Bjorn Kamberi
Fati i popujve të vegjël shpesh i ka lidhur ata me ikjen, ashtu siç fati i të mëdhenjve i ka lidhur me marrjen, e sa më shumë territoreve e zgjerim në vise të reja që i shpallnin më pas të tyret e andaj nuk kishin pse iknin.
Të tillë na e kanë diktuar edhe neve rrethanat e historisë, e si njerëz të guximit nuk kemi pritur për ta shfrytëzuar mundësinë për të ikur, dhe për të ndërtuar jetën gjetiu. Të tilla kanë qenë prirjet tona që në fillim të historisë sonë politike, aq sa mund të thuhet se mërgata jonë e ka paraprirë ndërtimin e një shteti që qytetarët ta quajnë shtëpi, duke kontribuar në procesin e pavarësisë mbi 100 vite të shkuara.
Sidoqoftë, traumat e thekshme të 40 viteve izolim nën diktaturë akumuluan një dëshirë ikanake që kulmoi në eksodin biblik të 1990-ave, për të vazhduar si lumë që përmbyt rritjen e popullsisë, tharja e ujrave të së cilit mbetet prioritet kombëtar. Për shkak se në ditët e sotme rrethanat janë pjekur në atë masë sa mund t’ia faturojmë një pjesë të mirë të barrës së përgjegjësisë elitave politike, me vlerë do të qe të analizohej qasja programore e forcave politike me qëllim që të shqyrtohet kredibiliteti i zotimeve të tyret. E meqë opozitat për nga natyra e bartin privilegjin e propozimit rishtar e të pa provuar, më poshtë radhiten disa nga perspektivat e ofruara nga opozita e Bashës për të adresuar dramën e emigrimit si edhe analizohet përshtatshmëria e tyre me ZeitGeist-in e halleve të kohës.
Së pari, duhet kuptuar se shkaqet e emigrimit të shqiptarëve në ditët e sotme dhe në vazhdim gjatë dekadës së tretë të mijëvjeçarit të dytë ndryshojnë disi nga ato të fund-shekullit të shkuar. Në rast se në fillim të tranzicionit këto shkaqe lidheshin me padurimin e shqiptarëve për të prekur realitetin e mohuar perëndimor e etjen për liri, çka për të qenë realist i kapërcente mundësitë e qeverive të kohës, shkaqet e sotme me gjasë janë më pak emocionale e më së tepërmi të motivuara prej arsyeve empirike. E pikërisht empirizimi i tyre lidhet me politik-bërjen në Shqipëri dhe paaftësinë e saj për të garantuar një sistem shoqëror, ekonomik dhe politik që do i qëndronte pritshmërive më minimale të një kombi të strapacuar nën tranzicion. Këto arsye lidhen me nevojën për dinjitet, punësim, arsim, shëndetësi, siguri e në përgjithësi me çdo hap të udhës e jetës që i përball shqiptarët në vendin e tyre me pandehma dhe sfida të shumëllojshme. Duke qënë që kjo nevojë e përbashkon shoqërinë, ikja e sotme nuk diferencon mes të shkolluarve dhe të panxënëve, mes të kamurve dhe atyre që mundohen në skamje. Kjo është një ikje e rinisë dhe tkurrje e popullsisë, në tru, në zeje e në muskuj. Pikërisht për ta adresuar këtë uniformitet të dëshirës për largim, plani i opozitës fton qytetarët të kontribuojnë së bashku në ndryshimin që do pasojë rotacionin e 25 Prillit. E konturuar brenda makro-programit për normalitet, oferta e opozitës propozon që me hapa të ngadaltë por të sigurtë dhe me një ndryshim të udhëhequr nga pritshmëria popullore për normalitet, kuptohet me Bashën kryeministër, vendi do të ndryshojë dhe fetish-i për ikje do ndalojë.
Së dyti, duhet kuptuar që emigrimi i shqiptarëve lidhet më së shumti me humbjen e shpresës. Nuk do harruar se gjendja ekonomike dhe qasja në të mira materiale ka ndryshuar radikalisht për pjesën më të madhe të qytetarëve krahasuar me dy a tre dekada të shkuara. Sikurse kanë qenë të mbushura me tollovi këto vite kanë shërbyer edhe si interlud i shqiptarëve drejt një jete më të plotë nga pikëpamja materiale. E sidoqoftë, ky përmirësim i ndjeshëm i konditave ekonomike nuk është reflektuar në bindjen se tempi i ndryshimit është i duhuri. Polarizimi i shtuar në shoqëri, mungesa e rregullave të lojës në shumë sektorë dhe klima konfliktuale në politikë e diskurs publik vazhdojnë ti bind qytetarët se koha kur vendi i tyre do jetë siç e duan është e largët. Ky atentat ndaj shpresës dekurajon edhe ata që ende s’janë bindur që të ikin prej vendit të tyre, duke i vënë nën presionin e ikjes sidomos të rinjtë, që sa nga padurimi për të përmirsuar të ardhmen e tyre aq edhe nga vështirësitë në dukje të pakalueshme, mbruajnë një sinergji ikjeje ashtu siç uji ndjell osmozë. Në këtë pikë roli që opozita duhet të luajë komplikohet. Përveç premtimit për taksa të ulëta, rrugë të shtruara dhe naftë të lire, prej opozitës kërkohet të skicojë ato prespektiva të thjeshta por deri më tash të anashkaluara që do hapnin vizionin popullit drejt plotësimit. Pikërisht për ta çelur këtë dritare shprese, propozimi i fushatës duhet të jetë edhe kreativ edhe me këmbë në tokë. E të tillë e paraqesin Bashën spotet e fundit, besimplotë, të dëgjueshëm, vizionar ama empatik.
Së treti, çështja e emigrimit është një plagë e thellë gangrena e të cilës rrezikon ti këpusë Shqipërisë të ardhmen. E kjo plagë ka degraduar pa mjekim për një kohë të gjatë. Sidoqoftë një temë kaq e prekshme dhe e rëndësishme për familjet shqiptare e shoqërinë nuk ka sesi mos të përdoret në favor të stigmatizimit politik të kundërshtarëve përgjatë një fushate. E për hir të së vërtetës duket se brenda koalicionit opozitar detyrat janë të ndara. Aleatja më e vogël e LSI-së e ka adoptuar me kohë rolin e kambanës së alarmit të shpopullimit, ndërsa PD-ja po adapton një qasje më kontruktive që ofron zgjidhje për problemin. Edhe pse pesha gravitacionale e çështjeve në vetvete bie disi brenda bashkësisë së akuzave që palët i adresojnë njëra tjetrës, do qe naive të thuhej se çështja e emigrimit nuk është një gurë i rëndë për Sizifin e qeverisë. Duke e akuzuar Ramën si shkaktar të ikjes së shqiptarëve që rivalizohet vetëm prej asaj të Sirianëve të lebetitur prej lufte, opozita ka në dorë një fant spathi që energjizon një pjesë të elektoratit që e ka prekur së afërmi dramën e emigrimit. Kundër-karta ama, ajo e zotimit se me të ardhur në pushtet opozita do garantojë ato mekanizma që i luftojnë incentivat për largim, vështirë se e bind dhe orienton taborin e të pavendosurve drejt rotacionit.
Së katërti, Basha synon ta kufizojë problematikën e emigrimit brenda 8 vjeçarit të qeverisë Rama, që është me e freskëta në memorien e publikut. Në thuajse të gjitha spotet elektorale Basha nuk lë rast pa përmendur se ka qënë pikërisht ai solisti i cili përgjatë qeverisë Berisha mundi ti sigurojë shqiptarëve liberalizim të vizave. Për analogji Basha premton se do jetë po ai që do u krijojë atyre kushtet që në Europë të shkojnë vetëm për turizëm, kuriozitet a për të takuar ndonjë të afërm. Edhe pse në skajin e një patetizmi politik, imazhi i Bashës si dhënës i mundësisë për lëvizje të lirë e më pas si restaurues i arsyeve që kjo mundësi mos përdoret për të ikur pa kthim vlen në një fushatë imazhi. Kështu Basha ngjan si një cikël i mbyllur, ndërsa Rama si zbrazësi i Shqipërisë që shpejt do mbushet me Bangladeshas gjithfarë. Edhe nëse nuk bind askënd, një skenar i tillë i shërben hilaritetit që në realtetin tonë politik ndonjëherë vlen sa serioziteti, në mos më shumë.
Me gjasë shkaktarët sistemikë që incentivojnë ikjen e shqiptarëve dhe emigrimin e tyre do e tejkalojnë realitetin politik të mbas 25 Prillit. Këto shkaqe mund të jenë të lidhura edhe me antropologjinë sociale të një vendi të vogël po aq sa me psikologjinë sanguine të njerëzve të dëshiruar për zhvillim. Është detyrë e opozitës, por edhe mekanizëm i fushatës së saj, që të vizatojë një horizont ku përpos integrimit të Shqipërisë në BE si rrugë, ngjas rrënjosja e Europës së dëshiruar kudo në Shqipëri si destinacion. Edhe nëse kjo dëshirë për ikje eështë reflektim i sygjestionit të një populli të vogël, pra alegori e pulës së komshiut si më e dëshiruar se tëndja, është obligim i Bashës që si tregtar i zellshëm idesh për ndryshim, ti bindë shqiptarët se pula jonë jo vetëm që i ka mundësitë të majmet, por po ta ushqejmë me misër të mirë, do pjellë vezë me të cilat të ushqehen cilësisht shumë breza pas nesh. Po si bindi, shqiptarët do vazhdojnë të zgjedhin një vezë në Europë sot, se Shqipërinë si pulë e shumë vezëve mot. E kjo rrezikon ta lërë Bashën ligësht, si kaposh pa pula dhe gjel pa vezë. /Gazeta Liberale