Globi

Sulme izraelite gjatë natës në Gazë, humbin jetën 67 palestinezë

Shkruar nga Liberale

Sulme izraelite gjatë natës në Gazë, humbin jetën 67

Të paktën 67 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite nëpër Rripin e Gazës gjatë natës dhe mëngjesit të së mërkurës, përfshirë në zonat ku civilëve u është kërkuar të strehohen.

Spitali Al-Aqsa në Deir al-Balah thotë se i ka pranuar 44 trupa pas sulmeve të shumëfishta në Gazën qendrore. Associated Press raporton se ka parë ambulanca dhe automjete private duke sjellë trupa në këtë spital.

Grupi Mjekët pa Kufij tha të mërkurën se dy njerëz u vranë kur një strehimore ku po qëndronte stafi në Rripin e Gazës u godit nga një sulm gjatë një operacioni izraelit në një zonë ku palestinezëve u ishte thënë se duhet të kërkojnë strehim.

“Derisa informatat janë duke ardhur ende, ambulancat kanë mbërritur në vendngjarje tani, ku së paku dy anëtarë të një familjeje, kolegë tanë, janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur. Ne jemi të tmerruar nga ajo që ka ndodhur”, shkroi ky grup në rrjetin social X.

Sulmi ndodhi në Muwasi, një pjesë ranore, e pazhvilluar e tokës përgjatë bregdetit, e cila është shndërruar në një kamp tendash për palestinezët e zhvendosur, i cili ofron pak shërbime bazike.

Lufta nisi kur pjesëtarët e grupit të shpallur terrorist nga SHBA-ja, Hamas, e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer afro 250 pengje. Rreth një e katërta e afro 130 pengjeve, që janë duke u mbajtur ende në Gazë, besohet se kanë vdekur.

Izraeli e ka bërë rrafsh me tokën shumicën e territorit palestinez si përgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit. Më shumë se 29.000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite prej atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH