Krye

Ceremonia e diplomimit në UET përmes emocioneve të 5 ekselentëve të Masterit

               Publikuar në : 09:38 - 25/10/21 liberale

Fjala përshëndetëse e studentëve ekselentëve në ceremoninë e diplomimit Master 2021

Pjesë e ceremonisë së diplomimit të studentëve që mbyllën ciklin Master për vitin akademik 2020- 2021, ishte dhe përshëndetja e 5 ekselentëve, përfaqësues të 5 fakulteteve të UET. Mes emocionesh ata kujtuan rrugëtimin e tyre dhe nuk i kursyen falenderimet për familjarët ddhe pedagogët. Kujtuan kushtet e vështira të diktuara nga pandemia, në të cilat duhet të zhvillonin njohuritë e tyre, por që falë bashkërendimit u bë e mundur kalimi i një situate të vështirë njerëzore, si dhe përmbyllja me sukses e studimeve. Nuk munguan as urimet për kolegët e diplomuar, me shpresën se do të gjejnë suksesin në jetën e tyre.

Margarita Ndoka- Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit

Jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj përvoje. Nuk dua dhe nuk mundem që thjesht të them se kam mbaruar studimet në UET, sepse kam jetuar një eksperiencë të mirë. Shumë e lumtur që jeni të gjithë të pranishëm, pasi në një mënyrë a në një tjetër, të gjithë keni dhënë kontributin tuaj dhe po ndani me ne një gëzim të madh. Ju uroj më të mirat bashkëudhëtarëve në këtë eksperiencë. Jam shumë mirënjohëse ndaj pedagogëve të UET-së, pasi kam gjetur ata pedagogë që është vështirë t’i gjesh në universitete të tjera. Jemi të diplomuarit e vitit online. UET edhe pse në distancë, arriti ta përcjellë atë frymën e UET-it dhe kulturën që ka. Do të na presin vështirësi të tjera, por jam e bindur që kjo është rruga e duhur që na çon te yjet. Edhe pse jemi të diplomuarit e vitit online, kjo i jep vlerë të shtuar gjithë rrugëtimit tonë. Faleminderit!

Hasimi Keçe- Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës

Me ndihmën e Zotit, gjithë- mëshirshmit, mëshirëplotit!

Sot është një arritje shumë e madhe dhe unë kam shumë emocione. Është një sukses shumë i madh ky që kam arritur dhe këtë nuk ia kushtoj tjetër kujt, përveçse prindërve të mi. Atyre që sakrifikuan gjithçka, që unë të shkollohesha dhe edukohesha në kushtet më të mira. Ky sukses është vetëm për ta! Kam bërë një rrugëtim të gjatë dhe kur kthehem pas dhe kujtoj aq shumë njerëz ndaj të cilëve duhet të jem mirënjohës, dua ta filloj nga familjarët dhe miqtë e mi, të cilët janë të shumtë dhe jam i sigurt që po të filloj t’i përmend me emra mund të harroj ndonjë dhe nuk dua ta bëj diçka të tillë. Iu jam mirënjohëse të gjithëve, pa përjashtim, për mbështejten dhe iu them se janë në zemrën dhe lutjet e mia. Nuk mund të lë pa falenderuar mësuesit dhe pedagogët që më kanë dhënë mësim gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, duke filluar që me mësuesit e shkollës 9 vjeçare, me mësuesit e gjimnazit “16 Shtatori” në Shjak, pedagogët e Universitetit Politeknik të Tiranës ku mbarova Bachelorin dhe patjetër me një mënyrë shumë të veçantë me pedagogët e UET ku mbarova Masterin. Gjithë kolegëve të mi që janë këtu sot iu uroj suksese dhe lus Zotin që të na e zbardhë faqen të gjithëve, të jemi të denjë për sakrificën që bënë prindërit tanë. Na priftë e mbara dhe Zoti iu bekatoftë që të gjithëve familjarisht!

Mariela Emiri- Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe arteve Liberale

Pritet që një student Psikologjie të jetë pak imun ndaj emocioneve, por nuk ndodh kështu. Për nga rëndësia, për nga rrugëtimi, për të gjithë njerëzit që kam përballë dhe për të gjithë familjen që kam prezente dhe pedagogët, jamë shumë e emocionuar. Nuk e kisha menduar që do të kisha kaq shumë emocione. Më pëlqen që është kjo frymë në ajër sot. Jam munduar shumë, pasi i jam rikthyer shkollës pas disa vitesh, sepse nuk doja ta lija. Më mungonte ai versioni më i mirë i vetes sime dhe shpresoj që të vazhdoj ta jap. Përshëndes gjithë stafin pedagogjik në UET, gjithë studentët dhe familjarët e tyre. Një përshëndetje e veçantë shkon për familjen time, pasi pa ta dhe mbështetjene tyre, nuk do të isha këtu. Kur shikoj brezin e sotëm, shikoj potencialin që kanë. Nëse gjithë secili nga këta do të ishte i vetëdijshëm se sa shumë mund të japë nga vetja, sa mund të arrijë, sa mund të zbulojë, do të ishtë diçka vërtet premtuese. Më vjen keq që shumica prej tyre nuk e kanë zbuluar akoma këtë pjesë. Unë sigurisht që do të vazhdoj, pasi nuk mbyllet këtu rrugëtimi im. Jam shumë e motivuar, megjithesë jam 38 vjeçe. Jam më e motivuar se kurrë. Jam e martuar dhe kam një vajzë 8 vjeçare që ma bën jetën të lumtur. Por paska diçka që njeriu e kërkon përtej asaj të përditshmes. E kam zgjedhur Psikologjinë për t’i shërbyer, në radhë të parë vetes, pastaj familjes dhe pastaj komunietit ku jetoj. Ju përshëndes të gjithëve!

Violeta Meta- Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Të nderuar prindër, të nderuar pedagogë, të nderuar kolegë!

Ndihem shumë e privilegjuar që ndodhem këtu sot. Në radhë të parë doja të falenderoja familjen time, e cila më ka mbështetur në çdo hap dhe ka besuar që unë mund t’ia dal. Dua të falenderoj stafin akademik, duke qenë se dhënia e dijes është një mision i vështirë. Pa ta dhe përkujdesjen e tyre, një ceremoni e tillë nuk do të ishte realizuar. Gjatë rrugëtimit tim kam përfituar diçka të rëndësishme, që ka qenë njohja e vetes. Aristoteli shprehet, se “të njohësh veten është fillimi i mençurisë”. Unë kam mundur të njoh veten, qëllimet e mia. Ju uroj suksese gjithë kolegëve dhe uroj të arrijnë sa më lartë.

Eda Lleshi- Fakulteti i Shkencave Mjekësore dhe Teknike

Ardhja në UET ka qenë zgjedhja më e mirë që kam bërë për arsimin tim. Jam e lumtur që kam njohur pedagogë kaq të përkushtuar. Dua t’i falenderoj për punën e palodhshme që kanë bërë, edhe pse ne kemi qenë brezi i pandemisë dhe mësimi ka qenë online. Pedagogët nuk kanë munguar kurrë, kemi ndarë shumë eksperienca bashkë, kemi mësuar, kemi bërë bashkëbisedime. Një falenderim të veçantë për pedagogen Elsida Hoxha, pasi ka qenë një mbështetje shumë  e madhe për ne. Falenderoj familjen time për mbështetjen. Suksese gjithë kolegëve!

 

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back