Ka nisur seanca për ndryshim te masës së sigurisë e cila po mbahet në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për çështjen e Fredi Belerit.
Të pranishëm në seancë janë edhe ambasadorja greke në Shqipëri dhe avokatët grekë, të cilët pas seancës kanë paralajmëruar një konferencë shtypi në Tiranë për çështjen Beleri.
Avokatët e Belerit kanë paraqitur kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë për Belerin.
Fredi Beleri u arrestua në flagrancë dy ditë para zgjedhjeve lokale dhe vijon të mbahet në burg edhe pasi doli fitues në garën e 14 majit, nën akuzën për korrupsion në zgjedhje.
Në pamundësi për të bërë betimin si kryebashkiak, Beleri akuzoi kryeministrin Rama si personin përgjegjës që pengon dhënien e lejes së veçantë që ai të kryej betimin dhe argumenton se ndodhet në qeli si i vetmi kryebashkiak i zgjedhur, për faktin se i përket minoritetit grek.
Sipas Belerit, nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën e tij, pasi kjo do të përkthehej në kufizim të rëndë të të drejtave kushtetuese.
Por kryeministri Rama vazhdimisht është shprehur se çështja Beleri i takon vetëm drejtësisë shqiptare dhe ai nuk mund të ndërhyjë për ta çliruar atë nga akuzat, sikurse nuk ka ndërhyrë as kur janë dënuar ish-ministra, kryebashkiakë, apo deputetë të partisë së drejtuar prej tij.
Gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, ai tha se nuk ka asgjë për të diskutuar me palën greke në lidhje me këtë çështje sepse pala greke nuk dëgjon asnjë koment por vetëm këmbëngul duke rënë ndesh me ligjet tona.