Aktualitet

Çmimi Nobel në Mjekësi për 3 shkencëtarët që zbuluan Hepatitin C

Shkruar nga Liberale
Çmimi Nobel në Mjekësi për 3 shkencëtarët

Çmimi Nobel i këtij viti iu dha tre shkencëtarëve, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër hepatitit të transmetuar nga gjaku, që shkakton cirrozë dhe kancer të mëlçisë.

Harvey J. Alter, Michael Houghton dhe Charles M. Rice bënë zbulime thelbësore që çuan në identifikimin e një virusi të ri, virusit të Hepatitit C, raporton “Nobelprize”.

Para punës së tyre, zbulimi i viruseve Hepatiti A dhe B solli përparim, por shumica e rasteve të hepatitit të transmetuara nga gjaku mbetën të pasqaruara.

Zbulimi i virusit Hepatit C gjeti shkakun e rasteve të mbetura të hepatitit kronik dhe bëri të mundshme analizat e gjakut dhe të ilaçeve të reja që kanë shpëtuar miliona jetë.

Hepatiti – një kërcënim global për shëndetin e njeriut

Inflamacioni i mëlçisë, ose hepatiti, një kombinim i fjalëve greke për mëlçi dhe inflamacion, shkaktohet kryesisht nga infeksione virale, megjithëse abuzimi me alkoolin, toksinat e mjedisit dhe sëmundja auto-imune janë gjithashtu shkaqe të rëndësishme.

Në vitet 1940, u bë e qartë se ekzistojnë dy lloje kryesore të hepatitit infektiv. I pari, i quajtur hepatiti A, transmetohet nga uji ose ushqimi i ndotur dhe përgjithësisht nuk ka ndikim afatgjatë tek pacienti.

Lloji i dytë transmetohet përmes gjakut dhe lëngjeve trupore dhe përfaqëson një kërcënim shumë më serioz, pasi çon një gjendje kronike dhe zhvillon cerozën ose kancerin e mëlçisë.

Hepatiti i transmetuar nga gjaku shoqërohet me sëmundje dhe vdekshmëri të një niveli të lartë dhe shkakton më shumë se një milion vdekje në vit në mbarë botën, duke e bërë atë një shqetësim shëndetësor global në një shkallë të krahasueshme me infeksionin HIV dhe tuberkulozin.

Rëndësia e këtij zbulimi që mori çmimin Nobel

Zbulimi për virusin e Hepatitit C është një arritje historike në betejën e vazhdueshme kundër sëmundjeve virale. Falë zbulimit të tyre, tani janë në dispozicion teste shumë të ndjeshme të gjakut për virusin dhe këto kanë eleminuar në thelb hepatitin pas transfuzionit në shumë pjesë të botës, duke përmirësuar shumë shëndetin global.

Zbulimi i tyre gjithashtu lejoi zhvillimin e shpejtë të barnave antivirale të drejtuara ndaj hepatitit C. Për herë të parë në histori, sëmundja tani mund të shërohet, duke rritur shpresat për zhdukjen e virusit të Hepatitit C nga popullata botërore. Për të arritur këtë qëllim, do të kërkohen përpjekje ndërkombëtare që lehtësojnë testimin e gjakut dhe vënien në dispozicion të ilaçeve antivirale në të gjithë globin.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH