Moderatorja Ori Nebiaj ka folur pas largimit të saj nga "Përputhen". Tashmë emisionin do ta prezantojë sërish moderatorja Bora Zemani, e cila sipas Orit është zgjedhja e duhur për ta moderuar emisionin e dashurisë.
"Përveç Borës mendoj se askush tjetër nuk mund të më pasojë në Përputhen. Ajo u identifikua me Përputhen dhe publiku e do. Unë me Borën njihem shumë vite përpara. Kemi qenë të dyja në një tjetër televizion. Atëherë isha unë në një emision ku ika dhe e vazhdoi Bora. Tani ishte Bora në një emision dhe e vazhdova unë. Tani unë po iki prapë dhe po e vazhdon Bora", tregoi Ori.
E pyetur kë zgjedh mes Arjanit dhe Nedës, Ori u përgjigj: "Arjani është shtyllë e atij emisioni dhe nuk e di nëse "Përputhen" do të mund të ekzistonte pa Arjanin. Neda është ajo çfarë i mungonte Përputhen për të qenë siç është sot, një produkt më i balancuar që publiku e ka dëshirën ta ndjekë".
Kujtojmë se, pas largimit nga politika të Grida Dumës Ori Nebiaj do të jetë deputetja që do të zërë vendin e saj në Kuvend.