Yoon Suk-yeol, ish-presidenti i Koresë së Jugut, i cili ishte izoluar në banesën e tij në Seul, kryeqytet i vendit, të mërkurën në mëngjes është arrestuar, pasi akuzohet për grusht shteti dhe tradhti kombëtare.
Prokurorët kanë vendosur ta mbajnë për dy ditë në paraburgim, pasi Yoon do iu nështrohet pyetjeve, ndërsa më pas mund t’u kërkohet gjykatësve arrestimi i tij. Ish-presidenti akuzohet për kryengritje dhe tradhti të lartë, pasi vendosi gjendjen ushtarake në vend më datë 3 dhjetor. Përveç hetimit penal për të cilin edhe u arrestua, Yoon iu nënshtrua edhe procedurave të shkarkimit dhe u pezullua nga detyra.
Policia tentoi ta arrestojë në fillim të muajit janar, por pas rezistencës së oficerëve të sigurimit personal, ajo u tërhoq. Në orët e para të ditës së sotme, policia realizoi një operacion të ri, ku morën pjesë rreth 3000 efektivë. Kolona autobusësh dhe furgonë bllokuan rrugët kryesore rreth rezidencës së tij, duke penguar të gjithë trafikun e transportit publik dhe privat.
Arrestimi i Yoon ishte kompleks dhe në njëfarë mënyre spektakolar. Oficerëve të policisë iu desh të hiqnin telat me gjemba që ishin vendosur nga shërbimi i sigurisë së presidentit rreth pallatit dhe më pas përdorën shkallët për të kapërcyer disa automjete që ishin grumbulluar menjëherë pas hyrjes, duke formuar një lloj barrikade. Oficerë të tjerë arritën në brendësi të kompleksit të banimit, i cili ndodhet në një zonë kodrinore, nëpërmjet disa shtigjeve.
Kur policia arriti në hyrje të ndërtesës, oficerët e sigurisë së Yoon nuk rezistuan më. Yoon ra dakord për arrestimin, i cili u transportua më pas nëpërmjet një makine presidenciale drejt ambienteve të paraburgimit. Para se të arrestohej, Yoon publikoi një video-mesazh prej tre minutash, duke deklaruar “se shteti ligjor është shembur plotësisht në këtë vend”. Ai e konsideroi hetimin “të paligjshëm”, por konfirmoi se kishte rënë dakord për marrjen në pyetje me qëllim shmangien e përplasjeve të mëtejshme mes policisë dhe agjentëve të shërbimit të sigurisë. Operacioni zgjati gjithsej pesë orë. Ndërkohë, rreth 6000 mbështetës të ish-presidentit, ishin mbledhur aty pranë në përpjekje për të parandaluar arrestimin.
Yoon është presidenti i parë i Koresë së Jugut që arrestohet ndërsa ishte në detyrë (ai u pezullua për shkak të shkarkimit, por vendimi duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese) Prokurorët u thanë gazetarëve se ai qëndroi i heshtur gjatë dy orëve të para të marrjes në pyetje.
Yoon është 64 vjeç, anëtar i Partisë të Pushtetit Popullor dhe kishte marrë detyrën në vitin 2022. Me datë 3 dhjetor, njoftoi papritur zbatimin e ligjit ushtarak, një masë që i jep ushtrisë fuqi të jashtëzakonshme, duke ndaluar çdo aktivitet politik, përfshirë edhe atë parlamentar, duke i dhënë qeverisë kontrollin e medias dhe duke ndaluar çdo formë proteste. Ai e justifikoi një veprim të tillë me argumentin se donte të ndalonte disa operacione armiqësore nga Koreja e Veriut, por menjëherë u bë e qartë se në fakt, ishte një përpjekje për të shtypur opozitën. Atë ditë forcat politike në parlament votuan pro anulimit të masës dhe Yoon duke mos pasur rrugë tjetër u detyrua të heqë ligjin ushtarak, i cili për këtë arsye qëndroi në fuqi për më pak se gjashtë orë.
Më 14 dhjetor, parlamenti i Koresë së Jugut votoi për shkarkimin e Yoon dhe sipas ligjit, ai u pezullua nga detyra, ndërsa më 14 janar (dje) filluan seancat me të cilat Gjykata Kushtetuese do të duhet të përcaktojë nëse vendosja e ligjit ushtarak ishte antikushtetuese dhe nëse mund të konsiderohet kjo një tentativë për grusht shteti.
Ish-presidenti akuzohet për tradhti të lartë ndaj shtetit dhe nëse shpallet fajtor nga gjykata, do të përballet me burgim të përjetshëm ose me vdekje./Përgatiti Liberale.al/