Të premten, më 8 gusht, përfundon afati i masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Ky vendim pritet të publikohet, pasi muajin e kaluar Kushtetuesja urdhëroi deputetët të mos ndërmerrnin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht në lidhje me konstituimin e Kuvendit, derisa po i shqyrton dy lëndë.
Kushtetuesja tha se po i shqyrton si lëndë të përbashkëta kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat kishin kërkuar sqarime për çështjet kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Nuk është e qartë nëse ajo do ta shqyrtojë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, në lidhje me atë se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi – pasi presidentja e tërhoqi kërkesën më 5 gusht, për shkak të gjyqtarit Radomir Llaban.
Në aktgjykimin e saj të parë për çështjen e konstituimit të Kuvendit, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të mosrespektimit të vendimit të saj.
Po ashtu, Kushtetuesja nuk sqaroi nëse do ta shqyrtojë apo jo kërkesën e presidentes pasi ajo e tërhoqi atë, por tha se ajo “trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara” dhe se është e “drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara”.
Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit me seli në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se paraliza institucionale është duke e cenuar edhe shtetësinë, edhe rendin kushtetues të Kosovës.
“E thënë troç, vullneti popullor dhe interesat madhore shtetërore po rrezikojnë të bëhen kurban i egove të papjekura dhe ambicieve dritëshkurtra politike. Populli i Kosovës, as nuk e meriton, as duhet ta pranojë këtë ndëshkim”, deklaroi ai.
Për shkak të krizës politike, sipas Gëzim Visokës, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, Kosovës i kanosen dy rreziqe të mëdha. E para, sipas tij, është që mund të ketë kushtëzime dhe imponime të reja ndaj Kosovës, të cilat më parë nuk kanë qenë reale.