Gratë e burrave rusë të cilët luftojnë në Ukrainë zhvilluan sot një protestë simbolike: vendosën lule te ushtari i panjohur nën muret e Kremlinit duke kërkuar kthimin e burrave të tyre nga fronti. Një nismë e cila, bëjnë të ditur ata, do të përsëritet çdo të shtunë. Zemërimi po rritet mes tyre ndaj rezervistëve të dërguar për të luftuar me urdhër të Vladimir Putinit në shtator 2022, temë e ndjeshme për autoritetet që deri tani kanë qenë të kujdesshme për të mos shtypur atë që mund të shndërrohet në një lëvizje revolte.
Sot ishin rreth pesëmbëdhjetë gra: ata duruan të ftohtin dhe - sipas AFP - vendosën lule të kuqe në një vend simbolik, në zemër të Moskës. “Ne duam të tërheqim vëmendjen e autoriteteve dhe publikut. Kemi nisur një apel me shkrim për deputetë, zyrtarë, por nuk jemi dëgjuar”, tha Maria, 47 vjeçe. Bashkëshorti i saj u mobilizua në nëntor 2022, më shumë se një vit më parë: “Nuk është e drejtë. Ata janë civilë, ata nuk janë ushtarë, nuk mund të qëndrojnë atje kaq gjatë”, tha ajo për France Press.
Policia nuk ndërhyri edhe pse në Rusi çdo fillim proteste zakonisht shtypet, shenjë kjo që tregon se çështja e luftës është e ndjeshme për Kremlinin. Paulina, nënë e një fëmije një vjeç, nënvizon se veprimi i tyre është “i vetmi veprim paqësor që ende nuk është i ndaluar me ligj: kam përshtypjen se i shqetësojmë. Por askush nuk do të heshtë. Do të dalim çdo ditë, çdo të shtunë, do të hedhim lule” për të tërhequr vëmendjen, vijon ajo. Aktivizmi i grave të ushtarëve të mobilizuar - pothuajse 250 mijë prej tyre në front sipas të dhënave të fundit nga Putin - është injoruar kryesisht nga media shtetërore ruse, ndërsa Kremlini synon të tregojë një imazh të unitetit rreth presidentit. edhe në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të marsit.
Sakaq, të paktën njëmbëdhjetë njerëz janë vrarë, përfshirë pesë fëmijë dhe tetë të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse në rrethin Pokrovsk të rajonit Donetsk të Ukrainës. Kreu i administratës ushtarake rajonale, Vadym Filashkin, e bëri të ditur lajmin në një postim në Telegram. Sonte, "rusët goditën zonën me raketa S-300, duke vrarë 11 persona dhe duke plagosur 8 të tjerë. Goditja kryesore ndodhi në Pokrovsk dhe Rivne, në komunitetin e Myrnograd", shkroi zyrtari. “Armiku po synon në mënyrë cinike civilët, duke u përpjekur të sjellë sa më shumë mjerim në tokën tonë. Ata do të ndëshkohen për gjithçka", theksoi ai.
/Liberale.al/