Editorial

Fitorja e zgjedhjeve në dorë të opozitës

Shkruar nga Liberale
Fitorja e zgjedhjeve në dorë të opozitës

Preç Zogaj

Zgjedhjet  e reja  parlamentare  kanë filluar të shfaqen në  horizont.   Nëse nuk ndodh ndonjë ngjarje e  papritur që do të diktonte mbajtjen e tyre në vjeshtë,  gjë që nuk  shihet të ketë gjasa të ndodhë,  ato do të mbahen  në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm.  Është akoma shpejt për të vënë  baste  apo për të  bërë parashikime  të prera se kush do të fitojë.  Në vendin tonë  mungojnë sondazhet  korrente  nga kompani  të pavarura me reputacion ndërkombëtar që orientojnë parashikimin.  Ato  pak sondazhe  politike jopartiake  në vend  tregojnë  një  gjendje  preferencash në lëvizje.

Por analiza mund të bëhen. Në rrafshin  historik, zgjedhjet e ardhshme edhe kanë, edhe nuk kanë  ngjashmëri me zgjedhjet e vitit 2005  dhe  të vitit 2013 kur  kanë ndodhur dy rrotacionet e pastra të pushtetit në  Shqipëri pas qeverisjeve  tetëvjeçare, respektivisht  të PS-së (1997-2005)  dhe PD-së ( 2005-2013).  Është fakt se dy mandate e konsumojnë qeverinë. Edhe kur ka një bilanc. Edhe kur  provon  apo “ manovron” me fytyra të reja  brenda llojit, siç ka ndodhur me qeverinë e PS-së   në  periudhën  1997-2005,  që nxori përgjatë kohës  tre kryeministra.  Nanon, Metën dhe Majkon. Pra, rrotacioni për  shkak  të konsumimit ka  shanse të shtuara.   Por  vetëm kaq.  Nëse do të ruhej  “rregulli”  i alternimit të partive çdo  tetë vjet, zgjedhjet  e reja nuk do të kishin histori.  Në fakt  zgjedhjet  kanë kurdoherë  enigmën e tyre.  Ndryshe s’do  të kishin emocion dhe madje as kuptim.

Përveçse   kohëzgjatjen tetëvjeçare të qeverisë,  zgjedhjet   e vitit 2021 kanë të  përbashkët me  ato të rrotacioneve  të mëparshme edhe  pozicionin e LSI-së. Kjo parti  doli vetëm në zgjedhjet e vitit 2005 si një forcë alternative e së majtës,  duke ndihmuar dukshëm  me rezultatet e kandidatëve të saj mazhoritarë (atëherë votohej  me sistem mazhoritar në 100 zona një emërore) fitoren e PD-së.  Në zgjedhjet e vitit  2013,  LSI  garoi në koalicion  me PS duke e  garantuar  e thelluar fitoren e saj, gjë që e rikonfirmoi   si parti  qeveribërëse.  Në zgjedhjet e ardhshme,  LSI  do të garojë në koalicion me PD-në dhe partitë e tjera opozitare të mbledhura nën ombrellën e opozitës  së  bashkuar. Ky  fakt i rrit  edhe më tej shanset e rrotacionit të pushtetit.

Një  tjetër element i përbashkët i  zgjedhjeve që po marrim në shqyrtim është  ruajtja në vija të përgjithshme  e të njëjtit  establishment politik  Ky fakt, siç është parë në disa sprova  elektorale të ndërmjetme,  ka gjasa tu marrë   shanseve të rrotacionit një pjesë të  fetës  që u jepet “ automatikisht” nga konsumimi i qeverisë  dhe pozicioni i LSI-së.

Për të mos u zgjatur me të përbashkëtat,  zgjedhjet e  ardhshme  kanë edhe mjaft risi në raport me të shkuarat, të tilla që e bëjnë edhe më intrigues valsin e parashikimeve se kush do të  fitojë.

Mbi këto zgjedhje peshojnë pritshmëritë popullore për të çuar ndëshkueshmërinë ligjore  në sferat e larta nëpërmjet drejtësisë së re, një premtim i përsëritur i SHBA-së dhe BE-së  për popullin shqiptar.  Katër vjet pas miratimin me konsensus, kundërshtarët e hapur apo të fshehtë të  reformës  në drejtësi   ia kanë dalë ta  vonojnë  zbatimin  e saj dhe t’u japin një goditje  shpresave të kohës kur u miratua. Por nuk e kanë  ndalur. Drejtësia e re  përben përkuljen e historisë  nga drejtësia,   tha para disa javësh  ambasdadoresha e SHBA-së në Tiranë, zonja Juri Kim, duke demonstruar  me lakonizmin e fjalisë  thelbin e angazhimit amerikan për ketë reforme.  Pyetja  në funksion të zgjedhjeve të radhës është  kjo: si do të shkohet në këto zgjedhje?  Me një SPAK   dhe me një  Gjykatë   gjithnjë në përgatitje, gjithnjë në “ nxehmje”,    apo me një SPAK që ka paraqitur akuzat e para penale me një  Gjykatë  që  ka dhënë dënimet e para ligjore ndaj zyrtarëve  dhe ish zyrtarëve  të korruptuar që janë subjekt i  tyre?  Opozita, në çdo version, e ka  elektoralisht në favor goditjen  konkrete  të korrupsionit në sferat e larta. Opozita nuk merr kosto  edhe po të goditet ndonjë prej ish zyrtarëve  të saj. Në të kundërtën, pastrohet, ndihmohet,  tek realizon përmes rrugës  institucionale  ligjore atë që partitë nuk kanë instrumente adekuatë për ta bërë vete:  verifikimin dhe largimin e të korruptuarve  nga  ekipet e tyre.   Kurse shumica, pikërisht sepse është në qeveri,   paguan një çmim elektoral nga   goditja e zyrtarëve të saj.  Ndaj, pavarësisht fjalëve të mëdha,  kupola qeveritare  do të bëjë  çmos, kudo ku t’i jepet mundësia,  pa dalë hapur,  ta shtyjë  në kohë  përtej zgjedhjeve  ndëshkueshmërisë  në sferat e larta dhe në  perspektive  ti  fusë  edhe ajo ujë rakisë, siç thotë populli me qëllim që  rrjeta e SPAK  dhe BKH të kapë  peshq të vegjël. Përbetimi  për kastrimin e reformës  qarkullon si një interes traversal  i përbashkët  i të korruptuarave  dhe ish të korruptuarve  në sferat e larta.

Çdo të  bëjë  SHBA, Departamenti i Shtetit, ambasada e saj në Tiranë? Do  të pranojnë  që  Shqipëria të shkojë në zgjedhjet  reja parlamentare  kështu  siç është me një drejtësi që nuk ka bërë asgjë konkrete  në funksion të qëllimit për të cilën është reformuar sui generis?  Do të lejojnë riciklimin e establishmentit kështu siç është?  Zgjedhjet pa të reja nga fronti i ndëshkueshmërisë në sferat e larta  do të jenë një  lajm  i keq dhe një   zhgënjim i madh për të gjithë qytetarët që  kanë besuar e besojnë në premtimin amerikan dhe europian. Partnerët e dinë mirë  këtë.  Një gjë do të ndodhë. Kalendari e   lejon ngritjen  në kohën e mbetur  të institucioneve në ndërtim dhe fshirjen e çdo alibie për mosveprim.

Veprimi i drejtësisë, megjithë  rëndësinë e shtuar në këtë periudhë, nuk eklipson në asnjë mënyrë ndikimin përcaktues të faktorëve  klasikë në  fatin e një gare zgjedhore, siç  janë  bilanci dhe projekti i ri nga qeveria, programi, ekipi dhe fryma nga opozita  e kështu me radhë.  Rama   synon dhe shpreson të “ thyejë” rekordin, të jetë i pari kryeministër që  merr një mandat  të tretë në Shqipëri. Ai ka vënë në lëvizje   gjithë makinerinë e tij të opinionbërjes për të ngulitur këtë “ bindje”.  Ka ndërkaq analistë  politikë dhe njerëz të thjeshtë që e mendojnë vetë këtë gjë,  pa qenë në shërbim të  qeverisë.  Gjithkush hyn  në zgjedhje për të fituar.  Është  normale. Në krye të  qeverisë  për tetë vjet me radhë,  Rama do ta ketë të vështirë, për të mos thënë të pamundur  të  bindë   shumicën e  zgjedhësve se taksat e shtuara, të hyrat e shtuara në buxhet për këtë shkak dhe borxhi i rritur tej çdo limiti të arsyeshëm,  pra  gjithë thesi i madh i parave që ka kaluar nëpër duar ai dhe qeveria e tij,  kanë   rritur  mirëqenien konkrete të njerëzve dhe kanë  fuqizuar sipërmarrjen. Në këtë rrafsh,  njerëzit i bëjnë llogaritë parasëgjithash  me rrogat  dhe pensionet  që marrin, që kanë mbetur   në masën dërmuese  në vendnumëro.  Kurse sipërmarrja,  bujqësia dhe agroindustria në radhë të parë,  i bëjnë llogaritë me nxitësit ekonomikë dhe me  mbështetjen financiare që kanë  marrë. Pandemia  nxori në pah  të vërtetën e një ekonomie  fake në shkallën e krahasimit me  vendet fqinje. Ekonomia  është dhe do të jetë fusha e betejës elektorale  të cilën qeveria e ka humbur  që tani.

Sa i takon zgjedhjeve, në një pamje të gjerë, nuk  është në dorën e Ramës  të fitojë për herë të tretë.   Rezultatin e zgjedhjeve e ka në dorë pikësëpari  opozita. Paradoksalisht në pamjen e jashtme të gjërave, Rama mund të përfitojë nga ajo që lë mangët opozita më shumë se sa përfiton opozita nga ajo që lë mangët Rama. Shpjegimi për ketë lidhet me natyrën e  Partisë Socialiste së cilës si rregull i peshon bishti me rëndë se sqepari, siç thotë populli.  Kjo është një temë  së cilës do t’i  kthehemi njëherë tjetër.  Duke njohur e shpjeguar  me realizëm dështimet e qeverisë dhe shterimin e mundësive  të saj për t’u propozuar një projekt të ri shqiptarëve, opozita do të bënte mirë ta bënte lojën e saj njëlloj sikur Rama të kishte qenë i suksesshëm. Programi ,  ekipi, fryma, të tria këto  mbeten fjalë kyçe të ofertës opozitare. Këtu do të doja të shtoja me një theks të ri bashkimin e madh opozitar rreth historisë së PD-së dhe partive aleate.  Tridhjetë vjetori i Lëvizjes  Demokratike të Dhjetorit  dhe i themelimit të PD-së  përbën një rast ideal për ta bërë këtë, jo vetëm me fjalë, por deri  në formën e një eklezie të madhe. Bashkimi me hapje, hapja me përtëritje, përtëritja me  evidentim dhe afrimin të politikanëve të  pakonsumuar që  rrezatojnë  dije, etikë dhe integritet në publik- të gjitha këto janë dëshmuar dje  dhe s’kanë përse të  mos dëshmohen nesër si mjete të fitores. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH