Globi

Izrael-Iran, një miliard dollarë për luftën gjashtë orëshe. Sa do të kushtonte një konflikt i ri në Lindjen e Mesme?

Shkruar nga Liberale

Izrael-Iran, një miliard dollarë për luftën gjashtë

(Shifrën e ka bërë të ditur zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, i cili shpjegoi se vetëm për të përgjuar 99% të dronëve dhe raketave iraniane u shpenzuan 1 miliard dollarë

Tensioni në rritje midis Izraelit dhe Iranit, që kulmoi me sulmin raketor, ngre pyetje të rëndësishme në lidhje me qëndrueshmërinë ekonomike të një konflikti të mundshëm të zgjatur jo vetëm për shtetin hebre, por edhe për aleatët e tij perëndimorë, tashmë të angazhuar në fronte të tjera si ai ukrainas. Ky konfrontim i fundit, i karakterizuar nga përdorimi masiv i dronëve prej Teheranit dhe raketave si dhe reagimi efektiv por shumë i shtrenjtë mbrojtës i Izraelit, ka nxjerrë në pah një pabarazi të dukshme në  kosto midis operacioneve ushtarake të dy pretendentëve.

Ndërsa Irani shpenzoi rreth 30 milionë dollarë për sulmin e tij, Izraeli bëri shumë më tepër kosto. Sipas përllogaritjeve, vetëm rrëzimi i raketave dhe dronëve iranianë i kushtoi Izraelit mbi 550 milionë dollarë, ku duhet shtuar edhe shpenzimet e bëra nga aleatët perëndimorë (Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Anglia) për mbrojtjen e përbashkët. Në total shpenzimet do të arrinin një miliard dollarë. Kjo u zbulua nga zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari, i cili shpjegoi se kostot ishin shumë të larta për të përgjuar 99% të dronëve dhe raketave iraniane.

Kjo shifër merr parasysh edhe kostot e bëra për të mbajtur 100 avionë luftarakë izraelitë në ajër për gjashtë orë.

Strategjikisht dhe politikisht, tensionet me Iranin përfaqësojnë një dilemë për Izraelin dhe aleatët e tij. Përgjigja ushtarake, megjithëse teknikisht efektive, mbart me vete një barrë të konsiderueshme ekonomike. Për më tepër, hapja e një fronti të ri lufte në një kohë kur Perëndimi është i angazhuar në Ukrainë mund të rezultojë i paqëndrueshëm. Shfaqja e forcës së Iranit, thjesht simbolike sipas disa analistëve, sugjeron se çdo përshkallëzim mund të degjenerojë lehtësisht në një konflikt më të gjerë, me pasoja të paparashikueshme. Aleatët perëndimorë, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, do t'i shihnin burimet e tyre ekonomike nën stres shumë të madh me një konflikt të ri në shkallë të gjerë.

Një konflikt i zgjatur midis Izraelit dhe Iranit mund të ketë pasoja të rëndësishme jo vetëm rajonale, por edhe globale. Tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar historikisht në tregjet globale të energjisë dhe financiare, duke rritur pasigurinë dhe rreziqet për ekonominë globale. Në këtë kontekst, një përkeqësim i mëtejshëm i situatës mund të çojë në një rritje të çmimit të naftës, me efekte të dëmshme në inflacion dhe në rritjen ekonomike botërore. Në një periudhë pasigurie të përgjithshme, me ekonomitë që ende po rikuperohen nga pandemia dhe nën presionin e konflikteve të tjera ndërkombëtare, hapja e një fronti të ri në Lindjen e Mesme duket potencialisht e paqëndrueshme.

/Përgatiti: Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH