takimit me Presidentin e Republikës me 30 qershor, i kërkova KED-it me një letër përshpejtimin e procedurave të verifikimit të kandidatëve që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale për vendimmarrje, të cilat kërkojnë të paktën 6 anëtarë.

KED-i, pas miratimit të amendamenteve mbi procedurën e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit e renditjes së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, vendosi ndalimin e kandidimit për kandidatët për dy vendet vakante të shpallura nga Kuvendi e Presidenti i Republikës.

KED-it iu desh gati një vit të shqyrtonte dy kandidatura!

Me këto vonesa të zgjatura, tashme kupa ka filluar të derdhet dhe ky shpërpjestim midis investimit të Kuvendit dhe investimit institucional të një pjese të organeve të reja të sistemit, nuk do të tolerohet më.

Edhe pse Kuvendi ka hapësira të kufizuara për të nxituar organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, nuk do të falim asnjë vonesë.

Brenda këtij sesioni, me hir ose me pahir, Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale. Më 1 janar 2021 gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna.

Çdo institucion i shtetit, i përfshirë në këtë proces, ta lexoj qartë këtë apel të Kuvendit!

KLGj, më 27 shkurt 2020, i propozoi Presidentit të Republikës tre kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, të cilët u dekretuan.

Më 26 shkurt 2020 KLGj hapi procedurën e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për gjashtë pozicione të lira dhe ftoi për aplikim të gjithë gjyqtarët që plotësojnë kriteret ligjore. Aplikuan 25 kandidatë dhe KLGJ po shqyrton këto kandidatura.

Do të nxisja anëtarët e tij të veprojnë në minimumin e afateve kushtetuse e ligjore, për të përmbyllur këtë proces dhe për të hedhur një hap të vendosur drejt bërjes së Republikës me Gjykatë të Lartë.

Gjatë sesionit të kaluar, miratuam shtesat e ndryshimet në një ligje prioritar të reformës në drejtësi, ligjin 15/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në seancën plenare të 20 janarit, Kuvendi zgjodhi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ndërsa më 18 qershor miratuam strukturën organizative, organikën dhe klasifikimin e pagave të personelit të Inspektorit.

U zgjodh gjithashtu dhe ka filluar nga puna drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Komisioni i Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e zbatimit të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” i ka vënë në dispozicion Komisionit të Ligjeve raportin përkatës. Kuvendi, me vendimin nr 37, datë 9 korrik 2020, vendosi deklarimin e përfundimit të veprimtarisë së Komisionit.

Kontrolli parlamentar vazhdoi të përbënte një përparësi të sesionit të kaluar. Kuvendi shqyrtoi 24 raporte të institucioneve të pavarura dhe hartoi 24 analiza të veprimtarisë vjetore për shqyrtim nga komisionet parlamentare.

Me gjithë kushtet e disfavorshme, Kuvendi vlerësoi me rezolutë të gjitha institucionet e pavarura dhe përcaktoi detyra konkrete për secilin prej tyre për vitin 2020.

Shërbimi i Monitorimit hartoi Raportin e zbatimit të rekomandimeve në rezolutat e Kuvendit për vitin 2019 dhe Raportin për nivelin e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga ekzekutivi dhe agjencitë e varësisë për vitin 2019, raporte të publikuara në faqen e Kuvendit.

Nga 227 rekomandime të institucioneve të pavarura për vitin 2019, janë zbatuar 75% e tyre, janë të parealizuara 11% dhe janë në proces zbatimi 14%. Niveli i zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga administrata publike për vitin 2019 ishte 62%. Ky tregues bën thirrje për më shumë vëmendje nga Qeveria për rekomandimet e institucioneve të pavarura, si zëdhënëse të interesave të qytetarëve.

Më 7 maj 2020, Kryetari i Kuvendit realizoi takimin vjetor periodik me 24 institucionet e pavarura. Në këtë takim u vlerësua veprimtaria e institucioneve të pavarura dhe u adresuan rekomandime konkrete për përmirësimin e punës së tyre.

VI.

Sesioni që po nisim do të jetë sesioni i arritjes së disa objektivave të rëndësishme, midis të cilave nënvizoj:

Pasqyrimi në Kodin Zgjedhor i ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut dhe përfundimi i reformës zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet parlamentare të ardhshme të jenë një garë me regulla të qarta dhe të barabarta për të gjitha partitë politike.

Nxitja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për bërjen funksionale brenda vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese.

Nëse do të rezultojë e nevojshme, për të mbështetur realizimin e këtij objektivi, unë do t’i propozoj Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve ndryshimet përkatëse, në zbatim edhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 qershorit 2020 “Për zgjedhjen/emërimin e gjyqtarëve kushtetues”.

Nxitja e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të bërë funksionale Gjykatën e Lartë brenda vitit 2020.

Edhe pse ky mund të tingëllojë si një objektiv i guximshëm, unë mendoj se nëse KLGj shfrytëzon maksimalisht të gjitha mundësitë, mund të arrijë që gjashtë vakancat e shpallura dhe që janë në proces, të plotësohen brenda vitit.

Kuvendi do të kontribojë në negociatat e anëtarësimit, nëpërmjet përafrimit të legjislacionit, forcimit të mbikëqyrjes dhe kontrollit parlamentar dhe hartimit e zbatimit të Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve në Raportin 2020 të KE-së për Shqipërinë.

Miratimi i Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit të Kuvendit të Shqipërisë, për periudhën 2020-2025, financuar nga Qeveria e Zvicrës. Për zbatimin e këtij projekti Kuvendi do të vazhdojë të bashkëpunojë me OSBE-në dhe Institutin Kombëtar Demokrat Amerikan, të cilët bashkë me Ambasadën e Zvicrës, i falenderoj për partneritetin e shkëlqyer.

Për forcimin e kontrollit parlamentar do të përfshijmë në Platformën Ndërinstitucionale Onllain rezolutat e Kuvendit, me hapësirë të dedikuar për çdo institucion të pavarur, duke bërë të mundur ndjekjen e zbatimit të tyre nga të gjithë deputetët dhe grupet e interesit.

Ju faleminderit dhe ju uroj të gjithëve një sesion të mbarë e të suksesshëm!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH