Prej ditësh shkollat kanë hapur dyert për mësim në Maqedoninë e Veriut. Por një situatë aspak normale po ndodh me nxënësit e lagjes Vizbeg, e cila ndodhet vetëm 5 km larg Shkupit.
Për vite me radhë, mbi 250 fëmijë shqiptarë i duhej të udhetonin cdo ditë në këmbë 20 km për të shkuar në shkollat e Çairit, pasi shkolla ishte në ndërtim e siper.
Por më në fund shkolla përfundoi dhe tashmë është gati për të pritur nxënësit.
Këtu ndodh edhe çudia, shkolla është vetëm objekt, pasi aty mungojnë mësuesit.
Një prind që e takuam tek shkolla edhe sot u kthye e dëshpëruar pasi nuk kishte kush ti pranojë dokumentet për regjistrimin e fëmijës së saj.
“Tash e kam në dorë dokumentin, drejtori nuk qenka këtu. Më vonë ta shohim çfarë po ndodh,” -thotë prindi.
Në punë vjen vetëm drejtori i shkollës, ndërkohë pritet vendimi i Ministrisë së Arsimit e cila duhet të vendosë në bazë të kërkesës së shkollës për punësimin e 21 mësuesve.
“Duhet të kemi durim edhe pak. Shpresoj që edhe këtë javë në procedurë të përshpejtuar ti kryejmë të gjitha procedurat që më në fund të gjithë fëmijët të fillojnë me mësim,”-shprehet drejtori i shkollës, Kadri Elezi.
Kjo shkollë u premtohet banorëve të Vizbegut për më shumë se 10 vite.
Nuk ka ministër që nuk ka shkuar për të hedh një lopatë në këtë lokacion, por ende ky institucion arsimor nuk është vënë në funksion.