Një ish-aktor, i cili madje u shfaq në filmin jashtëzakonisht të suksesshëm të vitit 1990 "Dances with Wolves", u arrestua të martën nga policia e Las Vegasit me akuzën për shfrytëzim seksual të vajzave të mitura për gati dy dekada.
46-vjeçari indian Nathan Chasing Horse (emri i plotë: Nathan Lee Chasing His Horse), i cili kishte luajtur djalin Sioux "Smiles A Lot" në filmin ku luante Kevin Costner, dyshohet se ishte kreu i një kulti seksi të quajtur "The Circle" ("Rrethi"). Ndaj tij janë ngritur akuza shumë të rënda për trafik seksual, sulm seksual ndaj vajzave nën 13 vjeç dhe abuzim ndaj të miturve.
Nathan Chasing Horse u arrestua pasi policia bastisi shtëpinë e tij në Las Vegas, ku ai dyshohet se jeton me pesë "gratë" e tij. Sipas New York Post, një ankesë anonime e marrë nga policia tetorin e kaluar ndezi hetimin për aktivitetet e 46-vjeçarit, i cili zgjati disa muaj.
Chasing Horse dyshohet se ka ngacmuar të paktën gjashtë viktima, sipas dokumenteve të urdhrit të kërkimit prej 50 faqesh të marra nga Associated Press.
Aktet e dyshuara të abuzimit seksual datojnë në fillim të viteve 2000 dhe besohet se kanë ndodhur në shtete të ndryshme të SHBA-së, duke përfshirë Montana, Dakota e Jugut, nga është aktori dhe Nevada, ku ai ka jetuar për 10 vjet.
Chasing Horse - një anëtar i fisit Shikangu Sioux të kombit Lakota - tërhoqi ndjekës nga fise të ndryshme aborigjene në SHBA dhe Kanada, të cilët besonin se ai ishte një "person i shenjtë" me fuqi shëruese. Ai i kishte bindur anëtarët e kultit të tij se mund të komunikonte me qenie më të larta dhe të kryente ceremoni shërimi, thuhet në urdhër.
“Ai përdori këto tradita shpirtërore dhe sistemin e besimit në të cilin ato bazohen në shumë raste si një mjet për të sulmuar seksualisht vajzat e reja”, shton dokumenti.
Anëtarët e sektit 'The Circle' i ofruan vajzat e tyre të vogla Chasing Horse si gra të tij. Njëra prej vajzave besohet se i është ofruar si 'dhuratë' kur ajo ishte 15 vjeçe dhe një tjetër u martua me të kur ajo ishte 16 vjeç.
Në vitin 2015, 46-vjeçari thuhet se u dëbua nga komuniteti aborigjen i Fort Peck në Montana pas akuzave për trafikim njerëzor.
Një nga akuzat me të cilat përballet Chasing Horse është se ai shiste vajza të reja nga fise të ndryshme tek burrat që ishin të gatshëm të paguanin për të bërë seks me to. Më e reja nga viktimat e tij të supozuara ishte vetëm 13 vjeç./Liberale.al