Globi

43 vende të botës kërkojnë një hetim ndërkombëtar të pavarur për vdekjen e Navalny

Shkruar nga Liberale

43 vende të botës kërkojnë një hetim

Gjithsej 43 vende, duke përfshirë SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, lëshuan këtë të hënë një thirrje të përbashkët për një hetim ndërkombëtar për vdekjen e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, ndërsa ishte në paraburgim në Rusi.

Ne jemi të indinjuar nga vdekja e politikanit opozitar Alexei Navalny, për të cilën Presidenti (i Rusisë) Vladimir Putin dhe autoritetet ruse mbajnë përgjegjësinë përfundimtare,” i tha ambasadorja e BE-së Lotte Knudsen në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, në deklaratat e saj në emër të 43 shtete.

Një kritik i vendosur i Vladimir Putinit, Alexei Navalny vdiq më 16 shkurt në rrethana misterioze në një koloni penale të Arktikut, ku po vuante një dënim 19-vjeçar për “ekstremizëm” dhe u varros të premten në Moskë. Vdekja e tij shkaktoi dënimin e vendeve perëndimore.

“Rusia duhet të autorizojë një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe transparent për rrethanat e kësaj vdekjeje të papritur”, vlerësojnë 43 vendet, duke theksuar, në një deklaratë për shtyp, se kjo vdekje është “një tjetër tregues i represionit gjithnjë në rritje dhe sistematik në Rusi”.

Këto vende në përgjithësi i bëjnë thirrje Rusisë që të lirojë të burgosurit politikë, gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe kritikët e luftës në Ukrainë.

“I bëjmë thirrje Federatës Ruse t’i japë fund kësaj klime mosndëshkimi dhe të krijojë një mjedis pa rrezik për opozitën politike dhe zërat kritikë”, nënvizojnë ato.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH