Nga Çun Lajçi
AFROHUNI TEK KY MILIARDER I FJALËS QË SHET LIBRA
“Ke vila me qiraxhinj” – më shkroi një grua, e ikur në Oslo!
“Shko jeto në vilat e tua, e mos rri rrugëve me libra si lypës!”
Sa shumë më vrau!
E mori vesh vetëm Perëndia.
Buzë Bistricës u ula… dhe shkrova:
Dua të jetoj për veten time – edhe pak,edhe shumë.
Dua të jetoj derisa të më mbajë shpina drejt, e balli të mos më turpërohet nga pasqyrat e sytë tuaj të rrejshëm!
Si jam dhe çfarë kam – e di unë, moj e truar!
Dhe më shumë se unë, e di Ai që më fali këtë jetë, jo për ta rrojtur si lypës, por për ta jetuar me dinjitet.
Jo duke u lutur për dardhën që s’bie kurrë, por duke mbjellë rrënjë të reja, qoftë edhe në tokë të thartë.
Mos ma qani hallin!
Kam duar dhe këmbë si ju.
Sytë e mi shohin – edhe kur më buzëqeshni nga mëshira, edhe kur më përqeshni nga padija.
Mos ndjeni keqardhje për “shkrimtarin shitës” – harrojeni ç’kam qenë!
Shikoni kush jam sot:
Një njeri që përpiqet t’ju vijë aty ku jeni, përmes fjalëve,
jo një që pret të vini ju në këmbët e tij.
Jam i pasur – edhe më shumë seç mendon ti, që strukësh xhepave nordike.
Mos u mërzitni ç’ha, ku ha, me kë ha.
S’kam nevojë për pjekurina e për pjata të arta.
Më mjafton buka, djathi, e uji që fal Zoti, e ajri që nuk na e ka faturuar ende askush.
E dini sa borxh i kemi Atij që na mësoi të marrim frymë?
E ne, në vend që ta falënderojmë, garojmë kush do të shtypë më shumë njerëz nën këmbë?
Shes librat e mi, dhe kur e di që dikush i ka lexuar – atëherë e ndiej se pasuria shtohet.
Shpirti më fryhet si kalliri që del mbi bar.
Mos më matni me veturat tuaja të reja, me zinxhirë floriri e unaza.
Ato janë lodra.
Unë jam një bojaxhi fjale, një mbledhës zëri të heshtur.
Një peshore që mat peshën e zemrës në secilën faqe.
Mos u krekosni bulevardeve t'huaja e për arin në gishtat e hollë,
kur unë në çdo germë kam hedhur dhimbjen, mallin, dashurinë e këtij vendi që mezi na mban në shpinë.
Afrohuni tek ky miliarder i fjalës që shet libra!
Mësoni nga unë – si fitohet paraja pa u shitë,
si blihet dija pa e humbur shpirtin.
Prishtinë, 05.08.2025