Maqedoni

"Shefi i pangopur me paratë", roja i sigurisë së diskotekës flet mes lotësh: E njoftova se po hynin të mitur, por më urdhëroi t'i lejoja

Shkruar nga Liberale

"Shefi i pangopur me paratë", roja i sigurisë së

Një ditë pas tragjedisë së Koçanit, ku humbën jetën 59 persona dhe mbetën të plagosur qindra të tjerë nga zjarri i rënë në diskotekë, ka dëshmuar shefi i sigurimit për klubin natës. Dëshmia e tij ka hedhur edhe më shumë dritë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në orët e para të së dielës. 

Blagojço Georgiev ka rrëfyer se njerëzit e tij kishin siguruar prej 2 vitesh klubin, i cili sipas tij ishte veshur në pjesën e brendshme me materialin më të lirë të mundshëm.

Sipas tij, në dy vite bashkëpunim, ka vërejtur një sërë parregullsish, si dhe lakminë e madhe të pronarit të klubit, për të cilin tha se e kishte paralajmëruar për problemet, shtuar edhe faktin që licenca e biznesit ishte e dyshimtë.

“Më dhemb shpirti, ka dy vjet që njerëzit e mi e sigurojnë diskotekën. Shefi është i pangopur, aq shumë i do paratë. E di që e gjithë pjesa e brendshme është e veshur me izolimin më të lirë, sfungjerin! Unë kam qenë prezent teksa po e bënin! Dhe tani dikush do të më akuzojë se po e them këtë? Vetëm në spitalin e Koçanit janë 63 veta deri më tani, fëmijë nën 15 vjeç, 16 vjeç”, tha Georgiev mes lotësh.

Ai ka rrëfyer se e ka marrë në telefon pronarin e klubit dhe e ka njoftuar se në godinë po futeshin dhe të mitur, por ai sipas tij e ka urdhëruar që t'i lejojë. 

“E thirra, e njoftova se fëmijët nën 15 vjeç po hyjnë në diskotekë, ai më tha në rregull, lejoji. Le t’i lënë lekët që t’i fitojmë. Kush dha leje për ta kthyer atë barakë në një disko? Kush e bëri inspektimin? Unë flas për sistemin, jo për individët”, tha ai.

Të paktën 59 persona humbën jetën dhe më shumë se 150 u plagosën në zjarrin që ra në klubin e natës në Koçan, Maqedonia e Veriut. Klubi, siç u zbulua më vonë, funksiononte me një licencë të falsifikuar dhe nga kontrolli u konstatuan një sërë dështimesh të rënda sigurie. Pronari i klubit, i cili tentoi të largohej nga vendi, u arrestua së bashku me 19 persona të tjerë, mes të cilëve edhe ish-zyrtarë të qeverisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH