Analizë

A mundet të përmbyset një regjim autokratik me mjete politike?

Shkruar nga Liberale
A mundet të përmbyset një regjim autokratik me mjete politike?

Nga Red Varaku

Regjimi i Ramës kombinuar me trashëgiminë komuniste të Shqipërisë kanë rezultuar fatale për demokracinë e brishtë shqiptare

Kjo ka patur një impakt shumë negativ si në sferën politike, ashtu edhe në sferën publike duke i paralizuar dhe reduktuar ato në sfera të kontrolluara në mënyrë kapilare nga regjimi.

Marrëveshja për ndryshime kushtetuese e vitit 2008 , ndryshimi i pushtetit përmes një marrëveshje të fshehtë midis mazhorancës dhe opozitës në 2013, shënojnë fillimin e fundit të demokracisë në Shqipëri.

Ndërsa, zgjedhjet e 25 prillit shënuan dhe fundin e demokracisë, dhe prej kësaj date vdekjen klinike të saj në Shqipëri.

Nëse këto zgjedhje dëshmuan diçka, ato dëshmuan dorëzimin dhe pafuqinë e shoqërisë shqiptare për të prodhuar rotacion politik.

Gjithashtu, ato dëshmuan që ky regjim nuk mund të përmbyset më përmes zgjedhjeve, por vetëm përmes një procesi afatgjatë demokratizimi.

Jemi kthyer sërish në 1990 ku regjimi kontrollon me dorë të hekurt të gjitha institucionet përfshi dhe institucionet që mbajnë në këmbë sistemin politik dhe ku ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar është jetike për të ardhmen e demokracisë .

Kjo është arsyeja e rikthimit në skenën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë paraqitur dhe një projekt për rrëzimin e këtij regjimi.

Një projekt që fatkeqësisht nuk ka gjetur mbështetjen të plotë, pikërisht tek Opozita shqiptare, e cila duhet të ishte në fakt më e interesuara në implementimin e tij.

Pavarësisht retorikës bajate për heroizmin e popullit tonë liridashës, përballë një regjimi autokratik të mirëfilltë, projekti Amerikan mbetet e vetmja rrugëdalje për demokracinë shqiptare, ashtu siç në fakt ishte në 1990.

Edhe pse për shumë opozitarë ky projekt është i papranueshëm , sepse ata mendojnë se përballja me të shkuarën kjo do të ishte vetëvrasje për opozitën, në fakt për votuesin gri është një ofertë e jashtëzakonshme.

Kjo sepse përballja dhe pranimi i korrupsionit të së shkuarës është një dëshmi e një ndryshimi radikal, e cila do të rriste padiskutim besueshmërinë e votuesve, sidomos atyre gri.

Vetëm një ndryshim i tillë që mund t’i bëjë bashkë intelektualët, shoqërinë civile dhe shtresën e mesme mund të prodhojë kushte për rikthimin e demokracisë.

Rikthim që do të kërkonte dhe zgjedhje të lira, të cilat janë të pamundura pa ideatorët dhe mbështetësit kryesorë të projektit të demokracisë shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH