Vendimi i kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut për datën e zgjedhjeve lokale iu dërgua organeve kompetente për organizimin dhe zbatimin e procesit zgjedhor.
Pas shpalljes së zgjedhjeve lokale, kuvendi do të vazhdojë funksionimin e rregullt administrativ, por nuk do të mbahen seanca plenare, me qëllim që të shmanget keqpërdorimi i foltores së parlamentit për çështje elektorale.
Thirrje kandidatëve për kulturë të lartë politike
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve pjesëmarrës në zgjedhjet lokale të tregojnë kulturë të lartë politike, të shmangin fjalorin përçarës dhe presionet, si dhe të fokusohen tek qytetarët dhe zgjidhjet konkrete për sfidat e tyre.
“Këto zgjedhje janë një mundësi për forcimin e demokracisë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë. Pres një proces të ndershëm, dinjitoz dhe në përputhje me standardet europiane”, deklaroi kryetari i kuvendit të RMV-së Afrim Gashi.
Në zgjedhjet lokale, të tetat në radhë që nga mëvetsimi i RMV-së, qytetarët në dy raunde zgjedhore do të zgjedhin 80 kryetarë të komunave dhe po aq këshilla komunal që do të udhëheqin vetëqeverisjen lokale gjatë katër viteve të ardhshme. Qytetarët në zgjedhjet e tetorit do të votojnë edhe për kryetarin e bashkisë së Shkupit, që përbën njësi të veçantë të administratës lokale.