Ndoshta duhet të ishte zhvilluar më shpejt, me siguri do të zhvillohet më shpesh.
Mijëra qytetarë dolën në protest në Prishtinë kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale kundër ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen padrejtësisht “për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” në vend që akuza të adresohet për pushtuesin dhe ata që masakruan mijëra qytetarë të pafajshëm.
Me organizim të veteranëve të luftës, mijëra njerëz nga qytete të ndryshme të Kosovës u mblodhën në sheshin “Skenderbeu” të Prishtinës dhe kërkuan lirimin e ish krerëve të UÇK.
Kreu i organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, në fjalën e tij para protestuesve tha se sot rrezikohet e vërteta e luftës së UÇK.
Sipas tij, Gjykata special po përhap narrativën e rreme se Kosova është çliruar nga kriminelët.
Në protestë ishte edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Në protestën masive të veteranëve në Prishtinë, një nga zërat më të fortë dhe më të rëndësishëm ishte ai i ish-hetueses së Gjykatës së Hagës, Nevenka Tromp. Në fjalën e saj para mijëra pjesëmarrësve, ajo ngriti shqetësimin për vonesat në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Katër ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Qëndrimi për pesë vjet në paraburgim është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut nga veteranët në Kosovë.
Procesi gjyqësor ka nisur që në prill të vitit 2023. Më 16 prill të këtij viti, Zyra e Prokurorit Special njoftoi se kishte përfunduar paraqitjen e provave kundër ish-krerëve të UÇK, të cilët janë në pritje të gjykimit