Sociale

Ç'ndodhte në komunizëm, kur një fëmijë 'armik i klasës' dilte në TV

Shkruar nga Liberale
Ç'ndodhte në komunizëm, kur një fëmijë

E ndërsa kujtimet mund të fshihen dhe zhduken me kohën dhe njeriun, janë dokumentet ato që mbesin dhe hedhin dritë mbi ngjarje apo histori të së kaluarës.

Shumë histori të njerëzve të përndjekur në periudhën e komunizmit janë bërë të ditura nga studiues apo media të ndryshme, por gjithmonë që del një fakt i ri, tregon më tepër mbi atë periudhë të errët të jetës së shqiptarëve dhe të mënyrës sesi trajtoheshin 'armiqtë e popullit', pa dallime moshe, gjinie apo prejardhjeje.

Sot më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të fëmijëve, Autoriteti i Dosjeve ka bërë publik një dokument të Sigurimit të Shtetit, në të cilin tregohet sesi trajtohej një fëmijë i talentuar, por me 'biografi të keqe', siç etikoheshin ata që kishin familjarë nëpër burgje.

Në rastin konkret, fëmija ka qenë fitues i një krijimi në revistën “Fatosi” dhe për këtë arsye është ftuar në një emision për fëmijë, transmetuar në Radio Televizionin Shqiptar. Bashkëpunëtori i ish-Sigurimit të Shtetit në Radio Televizionin Shqiptar me pseudonimin "Kalaja", ka zbuluar se gjyshi i fëmijës ishte në burg politik.

Për këtë shkak, shfaqjen e fëmijës në televizion, ai e ka raportuar te autoritetet më datë 22.1.1986, duke u shprehur, se: "një fëmijë me përbërje të keqe politike është shfaqur në një emsision televiziv për fëmijë transmetuar nga Televizioni Shqiptar". Por si u trajtua ngjarja në fjalë?

Sipas dokumenteve që publikuar Autoriteti i Dosjeve në rrjetet sociale, më pas "u bë mbledhje në RTSH dhe në shkollën nga vinte fëmija, se nuk ishin marrë masat e duhura për studimin e biografisë së vogëlushit.

Sipas Sigurimit, edhe shkolla nga vinte fëmija, mësuesja e tij, kryeredaktorja e revistës “Fatosi” dhe regjisorja e programit kishin mbajtur “qëndrim liberal, duke i lënë shteg armikut të klasës të depërtonte në ekran”".

Revista “Fatosi” ishte revistë për fëmijë 6-12 vjeç, e shpërndarë në tirazh të gjerë në vitet ’80. Revista botohej si organ i Komitetit Qendror të BRPSH (Bashkimit Rinor të Punës së Shqipërisë) dhe mbështetej në një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, nxënësish dhe shkrimtarësh të kohës.

[gallery columns="1" size="full" gss="1" ids="1201362,1201365,1201363,1201364"]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH