BE

Të paktën 16 viktima si pasojë e përmbytjeve në shtetet europiane

Shkruar nga Liberale
Të paktën 16 viktima si pasojë e përmbytjeve në shtetet

Të paktën 16 persona kanë vdekur si pasojë e përmbytjeve masive që kanë goditur Europën Qendrore të hënën.

Gjashtë persona kanë vdekur në Poloni dhe një në Çeki, raporton The Gaurdian.

Pas një mbledhjeje emergjente me qeverinë, kryeministri polak Donald Tusk ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në zonat e përmbytura për të lehtësuar operacionet e evakuimit dhe shpëtimit, si dhe ta përshpejtojë mbështetjen financiare për viktimat.

Në një konferencë shtypi, Tusk ka thënë se Ministria e Financave deri më tani ka caktuar 258 milionë dollarë për pagesa të menjëhershme.

Uji është tërhequr nga këto zona deri tani, duke i lënë rrugët të mbuluara me mbeturina dhe baltë, ura të dëmtuara dhe disa diga të plasaritura. Shkollat dhe zyrat në zonat e prekura janë mbyllur dhe uji i pijshëm e ushqimi i janë dërguar njerëzve përmes kamionëve. Shumë qytete, duke e përfshirë Varshavën, kanë bërë thirrje për donacione të ushqimit për të mbijetuarit e përmbytjes.

Ekspertët janë duke paralajmëruar për përmbytje në Opole, qytet me rreth 130 mijë banorë, ku uji i lumit Oder ka arritur nivele të larta dhe ka filluar të derdhet në disa pika. Shqetësime janë ngritur edhe në qytetin e Ëroclaë, vend i rreth 640 mijë banorëve, ku vala e përmbytjes pritet të godasë të mërkurën.

Numri i viktimave të përmbytjeve në Poloninë jugperëndimore është rritur në gjashtë, pasi është gjetur trupi i një kirurgu, dy burrave të tjerë dhe dy grave.

Policia në Çeki ka thënë se një grua është mbytur në verilindje, e cila është goditur nga reshje rekord që nga e enjtja. Shtatë persona rezultojnë të zhdukur deri tani.

Përmbytjet kanë shkaktuar vdekjen e gjashtë personave në Rumani dhe tre në Austri.

Autoritetet çeke shpallën gjendje të jashtëzakonshme në dy rajone verilindore, të cilat kanë përjetuar përmbytjet më të mëdha, duke i përfshirë malet Jeseniky pranë kufirit polak.

Ujërat që janë tërhequr nga zonat malore të hënën, kanë lënë pas shtëpi dhe ura të shkatërruara dhe rrugë të dëmtuara. Në pjesë të tjera të vendit, kushtet priten të përmirësohen të hënën.

Përmbytjet që lëviznin drejt Çekisë juglindore përmbyti qytetin Litovel, ndërsa lumi Oder përmbyti pjesë të qytetit të Ostravës, duke detyruar më shumë evakuime të hënën.

Autoritetet në Ostrava, qyteti i tretë më i madh i vendit, paralajmëruan kundër udhëtimit atje. Shumë shkolla u mbyllën dhe shumica e njerëzve ishin pa ujë të ngrohtë dhe ngrohje. Zyrtarët thanë se rreth 120 mijë familje ishin pa energji të hënën në mëngjes në mbarë vendin.

Pasi përmbytjet goditën Austrinë, Çekinë, Poloninë dhe Rumaninë, mund ta godasin edhe Sllovakinë de Hungarinë.

Në Hungari, bashkiaku i Budapestit i ka paralajmëruar banorët se përmbytjet më të mëdha priten ta godasin kryeqytetin më vonë gjatë javës, me ujërat e lumit Danub që do të depërtojnë në kanalet e poshtme të qytetit deri të martën në mëngjes.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, i anuloi angazhimet e tij të planifikuara jashtë vendit, duke përfshirë një fjalim në një seancë plenare të Parlamentit Evropian të mërkurën, ku priten debate të nxehta rreth sjelljes së tij, që kur Hungaria mori presidencën e Bashkimit Europian në korrik.

“Derisa ta arrijmë kulmin dhe ta kalojmë më të keqen, natyrisht që nuk do të largohem nga vendi, do të jem këtu në shtëpi”, ka thënë Orbani.

Kryetari i bashkisë së Budapestit, Gergely Karacsony, shkroi në Facebook se qyteti do të përdorë 1 milion thasë me rërë për ta forcuar mbrojtjen nga përmbytjet dhe u kërkoi banorëve të kenë kujdes të shtuar kur t’i afrohen lumit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH