Lideri i PD-së Lulzim Basha deklaroi se nuk do të bëjë qeveri së bashku me Edi Ramën. I pyetur nëse do të ndërtonte koalicion me PS-në duke qenë se kjo tezë është hedhur si ide për të qetësuar klimën politike apo për të shtruar rrugën drejt integrimit drejt BE-së, Basha ishte i prerë.
“Përqasja ime është një mjet për të arritur objektivat me të cilat kam kërkuar dhe kam marrë votat e qytetarëve. Dhe unë nuk shkoj kërkoj votat e qytetarëve që të bëj qeveri me Ramën sepse për mua Rama, ministrat e tij duhet të mbajnë përgjegjësi politike dhe penale. Vendi duhet t’i japë fund pandëshkueshmërisë”, tha Basha në Opinion.
Basha tha se kur të vijë në pushtet do ta kufizojë mandatin e Kryeministrit në vetëm 2 të tillë. “Çfarë nuk arrin dot për 2 mandate nuk e arrin dot për një mandat të tretë dhe kjo më sjell pikërisht tek një nga propozimet që kam për institucionet.
Kufizimi në 2 mandate i kryeministrit është zotimi im dhe unë këtë do ta bëj ligj, do ta bëj në Kushtetutë. Nëse parlamenti i ardhshëm nuk e pranon një propozim të tillë, që nuk kam arsye të besoj që nuk do ta pranojë, unë do t’i drejtohem qytetarëve me referendum dhe një nga normat do të jetë kufizimi i pushtetit. Pushteti absolut është një nga arsyet pse kemi ardhur këtu”.
Sa i përket procesit të zgjedhjes së kandidatëve për listat për zgjedhjet e ardhshme, Basha tha se partia është e hapur edhe për kritikët. I pyetur konkretisht për Jozefina Topallin dhe pjesën tjetër të ‘gardës së vjetër’ që përjashtoi në 2017, lideri demokrat tha “Absolutisht për çdo emër”. Në fund, ai tha se mjekët kanë njoftuar një grevë.