Kryesore

Gara e kandidatit më proamerikan

               Publikuar në : 10:33 - 05/06/21 liberale

Veç platformave dhe ideve për drejtimin e Partisë Demokratike, tre sfidantët e Bashës po garojnë edhe në planin e pro amerikanizmit, duke shfrytëzuar situatën delikate brenda PD pas shpalljes “non grata” të ish kryeministri Berisha

Vendimi i Departamentit Amerikan te Shtetit për të shpallur “non grata” ish-Kryeministrin Berisha dhe më pas reagimi i këtij të fundit për të paditur Sekretarin e Shtetit Antoni Blinken, i ka vënë dukshëm në vështirësi demokratët. Dilema qëndron nëse duhet të rreshtohen në krah të liderit të tyre historik, apo në krah të Shteteve të Bashkuara. Kjo dilemë thellohet edhe më shumë kur mendon se Lulzim Basha nuk ka patur një qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje.   Mjafton ky shembull për të kuptuar se sa delikate është situata në selinë blu.

Më 1 qershor kandidatit për kreun e PD-së Agron Shehaj njoftoi përmes faqes së tij në Facebook se kishte takuar  Ambasadoren Yuri Kim, duke nënvizuar ndër radhë se, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë në krah të PD-së që në ditët e para të lindjes së saj” dhe se “kjo lidhje, mbështetur në vlerat e lirisë dhe demokracisë, do të forcohet edhe më shumë në të ardhmen”.

Postimi i tij u shoqërua me shumë komente  ku dallohej në shumicë një pakënaqësi apo hatër mbetje e komentuesve lidhur me vendimin DASH ndaj Sali Berishës, por edhe qëndrimin e SHBA pas zgjedhjeve. Pati edhe nga ata komentues që e kishin shigjetuar kandidatin demokrat për një qëndrim jo të qartë në raport me Berishën.

I ndikuar nga këto komente, Shehaj deklaroi në një intervistë televizive se pas takimit me Yuri Kim është sulmuar nga persona, që sipas tij janë demokratë dhe kanë qasje anti-amerikane. Kësaj deklarate ju përgjigj Ervin Salianji i cili theksoi se në PD kurrë s’ka pasur e nuk do ketë antiamerikanë, duke shtuar se këtë shpifje vetëm Rama ka pasur guxim ta thotë.

“Keqardhje për akuzat e rëndomta e mbi të gjitha të pavërteta të  kandidatit Agron Shehaj. Një gjë është e sigurt, që në Partinë Demokratike, nuk ka pasur nuk ka dhe nuk do të ketë asnjeherë vend për asnjë antiamerikan. Në vendin më pro amerikan në botë dhe në partinë më pro amerikane, të kërkosh për antiamerikanë dhe të aludosh se ata janë pjesë e partisë ku bën pjesë  është ofendim i ulët dhe një dëm që tentojnë ti bëjnë PD.  Një gjë të tillë deri më sot me shpifjen që e karakterizon ka guxuar ta thotë vetëm Edi Rama”, shkruan Salianji.

 Kadilli takon Yuri Kim

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka zhvilluar të enjten një takim me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Kadilli thekson se ka ndarë me ambasadoren Kim mendimin se PD është aset i pazëvendësueshëm dhe se, në fillesat e saj është dora e pamohueshme amerikane. “Sot pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të gjatë dhe të frytshëm me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Yuri Kim. Biseda u përqendrua  te zhvillimet politike në PD dhe në vend. Jam i lumtur që shpreha në takimin me të dërguarën e vendit më demokratik në botë, dhe aleatit strategjik të Shqipërisë, një zë të protestës kundër mënyrës si shkojnë gjërat në Shqipëri por edhe në partinë time, siç edhe shpalosa Manifestin Politik, jo vetëm për demokratët, por edhe shoqërinë. Me zonjën Kim ndamë mendimin se Partia Demokratike është aset i pazëvendësueshëm dhe se, në fillesat e saj është dora e pamohueshme amerikane”.

Më tej, kandidati në garën e PD deklaron se gjatë takimit është nënvizuar edhe fakti se Uashingtoni dhe Shqipëria, nën udhëheqjen e PD kanë punuar bashkë dhe bërë shumë gjëra të mira.

Ndërkohë kandidatja tjetër për kreun e PD, Edit Harxhi ka deklaruar se “Zoti Basha, vetë ka 4 vjet që nuk udhëton dot në Amerikë sepse i është refuzuar viza Arian. E kam informacion këtë e dinë shumë njerëz. Vizën e ka të refuzuar. Si mund të bëhet kryeministër një lider opozite që nuk shkon në Amerikë përpara zgjedhjeve. A mund të ma shpjegoni?”

Po kështu të vetëdijshëm se qëndrimi ndaj vendimit të DASH për Berishën është një çështje nga e cila mund të bësh ndryshimin në një garë me katër kandidatë, edhe Fatbardh Kadilli ka mbajtur qëndrimin duke thënë se  “I bëj thirrje Berishës për tu mbrojtur privatisht në këtë çështje. E dyta kam shprehur, që duhet të jetë shumë i kujdesshëm për të shmangur Partinë Demokratike në këtë çështje. e treta Partia Demokratike, nuk mund të prishet kurrë me aleatët strategjikë. Dhe këtë gjë, jam i bindur qe e ka shqetësim, i pari Sali Berisha”

Është e sigurt se pro amerikanizmi i kandidatëve në garën e brendshme të PD i pakëson atyre shanset për garën e 13 qershorit në një kohë që nga selia qendrore e demokratëve nuk ka qëndrim të qartë dhe më kryesorja kur demokratët, anëtarësia e kësaj partie janë në shumicë me ish liderin e tyre Berisha. Por dallimi nga Basha është pikërisht ajo që u intereson më shumë kandidatëve si Kadilli, Shehaj apo Harxhi. Më shumë se fitorja në 13 qershor promovimi  personal i tyre është investim i sigurt për të nesërmen, e cila aq më shumë pas vendimit të DASH për të shpallur “non grata” Berishën nuk duhet se ç do të jetë.

Blinken uron Ramën: Mbështesim Shqipërinë për reformën në drejtësi

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka uruar kryeministrin Edi Rama për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Ai ka përgëzuar Ramën për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa thekson se përmes këtyre zgjedhjeve paqësore, Shqipëria ka demonstruar gatishmërinë e saj për të hapur negociatat e pranimit në BE. Kujtojmë se me urimin ndaj Ramës, Blinken tregon se zgjedhjet e 25 prillit janë të vlefshme, pavarësisht maratonës së PD dhe LSI në KAS e Kolegj Zgjedhor.

SHBA disa javë më parë shpalli ‘non grata’ ish-kryeministrin dhe liderin historik të PD-së, Sali Berishën.

Urimi i Blinken:

I nderuar Z. Kryeministër:

Urime për ju dhe partinë tuaj për suksesin tuaj elektoral. Unë gjithashtu dua të përgëzoj popullin e Shqipërisë që, me gjithë kufizimet e pandemisë COVID-19, ushtroi të drejtat e tyre themelore në zgjedhjet e 10-të kombëtare të vendit që nga rënia e komunizmit. Unë pres që të punoj me ju gjatë mandatit tuaj të tretë si Kryeministër për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë mbi demokracinë dhe mbrojtjen, si dhe tregtinë dhe investimet. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë ndërsa punon për të forcuar shtetin e së drejtës, për të përmirësuar llogaridhënien e qeverisë dhe për të kryer reformën në drejtësi. Përmes këtyre zgjedhjeve paqësore, Shqipëria ka demonstruar më tej gatishmërinë e saj për të hapur negociatat e pranimit në BE. Shqipëria është një Aleate e fortë e NATO-s dhe ne ju përgëzojmë për përparimin tuaj drejt Betimit të Uellsit. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes dhe e vlerësojmë shumë Shqipërinë për pritjen e Defender 21. Ne përballemi me shumë kriza në të gjithë globin, dhe unë kam besim se së bashku mund të ngrihemi për të përmbushur këto sfida historike. Ne kemi një mundësi dhe një përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme paqësore të rrënjosur në liri dhe prosperitet për të gjithë.

Sinqerisht,

Antony J. Blinken

Memorandumi kundër korrupsionit në SHBA: Individët, organizatat kriminale do të mbahen përgjegjës

Ekspertët thonë se shpallja e luftës kundër korrupsionit si një përparësi themelore e interesave të sigurisë kombëtare nga Shtëpia e Bardhë, është një paralajmërim për aktorët e korruptuar në shkallë globale. Kolegia Keida Kostreci njofton se ky veprim është pjesë e programit më të gjerë të presidentit Joe Biden për t’u angazhuar me botën dhe për të nxitur demokracinë.

Gary Kalman, Drejtor i Zyrës së Shteteve të Bashkuara për Organizatën Transparency International, thotë se me memorandumin që e konsideron luftën kundër korrupsionit një përparësi themelore, administrata e Presidentit Biden, po dërgon një mesazh të fortë.

“Shohim një interes real për t’u angazhuar dhe programi anti-korrupsion duket të jetë një përparësi për ta, gjë që mendoj se është shumë e rëndësishme”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Charles Kupchan, studiues në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, është dakord.

“Mendoj se është një mesazh paralajmërues për shumë individë që përdorin praktika korruptive në gjithë botën, qofshin në qeveri ose jashtë tyre”, thotë zoti Kupchan për Zërin e Amerikës.

Në dokument thuhet se “administrata amerikane do të udhëheqë përpjekjet për të nxitur qeverisje të mirë, transparencë në sistemet financiare të Shteteve të Bashkuara dhe globale, si dhe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin brenda dhe jashtë vendit”.

Zoti Kupchan thotë se objektivi afatgjatë është të parandalohen kërcënimet e sigurisë kombëtare përpara se ato të bëhen rreziqe konkrete. Një synim tjetër është të ndihmohen përpjekjet antikorrupsion në pjesë të tjera të botës, përfshirë Ballkanin.

“Nuk mund të kesh qeverisje të mirë dhe demokraci të qëndrueshme liberale nëse nuk godet marrëdhëniet midis elitave politike dhe oligarkëve sepse kur krijohet një marrëdhënie shumë komode mes atyre me pushtet dhe atyre me para, është shumë e vështirë të krijosh një sistem që mbështetet tek rendi kushtetues dhe tek demokracia”, thotë ai.

Në dokumentin e bërë publik të enjten, administrata Biden thotë se parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për qeverisje të përgjegjshme dhe transparente do të siguronin një avantazh kritik për Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera.

“Nëse Shtetet e Bashkuara ndihmojnë në adresimin e burimeve bazë të korrupsionit ose të mbajnë përgjegjës ata që përfshihen në praktika të paligjshme, kjo mund t’i shtyjë ato vende në drejtimin e duhur politikisht dhe kështu të eliminojnë disa nga pasojat strategjike afatgjata”, thotë ai.

“Dokumenti të lë të kuptosh disa mënyra se si do të punohet me vende të tjera, përshirë duke mbështetur median dhe shoqërinë civile dhe duke shprehur mbështetje për institucione demokratike”, thotë zoti Kalman.

Memorandumi i zotit Biden është i rëndësishëm sepse shërben si njoftim zyrtar nga presidenti “se ai pret nga të gjitha departamentet dhe agjencitë përkatëse federale të rrisin përpjekjet anti-korrupsion në mënyra shumë konkrete”, u tha një zyrtari i lartë i administratës gazetarëve të enjten.

Zoti Kalman thotë se me këtë strategji administrata do të marrë hapa për të mos lejuar që aktorë të këqij të qarkullojnë para dhe të bëjnë investime përmes sistemit të Shteteve të Bashkuara ose ekonomive të tjera të përparuara, një dukuri që ai e quan “një problem të jashtëzakonshëm”.

“Mund të krijosh një kompani anonime në Shtetet e Bashkuara dhe të qarkullosh miliarda dollarë përmes saj, mund të blesh pasuri të patundshme dhe të përfitosh duke e dhënë me qira ose duke shitur atë dhe mund të pastrosh para. Shtetet e Bashkuara supozohet të jenë një vend i pastër, mbi të tjerët, e megjithatë më shumë para të paligjshme qarkullojnë përmes Shteteve të Bashkuara se ndoshta në çdo vend tjetër në planet”.

Një synim tjetër është të mos lejohen prona të paligjshme të fshihen pas kompanive fantazëm.

Zoti Kalman thotë se programet e sanksioneve, si ligji Magnitsky dhe Nisma e Departamentit të Drejtësisë për Rimarrjen e Pronave të Siguruara përmes Kleptokracisë, ose mekanizma të tjera, ndihmojnë.

“Shpresojmë që t’i përdorin në mënyrë të zgjuar, por me force ato programe sanksionesh”, thotë zoti Kalman.

Zoti Kupchan thotë se edhe përcaktimi publik për përfshirje në korrupsion sipas nenit 7031(c) të ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to, bën pjesë në këto mekanizma.

“Çelësi këtu është nxjerrja publikisht e informacionit në mënyrë që ata që bëjnë korrupsionin të mund të mbahen përgjegjës ose nga bashkësia ndërkombëtare ose nga elektoratet në vendet në fjalë. Është e ngjashme me përpjekjet për të mbajtur përgjegjëse palët që përfshihen në shkelje të të drejtave të njeriut”, thotë ai.

Si zoti Kalman ashtu edhe zoti Kupchan thonë se tani mbetet të shihet se çfarë hapash të mëtejshëm konkretë do të ndërmerren për ta vënë në jetë këtë strategji të administratës amerikane.

 

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back