Aktualitet

Balla: Meta ta mbajë fjalën, të japë dorëheqjen më 26 prill

Shkruar nga Liberale
Balla: Meta ta mbajë fjalën, të japë dorëheqjen më

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj me po të njëjtën gjuhë të ashpër deklaratës së Presidentit Ilir Meta, se “do të jap dorëheqjen më 26 prill, nëse Edi Rama fiton 71 mandate pa i vjedhur”.

I ftuar në emisionin “Real Story” në News24, numri dy i PS tha se Ilir Meta duhet ta mbajë fjalën dhe të dorëhiqet më 26 prill, duke shtuar i bindur se PS fiton sërish zgjedhjet parlamentare.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse PS fiton zgjedhjet, por Presidenti Meta nuk i dekreton duke mos i dhënë të drejtë kryeministri Edi Rama të formojë qeverinë e re, Balla deklaroi se Rama do të vijojë të qeverisë me qeverinë aktuale, derisa Gjykata Kushtetuese ta zgjidhë çështjen.

“Presidenti ka zero kompetencë për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve. Nuk ka asnjë lloj kompetence. Unë dua t’i them Ilir Metës publikisht që ta mbajë fjalën e dhënë para shqiptarëve dje se më 26 prill do të japë dorëheqjen, sepse jo vetëm që do të fitojmë në mënyrë të ndershme, por dua të them që Ilir Meta po imponohet për ta shndërruar 25 prillin në një referendum kush është pro dhe kush është kundër reformës në drejtësi, sepse bashkë me Lulzim Bashën, nëse lexoni marrëveshjen e tyre, kuptoni se këtu bëhet fjalë për një përpjekje për të zhbërë reformën në drejtësi.

Ai po bën një referendum kundër reformës në drejtësi, por shqiptarët do t’i japin përgjigjen në numër shumë të madh. Ne kemi edhe zgjedhje, edhe zgjidhje. Për fat të mirë në Shqipëri kemi një Gjykatë Kushtetuese. Presidenti nuk ka asnjë kompetencë për të zhbërë rezultatin e zgjedhjeve. Presidenti nuk është as palë në zgjedhje për të bërë ankimime. Kuvendi mblidhet më 9 shtator, besoj se deri atëherë Ilir Meta do ta ketë mbajtur fjalën dhe do ketë dhënë dorëheqjen. Deri në konstituimin e Parlamentit të ri, Kuvendi merr kompetencat e Presidentit.

Derisa Gjykata Kushtetuese të zgjidhë këtë çështje, pra mungesën e dekretit të Presidentit për t’i dhënë të drejtë Ramës të prezantojë qeverinë e re, kryeministri Rama do të vazhdojë detyrën me qeverinë aktuale. Pra, çdo lloj përpjekje e Ilir Metës, siç e mori përgjigjen në qershor të vitit 2019, do të ketë të njëjtën përgjigje edhe tani. Shqiptarët do të vazhdojnë të kenë qeverinë e tyre për t’u marrë me hallet e tyre. Qeverisja jonë nuk do të ndërpritet për asnjë moment”, u shpreh Balla.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH