Përpjekja e rrjetit TikTok për të përmbysur një ligj që do ta ndalonte ose do ta shiste atë në SHBA nga fillimi i vitit 2025, është refuzuar.
Kompania e mediave sociale kishte shpresuar se Gjykata Federale e Apelit do të mbështeste argumentin e saj se ligji ishte jokushtetues.
Avokatët e TikTok i thanë gjykatës në shtator se një ndalim do të kishte një ndikim "madhor" në lirinë e fjalës së 170 milionë përdoruesve të tij në SHBA.
Teksa kanë mohuar argumentin e TikTok se ligji ishte antikushtetues, gjyqtarët thanë se ligji nuk “bie ndesh me Amendamentin e Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara” dhe as “shkel garancinë e Amendamentit të Pestë për mbrojtjen e barabartë të ligjeve”.
"Ligji ishte krijuar me kujdes për t'u marrë vetëm me kontrollin nga një kundërshtar i huaj dhe ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të kundërshtuar një kërcënim të mirë-bazuar të sigurisë kombëtare të paraqitur nga PRC (Republika Popullore e Kinës)", thiuhet në vendim.
SHBA dëshiron që TikTok të shitet ose të ndalohet për shkak të lidhjeve të pronarëve të tij me shtetin kinez – lidhje që TikTok dhe kompania mëmë Bytedance i kanë mohuar gjithmonë.
TikTok dhe kompania e tij mëmë tani mund të zgjedhin ta çojnë luftën e tyre të vazhdueshme kundër ligjit në gjykatat më të larta në SHBA - duke përfshirë Gjykatën e Lartë, autoritetin e saj më të lartë.
Fitorja e Donald Trump në Zgjedhjet Presidenciale të 2024 në SHBA mund të paraqesë gjithashtu një litar shpëtimi për aplikacionin.
Pavarësisht përpjekjes së pasuksesshme për të ndaluar TikTok gjatë mandatit të tij të parë në 2020, ai tha në prag të zgjedhjeve të nëntorit se nuk do të lejonte që ndalimi i TikTok të hynte në fuqi./Liberale.al