Globi

Mijëra njerëz në Gjeorgji protestojnë kundër ligjit për “agjentët e huaj”

Shkruar nga Liberale
Mijëra njerëz në Gjeorgji protestojnë kundër ligjit

Mijëra gjeorgjianë kanë protestuar para ndërtesës së Parlamentit të enjten në Tbilisi, duke kërkuar që Qeveria ta tërheqë menjëherë një projektligj kontrovers për “agjentët e huaj”.

Deputetët gjeorgjianë e kaluan në lexim të parë këtë projektligj, përkundër thirrjeve nga grupet e shoqërisë civile dhe nga disa qeveri perëndimore, sipas të cilëve projektligji është kopje e ligjit rus për “agjentët e huaj”, të cilin Moska e ka përdorur për t’i luftuar zërat kundërshtarë.

Poeti Rati Amaglobeli, duke folur në protestë të enjten, tha se Qeveria e ka një orë kohë për ta shfuqizuar projektligjin, në të kundërtën “do të përballet me vullnetin e pathyeshëm të popullit gjeorgjian”.

Pak orë më herët, 83 deputetë e mbështetën projektligjin në leximin e parë, ndërsa asnjë nuk votoi kundër.

Nuk ka pasur reagime të menjëhershme nga zyrtarët qeveritarë, apo nga partia në pushtet e Gjerogjisë, Ëndrra Gjeorgjiane, e cila e risolli këtë projektligj që do t’i detyronte kompanitë e financuara nga jashtë të regjistrohen si agjente të huaja.

Ky legjislacion, i cili nxiti protesta të mëdha kur u soll vitin e kaluar, duke e nxitur Qeverinë ta tërheqë projektligjin, parasheh gjithashtu edhe kompetenca të mëdha mbikëqyrëse për autoritetet dhe dënime të mundshme penale për vepra të paspecifikuara penale.

“Pyes, a është kërkesë e jona tërheqja e këtij ligji sot? Po, sot! Ata duhet ta bëjnë një deklaratë politike sot, siç e bënë vitin e kaluar”, tha Amaglobeli para turmës.

Ai nuk tregoi se çfarë planesh kishin protestuesit, nëse projektligji nuk shfuqizohet.

Leximi i dytë dhe përfundimtar i këtij projektligji është caktuar të mbahet më 17 maj.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, tha për BBC se ajo do të përdorë veto kundër projektligjit, nëse ai kalon në leximin e dytë.

Zurabishvili tha se shqetësimi i saj kryesor është se projektligji në fjalë është “tamam kopje e ligjit të [presidentit rus Vladimit] Putin”.

Megjithatë, Zurabishvili tha se partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane ka mjaft deputetë për ta rrëzuar veton e saj.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuar me kalimin e këtij projektligji në lexim të parë./REL

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH