Gjyqtarja serbe, Danica Marinkoviç, e cila gjatë viteve 90-të pothuajse ka dënuar të gjithë shqiptarët që kanë refuzuar regjimin serb, ka rrëfyer në një televizion në Beograd se si e kishte dënuar Albin Kurtin në vitin 1999 pas arrestimit në Prishtinë.
Ajo ka thënë se Kurti është “nacionalist ekstrem” dhe se para gjykatës ai kishte refuzuar shtetësinë serbe, ndërsa Kosovën e quante Republikë.
“Gjatë marrjes së të dhënave personale kur është pyetur se shtetas i cilit vend është menjëherë kam ardhur në përfund se ai është nacionalist ekstrem, me nacionalitet më tha se është shqiptar, e kur e pyeta se shtetas i cilit vend është tha i Republikës së Kosovës, pra atëherë as që ka ekzistuar Republika e Kosovës. Ne i thamë se krahina e Kosovës është në kuadër të Serbisë, ai tha “jo” unë nuk e njoh shtetin serb, është shtet okupator, populli serb është okupator dhe unë jam shtetas i Republikës së Kosovës”, ka thënë Marinoviç.
Marinkoviç ka treguar se e ka pyetur nëse Kurti ka shërbyer në armatën jugosllave, ndërsa kishte marrë prej tij përgjigjen: “edhe po të merrja ftesë nuk do të shkoja pasi armata jugosllave është okupatore dhe armike”.
“Ai i është bashkuar UÇK’së në vitin 1998, dhe ai më tha mua mos gaboni ta shkruani e ashtuquajtura UÇK se për ne shqiptarët UÇK është ushtri e vërtetë çlirimtare, e cila po lufton me policinë serbe për ta çliruar Kosovën që ta bëjmë shtetin e pavarur”, ka thënë Marinkoviç.
Gjykata serbe e dënoi me 15 vjet burg, por pas presionit ndërkombëtar Kurti u lirua pas 1 viti.
Në vitin 1999 Albin Kurti ishte pjesë e Zyrës së UÇK-së në Prishtinë, e cila drejtohej nga Adem Demaçi. Kurti punonte si përkthyes dhe ndihmës i Demaçit. /Gazeta Liberale